Kryetari i AAK-së në Zvicër fsheh lidhjen e tij me të akuzuarin për bombën te “Bota sot”, vjell vrerë e manipulon publikun

Politika

Kryetari i AAK-së në Zvicër fsheh lidhjen e tij me të akuzuarin për bombën te “Bota sot”, vjell vrerë e manipulon publikun

Nga: Bota Sot Më: 30 korrik 2017 Në ora: 08:22
Majtas: Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër, njeri i afërt me Ramush Haradinajn, djathtas: I burgosuri më 31 janar 2017 dhe i akuzuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot”, në vitin 2002. Në foto, Mushkolaj dhe Lleshi shihen duke mbajtur duart grusht, në stilin e diktatorit komunist Enver Hoxha, edhe pse mbahen në rugovizëm, duke dal “blof” para përkrahësve të tyre.

Ka kaluar më shumë se një javë, prej kur gazeta kombëtare “Bota sot”, ka publikuar emrin e të akuzuarit dhe të burgosurit dhe të akuzuarit për dërgimin e granatës rusë në redaksinë e gazetës “Bota sot”, në Zvicër, më 27 shtator  2002.

Gjykata Federale Zvicerane mori vendim që emri i të burgosurit dhe të akuzuarit për terrorizëm, të mos mbetej sekret, ashtu siç kërkonte pala mbrojtëse e të akuzuarit, dhe si rrjedhojë “Bota sot” ka publikuar edhe fotografinë e tij.

I burgosuri me prejardhje nga Ladorishti i Strugës së Maqedonisë, akuzohet nga autoritetet zvicerane për dërgimin e granatës, e cila u dërgua në zyret e gazetës “Bota sot”, nga posta e lagjes Oerlikon të Cyrihut në vitin 2002.

Lesi, është njeri i afërt me politikanë në Kosovë, konkretisht, me liderin e AAK-së, i nominuar nga PAN-i, për kryeministër Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij më të afërt dhe më të besueshëm, siç është Avdyl Mushkolaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër, si dhe me një numër të madh të personaliteteve të AAK-së, pjesë e së cilës është edhe vet i akuzuari për terrorizëm.

Ndonëse “Bota sot”, ka kërkuar për disa ditë me radhë nga vetë Ramush Haradinaj, dhe partia e tij që të sqarojë lidhjet e tyre, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë ende.

Në vend të tij, ka vendosur të flas njëri nga të lartcekurit Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër. Ky i fundit, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar që të “mos njollosen njerëz e emra”, pasi sipas tij, në “AAK është i mirëseradhur çdo njeri që mendon për të mirën e popullit”.

Në postimin e tij, Mushkolaj, duke mos folur as edhe një fjalë për miqësinë e tij me të akuzuarin për terrorizëm Llesin, të cilën “Bota sot” e dokumenton edhe përmes fotografive, ka zgjedhur të vjellë vrerë ndaj kombëtares, duke e akuzuar gazetën për lidhje me Serbinë!

Image
Në shtëpinë e Lesit në Zvicër, nga e majta: Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër, njeri i afërt me Ramush Haradinajn; nga e djathta: personi i burgosur më 31 janar 2017 dhe i akuzuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot” në vitin 2002

Në vend që të sqarojë lidhjen e tij me të akuzuarin për terrorizëm, ai zgjedh propagandën, duke tentuar që të manipulojë mbështetësit e tyre në mënyrë që të fsheh se njeriu i afërt i AAK-së, po mbahet në burg si i akuzuar për veprën e terrorizmit nga gjykata zvicerane.

Në fotografitë e siguruara nga gazeta, Mushkolaj shihet në paraqitje të ndryshme me personin e akuzuar për terrorizëm. Madje, takimet mes tyre, janë bërë shumë herë edhe në shtëpinë e Lleshit, duke lënë të kuptohet se ata janë shumë të afërt.

Edhe pse ai, sikurse lideri i tij, Ramush Haradinaj, shpeshherë është mbajtur në ideologjinë rugoviane, në njërën nga fotot, Mushkolaj dhe Lleshi shihen duke mbajtur duart grusht, në stilin e diktatorit komunist Enver Hoxha, duke dal “blof” para përkrahësve të tyre.

Image
Në shtëpinë e Lesit në Zvicër, nga e majta: Mentor Mushkolaj, kryetar i degës së AAK-së në Zvicër; afër tij: Nazmi Jakurti, kryetar i Unionit të Sindikatave të Oberargaut; nga e djathta: personi  i burgosur më 31 janar 2017 dhe i akuzuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot” në vitin 2002

Të kujtojmë se policia zvicerane e ka arrestuar personin e akuzuar për terrorizëm më 31 janar 2017,  dhe në bazë të ADN-së ka rezultuar se i njëjti e ka dërguar granatën ruse në adresë të redaksisë së gazetës “Bota sot”, në Zvicër më 27 shtator 2002.

Është e rëndësishme të theksohet se ky rast po del në dritë pas 15 vitesh. Nëse pakoja e dërguar do të hapej nga pjesa e sipërme, atëherë granata do të shpërthente menjëherë dhe si pasojë, kjo do të rezultonte me vdekjen e 12 personave të pranishëm.

Procesi i gjykimit do të zhvillohet me 16 gusht në Gjykatën Federale në Bellinzona, gjykatë kjo e cila trajton rastet më të rënda të krimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat