Gjykata Speciale dhe e vërteta që po troket në derë

Politika

Gjykata Speciale dhe e vërteta që po troket në derë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 8 gusht 2017 Në ora: 06:25
Disa nga viktimat e vrasjeve politike

Tani maskat kanë nisur të bien një nga një. Akuza e kundër akuza për veprat e njëri tjetrit po dëgjohen ndërmjet politikanëve. Me këto akuza nuk po merret as Prokuroria e Shtetit. Të paktën jo deri tani, ku ndonëse përmenden vrasje e krime nga më të rëndat, nuk është parë ndonjë veprim nga ana e këtij institucioni. Duket se me këto deklarata do të merret ekskluzivisht Gjykata Speciale. Urdhërdhënësit e vrasjes së veprimtarit të shquar të LDK-së  dhe bashkëpunëtorit të gazetës “Bota sot”, Xhemajl Mustafa do të zbulohen nga Gjykata Speciale.

Ndryshe, s`do t`i kishim kaq euforike deklaratat e publicistëve që janë veshur në petkun e politikanit e as politikanëve që kishin poste të rëndësishme në kohën e vrasjes së Xhemajl Mustafës. Pa paragjykuar deklaratat e asnjërës palë, por duke parë mosveprimin e Prokurorisë pas këtyre deklaratave, atëherë nuk ka se si të mos mendohet se një drejtësi më e lartë ndërkombëtare shpejt do ta thotë fjalën e saj.

Dita po vjen, ashtu si u zbardh rasti i sulmit me granatë ruse ndaj gazetës “Bota sot”, njëjtë do të zbulohen vrasësit e Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Shaban Manajt, Bardhyl Ajetit, Bekim Kastratit, kolonel Tahir Zemajt, Kolonel Ahmet Krasniqit dhe shumë veprimtarëve të tjerë të shquar të Kosovës. Këtë drejtësi do ta sjell Gjykata Speciale duke marr parasysh edhe periudhën e krimeve që do ta hetoj.

Dhomat e Specializuara shpejt mund ta nisin punën e tyre, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat që duheshin për funksionalizim. Tashmë, është hapur rruga për ngritjen e aktakuzave të para të Gjykatës Speciale. Kjo ka quar “peshë”, shumë politikanë të cilët në forma të ndryshme po tentojnë destabilizimin e vendit. Gjykata Speciale, ndonëse e votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, po ua lëkund dheun nën këmbë personaliteteve të jetës politike në Kosovë. Atyre të cilët për 17 vite me radhë i kanë sjellë vendit vetëm të liga. Atyre hija e drejtësisë i ndjek nga pas dhe e cila hije shumë shpejt do të shndërrohet në realitet.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, është vlerësuar si i dështuar, sidomos për shkak të mos zbardhjes së vrasjeve të cilësuara si politike. Por, drejtësisë nuk mund t`i iket përgjithmonë, të paktën asaj ndërkombëtare jo. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat