“Dosjet” e vrasjeve politike, korrupsionit e krimit, krerët e SHIK-ut përgatitën për Gjykatën Speciale

Politika

“Dosjet” e vrasjeve politike, korrupsionit e krimit, krerët e SHIK-ut përgatitën për Gjykatën Speciale

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 gusht 2017 Në ora: 14:30
Disa nga viktimat e vrasjeve politike

Ditëve të fundit, në skenën politike ka shpërthyer një debat i ashpër me akuza e kundër akuza ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto të dyja, njëra-tjetrën e implikojnë në korrupsion, krime, e vrasjet politike, ku ka pasur akuza se nga të dyja palët ka njerëz të përfshirë në këto vrasje, e që ishin pjesë e SHIK-ut të udhëhequr nga Kadri Veseli, shërbim ky famëkeq i akuzuar shumë herë për vrasjet politike dhe krime të ndryshme në Kosovë.

Lidhur me këto akuza, së fundi është inkuadruar edhe ish deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ku sipas saj të dy partitë po përgatisin dosjet për njëri-tjetrin për Gjykatën Speciale.

“Këto dy tri ditë, qëkur PAN nuk po mund të formojë as qeveri as të zgjedhë kryeparlamentarin dhe kur jemi gati para një krize të re institucionale, janë shpërfaqur me të madhe akuza për vrasje (të pasluftës) kundër LVV-së nga eksponentë të PDK (hiq më pak se nënkryetari i saj), dhe akuzat e LVV-së për krime të PDK-së e SHIK-ut. Dhe si zakonisht ( e tmerrshme!), Kryeprokurori, heshtë! Heshtin të gjithë prokurorët, të gjithë gjyqtarët! Pra, politika jonë mbetet ende tepër e kriminalizuar, ndërsa organet e drejtësisë ende të kapura, kokë e këmbë, nga këta “politikanë”. Kjo, nuk mund të shpjegohet ndryshe, mbase veq si një pajtim i heshtur, që vetë këta “politikanë”, të përgadisin për njëri tjetrin dosjet për Gjykatën Speciale. Ndërsa në fund, pas gjithë këtyre i turren LDK-së, duke thënë se LDK ua paska bërë dosjet”, është shprehur Tërmkolli.

Por, sipas analistëve, e gjithë kjo situatë me akuza e kundër akuza po behët me frikën e aktivizimit të Gjykatës Specialë. Sipas tyre, kjo është edhe një tentativë për të prodhuar krizë politike dhe pengesë që po bëhet nga koalicioni PAN i ndërtimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Image
Nexhat Haziri

Përforcim i dosjeve

Analisti dhe ish gazetari Nexhat Haziri, thotë se disa që sot  po e akuzojnë njeri-tjetrin për vrasjet e pasluftës, dikur kanë qenë bashkëveprimtar në një organizatë kriminale e vrastare të quajtur SHIK, e drejtuar nga Kadri Veseli.

“Është shumë e vërtetë se nga radhët e të dyja subjektet politike ka njerëz të dyshuar për pjesëmarrje në vrasjet e personaliteteve politike e shoqërore të Kosovës në periudhën e pasluftës. Kjo nuk është diçka që ne tani po e zbulojmë ujin e nxehtë, apo po bëjëm farë sensacioni. Disa që sot  po e  ndajnë mejdanin duke  e akuzuar njeri-tjetrin për vrasjet e pasluftës, dikur kanë qenë bashkëveprimtar në një organizatë kriminale e vrastare të quajtur SHIK, e drejtuar nga Kadri Veseli, sot kryetar i PDK-së. Dhe po kjo ndërmarrjeje e përbashkët kriminale, e këtyre që sot akuzojnë njeri-tjetrin, i ka vrarë personalitet e shquara si Kolonel Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën e të tjerë, për interes të një partie të caktuar politik, pra për PDK-në. Dhe as kjo nuk është diçka qe ne po e zbulojmë, është e thënë dhe e shkruar në shumë raporte të organizmave të ndryshëm ndërkombëtar për çështje sigurie”, shprehet Haziri.

Sipas tij, PDK dhe VV nuk po përgatisin dosje për speciale njëra-tjetrës, por se ato vetëm po i përforcojnë ato, pasi sipas tij, faktori ndërkombëtar i ka të gjitha dëshmitë relevante për vrasjet politike në Kosovë.

“Se a po ia përgatisin PDK dhe LV-ja, dosjet njera tjetrës për Gjykatën Speciale, unë them se jo, nuk bëhet fjalë për përgatitje, ndoshta për përforcimin e tyre po, pasi faktori ndërkombëtar i ka të gjitha dëshmitë relevante për vrasjet politike në Kosovë, është çështje tjetër pse deri më tani faktori ndërkombëtar nuk bërë asgjë për ti zbardhur këto vrasje”, thekson Haziri.

Ai më tej, thotë se ekziston një panik të partitë politike, e  sidomos të PDK-ja lidhur me punën e Gjykatës Speciale.

“Është shumë e vërtete se ka një panik tashmë, sidomos te PDK-ja, por edhe të partitë tjera politike si AAK , por edhe LV-së, lidhur me punën e Gjykatës Speciale. Ndërsa PDK-ja, duke e ditur se do të goditët më së shumti nga ky institucion i drejtësisë po përpiqet që të prodhoj krizë politikë dhe jo stabilitet institucional, në mënyrë që ta pengoj sa të jetë e mundur ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale. Një tentativë për të prodhuar krizë politike është edhe pengimi që po bëhet nga koalicioni PAN i ndërtimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 11 qershorit”, ka thënë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

PDK në rrezik të fundosjes

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, thotë se me aktivizimin e Speciales, PDK është në gjendje agonie e në rrezik të fundosjes.

“Mendoj se PDK është e trishtuar, në gjendje agonie dhe fundosese me aktivizimin e Gjykatës Speciale. Prandaj dhe po bën manovra te ndryshme për të shtyrë sa me shumë fillimin e punës se kësaj Gjykate, për te shigjetuar dëshmitarët te cilët pastaj edhe te shantazhohen apo te eliminohen. Njeriu ne gjendje paniku bën veprime edhe irracionale, sic eshte rasti me aktakuzat e PDK kunder partive te tjera”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, Kadri Veseli është kupola e krimit dhe korrupsionit dhe vrasjeve të pasluftës, e për të cilat, sipas Mehmetit, Veseli duhet të japë llogari.

“Është non sens që PDK te akuzoj dikë për krim dhe korrupsion, kjo i bjen sikur krimineli te akuzoj gjyqtarin për kriminel. Kadri Veseli është kupola e krimit, korrupsionit dhe vrasjeve të pasluftës për te cilat duhet të jap llogari. Jam i sigurte se Kadriu i di te gjitha, disa i ka urdhëruar edhe vetë e disa kanë mundur të bëhen me direktiva te Hashimit.  Sa me tepër ofrohet Gjykata Speciale PDK do te çoroditet edhe me shume, paniku i ka kapluar dhe do i fundos”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, analisti Faton  Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat