Bisedimet me Serbinë, kjo është arsyeja pse Thaçi kërkon të kalojnë në nivel presidentesh

Politika

Bisedimet me Serbinë, kjo është arsyeja pse Thaçi kërkon të kalojnë në nivel presidentesh

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 gusht 2017 Në ora: 22:30
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Gjatë ditëve në vijim pritet që të takohen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel ku inicuse e takimit është përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Por, angazhimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në dialogun midis Kosovës dhe Sebisë shihet si një “dalje nga hija” pasi që si president i vendit i ka kompetencat e kushtëzuara.

Po ashtu, sipas analistëve, vlerësohet se dialogu me Serbinë ka nevojë për strategji të re edhe pa pasur nevojë që të jetë në nivel presidentësh.

Image
Faton Mehmeti

Hashim Thaçi, i parapëlqyeri i Serbisë

Analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Thaçi  ka kërkuar që bisedimet të kalojnë në nivel presidentesh për arsyeje se kompetencat e tij si president janë të kushtëzuar dhe të limituara, prej të cilave ka mbetur në hije.

“Ka qenë ideja e Thaçit që bisedimet në Bruksel të kalojnë në nivel presidentesh. Kjo për faktin e fatit të presidentit Thaçi, i cili me kompetencat e kushtëzuar dhe të limituara të presidentit ka mbetur nën hije që nga marrja e postit të presidentit. Për të dalur nga hija që e ka kapluar ka iniciuar idenë që të bisedohet në nivel presidentesh, për tu rikthyer si figura kryesore e politikës në Kosovë”, ka thënë Mehmeti. 

Po ashtu, ai ka thënë se kjo ide për bisedimet në nivel presidentesh lidhet edhe me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, e ku sipas tij Thaçi është i gatshëm të bëjë kompromise me Serbinë   që të mos ndiqet nga kjo Gjykatë.

“Kjo është mania e Thaçit, i cili nuk e duron dot që dikush tjetër të jetë më i rëndësishëm se ai, në këtë sens është bërë kjo lojë. Kjo lidhet edhe me fillimin e punës së Gjykatës Special, për të cilën Thaçi është i gatshëm të bëjë kompromise me Serbinë  vetëm e vetëm që mos të ndiqet nga kjo Gjykatë.  Thaçi sikur po iu ofron ndërkombëtare çdo gjë që ata kërkojnë në shkëmbim të  lënjes së tij të lirë,  derisa në anën tjetër do të bëjë rolin e faktorit të vetëm me të cilën ndërkombëtarët mund të arrijnë marrëveshje”, ka thënë ai për “Bota sot”..

Gjithashtu, Mehmeti ka theksuar se nga këto bisedime pritet vetëm që të arrihen qëllimet e Serbisë dhe Thaçi është i parapëlqyer nga Serbia për të arritur marrëveshje

 “Edhe këto bisedime në Bruksel mes Thaçit dhe Vuçiçit nuk pritet të prodhojnë asgjë të mirë për Kosovën, përveç realizimeve të synimeve të Vuçiçit për të arritur qëllimet e Serbisë. Mbase Thaçi është mësuar të përjashtohet nga Vuçiç, nëse ia prish tymin e kjo nuk ndodh pasi Thaçi është besnik i urdhrave te Vuçiçit, prandaj është i parapëlqyer nga Serbia për të arritur marrëveshje”, ka thënë Mehemti për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

"Serbia bashkëpronare në Kosovë"

Ndërsa, analisti tjetër Faik  Krasniqi ka thënë se keqorganizimi i bisedimeve e ka bërë Serbinë bashkëpronare në shumë aspekte shtetërorë të Kosovës.

“Deri tash dialogu i keqorganizuar e ka futur Kosovën në njëfarë ‘'dyshtetësie’' me Serbinë, domethënë e ka bërë Serbinë bashkëpronare të shumë aspekteve shtetërore të Kosovës. Gjithçka sot e kemi në dy versione, versionin tonë dhe atë të Serbisë, duke e nisur që nga emri i Kosovës dhe flluskën e famshme të Edita Tahirit”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Krasniqi ka thënë se bisedimet me Serbinë kërkohen strategji të reja,  dhe pa pasur nevojë që të jetë në nivel presidentësh.

“Por me kalimin e Thaçit dhe të Vuçiqit në pozitën e presidentëve, i shoh në kontekst të atij dizajni në të cilin besoj që është menduar që nga fillimi nga akterët e përfshirë në proces të zgjedhur nga BE-ja dhe eventualisht edhe nga SHBA-të. Konsideroj që protagonistët kryesorë që kanë filluar këtë dialog edhe do t’i japin epilog”, ka përfunduar analisti Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat