Përçarje të thella në Drenas, PDK drejt shkatërrimit pas kandidimit të Ramiz Lladrovcit

Politika

Përçarje të thella në Drenas, PDK drejt shkatërrimit pas kandidimit të Ramiz Lladrovcit

 Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 gusht 2017 Në ora: 08:17
PDK në Drenas

Degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Drenasit, ka mundur ta përcjell fati i degës së komunës së Skenderajt, e cila për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor, nuk ka shpallur asnjë kandidat.

Në Skenderaj, PDK është dorëzuar për shkak të kandidaturës së pavarur të përfaqësuesit të familjes Jashari, Bekim Jashari, duke mos kandiduar asnjë anëtarë të saj.

Por, PDK ka rrezikuar që të mbes pa kandidat edhe në komunën e Drenasit, për shkak të përçarjeve brenda anëtarëve të degës së kësaj partie në këtë komunë. Këtë gjë e ka konfirmuar në një prononcim për gazetën “Bota sot” anëtari i saj, Naim Bazaj.

Prapaskenat e mbledhjes në Drenas

Image
Naim Bazaj

Ky i fundit ka treguar se në mbledhjen e mbajtur për të përcaktuar kandidatin për kryetar, është dashur që të intervenojë edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

Bazaj ka thënë se Veseli, në mbledhjen e kryesisë është shprehur i shqetësuar për PDK-në në Drenas, madje ka dashur që të mos ketë fare kandidat as për këtë komunë. Ai ka bërë të ditur se pavarësisht që Veseli vendosi që kandidat i PDK-së të jetë sërish Ramiz Lladrovci, ky i fundit ka marrë besimin e vetëm shtatë anëtarëve të Kryesisë.

“Në mbledhjen e kryesisë së PDK-së që u mbajt,  vetëm 7 persona e kanë ngritur dorën në mbështetje të Ramiz Lladrovcit në prezencë të Kadri Veselit. Ai ishte i shqetësuar, pse kjo kështu me ndodhë, sikur në Skenderaj, ashtu edhe në Drenas. Ai fillimisht bile ka dashur që të mos propozojë fare dhe të dilet pa kandidat sikurse në Skenderaj, por në fund të fundit ai mori këtë vendim. Arsyen pse ka vendosur kështu, unë nuk e di, ai e din”, ka deklaruar Naim Bazaj.

Ai ka konfirmuar se nuk do ta mbështes kandidaturën e Lladrovcit, derisa ka treguar se as Bislim Zogaj, nuk ka marrë besimin e kandidatëve.

 “Sikurse shumica absolute e anëtarëve të PDK-së, edhe unë personalisht nuk do ta mbështes Lladrovcin. Në mbledhje nuk kanë qenë të gjithë anëtarët e kryesisë, ne llogaritemi diku rreth 29 anëtarë, por ka pasur anëtarë të këshillit drejtues, pra që nuk janë pjesë e kryesisë. Kadri Veseli kërkoi që të tregojmë ne se kush është për Ramiz Lladrovcin e kush për Bislim Zogajn. Fillimisht është propozuar Lladrovci, vetëm 7 persona kanë ngritur duart në mbështetje të tij. Më shumë përkrahës nuk pati, por aty shprehën pakënaqësitë e tyre secili anëtar. Ata ishin që të mos kandidohej Lladrovci. Por, Veseli vendosi edhe pse kundër tij ishin shumica. Edhe Zogaj ka marr shumë pak vota”, ka treguar më tej Bazaj.

I pyetur nga “Bota sot” se pse nuk ka provuar kësaj radhe që të kandidojë si i pavarur, Bazaj ka thënë se ka zgjedhur të pushojë, për shkak se “i kanë lodhur njerëzit”.

“Nuk e kam shpall kandidaturën time, sepse i kemi lodhur njerëzit. Është hera e katërt që neve si PDK në Drenas na kushtojnë shumë. Nuk e besoj që shumica e qytetarëve do të dalin të votojnë, se i kemi lodhur jo pak, por shumë. Ka pakënaqësi edhe në mesin e kryesisë. Unë për momentin jam anëtar i kryesisë, jo vetëm Kadri Veseli, por le të din edhe Zoti se nuk e mbështes Ramiz Lladrovcin, nëse mundet me fitu, le të fitojë, por besoj që nuk mund të fitojë”, është shprehur Bazaj.

Ai ka konfirmuar se nuk ka kandiduar as për anëtar të asamble komunale.

“Shumica prej anëtarëve të partisë kanë dashur që të jem pjesë e asamblesë, por unë nuk kam dashur”, ka përfunduar anëtari i PDK-së në Drenas, Naim Bazaj.

Zogaj: Ramiz Lladrovci nuk do ta ketë mbështetjen time

Image
Bislim Zogaj

I pakënaqur me vendimin e Kadri Veselit që kandidat i PDK-së të jetë Ramiz Lladrovci, është shprehur edhe Bislim Zogaj, i cili kishte shprehur dëshirën për të qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit.

Pavarësisht prej kësaj, ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se do ta respektojë vendimin e partisë, mirëpo nuk do të mbështes Lladrovcin, për kryetar të Drenasit.

“Ky ka qenë vendim i partisë, PDK-ja është përcaktuar që Lladrovci të jetë kandidat, dhe unë kam shprehur mendim tim se ai nuk i përfaqëson denjësisht interesat e qytetarëve të Drenasit. Për këtë, kam shprehur gatishmërinë që të sakrifikohem që të jem kandidat për kryetar. Megjithatë, partia është përcaktuar për të. Lladrovci mbështetjen time nuk do ta ketë”, ka thënë Zogaj.

Ish-deputeti i PDK-së ka konfirmuar se nuk do të largohet nga partia dhe se do ta mbështeste çdo kandidat tjetër, përveç Lladrovcit.

“Jo, unë nuk do të jem kandidat i pavarur. As që më ka shkuar mendja ndonjëherë. Unë vetëm kam shprehur gatishmërinë time për të dalë për të ndihmuar qytetarët e Drenasit dhe Partinë Demokratike. Përndryshe, do ta mbështesja cilindo kandidat tjetër, por Ramiz Lladrovcin jo për shkak të parimeve të mia”, ka shtuar për “Bota sot” Bislim Zogaj.

Ndërsa, ditë më parë, kryetari aktual i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka thënë se e ardhmja e tij politike në PDK-në, është e sigurt.

Ai është shprehur i sigurt në fitoren e PDK-së në komunën që ai drejton.

“Askush nuk mund ta ndalë fitoren tonë në Drenas, as individ, as nisma e iniciativa me të cilat edhe më herët kanë provuar të bëjnë shantazhe por pa sukses. Puna jonë dhe besimi i qytetarit në neve janë të pandashme. Drenasi është përjetësisht i lidhur me Drenicën, UÇK-në dhe PDK-në”, ka thënë Lladrovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat