Koalicioni LDK-Vetëvendosje ia vështirëson PAN-it marrjen e pushtetit

Politika

Koalicioni LDK-Vetëvendosje ia vështirëson PAN-it marrjen e pushtetit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 18 gusht 2017 Në ora: 11:04
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Por është i dobishëm për VV-n për t'ia vështirësua PAN-it marrjen e pushtetit. Këto interesa LDK duhet t'i analizojë mirë e të mos lëshohet në pazare të vogla! LDK-ja duhet të përcaktohet për zgjedhje të reja, që janë gjëja e duhur për të mirën e Kosovës”, është shprehur Zogaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, ditë m ë parë ka theksuar se ka dy-tri javë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është pasivizuar në bashkëpunimin me VV-në.

Ai në një emision, ka thënë se nuk kanë pasur takime me LDK-në, por që sipas tij, partia e Ymerit është e hapur për të arritur marrëveshje.

“Vetëvendosje ka bërë ftesa, kurse LDK-ja ka refuzuar. Albin Kurti i është qasur drejtpërdrejt Mustafës dhe nuk ka pasur kthim të përgjigjes së tyre. Do të thotë e ka për shkak të hidhërimit. Nuk mendoj se tash Kosovës mund t’i ndihmojmë duke i shfaqur hidhërimet tona të vjetra”, ka shtuar Konjufca.

Ne kemi kontaktuar zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të cilët nuk kanë qenë të gatshëm të flasin lidhur për këtë çështje,  duke thënë se janë tepër të zënë më punën rreth zgjedhjeve komunale dhe kandidatët që ata do të propozojnë.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  i pyetur nga gazetarët për koalicionin me Vetëvendosje, ka thënë njëherë do të presin që PDK t’i konsumoj procedurat për të prezantuar kandidatin.

Ndërsa për Vetëvendosjen ka thënë se kanë disa çështje që duhet t’i sqarojnë para se të krijojnë partneritet.

“Sa i përket Vetëvendosjes kemi disa çështje që duhet t’i sqarojmë dhe pastaj të bëjmë partneritet. Ata duhet t’i sqarojnë pozicionet e tyre si parti. Në qoftë se dikush ka dërguar 72 lëndë në prokurori për mua atëherë ata duhet të deklarohen a janë të vërteta apo vetëm kanë bërë propagandë. Mua asnjëherë s’më ka thirre prokuroria. Atëherë si të bëjmë koalicion me një parti kur nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin, shndërrimin e FSK-së në ushtri, ekonominë”, është shprehur Mustafa.

Po ashtu, edhe nga LDK nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për një koalicion të mundshëm mes dy partive. Deputetët e kontaktuar nga “Bota sot”, janë shprehur se të gjitha çfarë duhet të thuhen, i ka thënë kryetari Mustafa.

Image
Skender Zogaj

Sakrificat e LDK-së

E analisti politik Skender Zogaj ka thënë se LDK-ja gjithmonë është përpjekur të tregojë vullnet të mirë ndaj proceseve të rëndësishme për të mirën e vendit dhe zemërgjerësisë, dhe  ka sakrifikuar interesat partiake duke pranuar koalicione tepër të dëmshme edhe me partitë që e kanë luftuar për vdekje.

“Sakrifica qëllim mire është ç ‘vlerësuar keq nga oponentët, por edhe nga klane brenda LDK-së që, këtë sakrificë e kanë injoruar për qëllime të ngushta përfituese! Prandaj, LDK-ja duhet të mos vazhdojë të bëjë "bamirësi" të kushtueshme në kurriz të interesit të ngushtë partiak, siç ka vepruar edhe me koalicionin parazgjedhor, që i dha mundësi përfituese AKR-s e tash po merr grushte prej saj!  E njëjta gjë e pret edhe nga VV-ja, kjo është e sigurte” , ka thënë ai.

Sipas Zogajt, koalicioni mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është i dobishëm, në mënyrë që PAN-it, t’i vështirësohet marrja e pushtetit.

“Refuzimin e koalicionit me VV-n e konsideroj të arsyeshëm, sepse, dihet paraprakisht se ky koalicion është tepër i kushtueshëm dhe i dëmshëm për interesin partiak afatgjatë të LDK-s! Por është i dobishëm për VV-n për t'ia vështirësua PAN-it marrjen e pushtetit. Këto interesa LDK duhet t'i analizojë mirë e të mos lëshohet në pazare të vogla! LDK-ja duhet të përcaktohet për zgjedhje të reja, që janë gjëja e duhur për të mirën e Kosovës”, është shprehur Zogaj.

Image
Albrim Badallaj

Zgjedhjet e reja, dalje nga kriza politike

Ndërsa, analisti politik Albrim Badallaj ka thënë se ka pasur indikatorë që kanë dhënë shenja se koalicioni ndërmjet LDK-së dhe VV-së është vështirë i arritshëm, për shkak te deklaratave të ashpra dhe zhargonin e përdorur ndërmjet dy subjekteve, mandatin e kaluar.

“Me afrimin e AKR-se drejt PAN-it dhe me afrimin e zgjedhjeve lokale, duke pasur parasysh rivalitetin që e kanë këto dy parti në Prishtinë dhe disa komuna tjera, ka bërë që distancimi dhe polarizimi i tyre të vihet në pyetje. Përveç çështjes se kryeministrit, arsyeja se pse ka ndodhur largimi ndërmjet këtyre dy partive është se asnjëra prej tyre nuk e kanë mandatin të parët për krijimin e Qeverisë, duke pritur se çka po ndodh me PAN-in”,  ka thënë ai.

Sipas Badallajt, zgjedhjet mund të jenë një mundësi për dalje nga kiza politike, në të cilën është futur vendi.

“Ka disa mundësi në këtë situatë ku jemi dhe njëra nder ta është edhe shkuarja në zgjedhje të reja dhe atëherë mund të vihen në shprehje përsëri bashkëpunimet e këtilla, varësisht se cila parti do të del e para. Më këtë lidership aktual të LDK-së, pa ardhur në shprehje figurat e reja të kësaj partie, vështirë është që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet VV-se dhe LDK-së, shtuar kësaj edhe ndryshimet ideologjike ndërmjet këtyre partive politike” ka thënë për “Bota sot” analisti Badallaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat