“Propozimi i ri i Thaçit, fut Kosovën në qorrsokak”

Politika

“Propozimi i ri i Thaçit, fut Kosovën në qorrsokak”

Nga: A.Zh Më: 2 shtator 2017 Në ora: 18:57
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kërkuar mbështetjen e gjithë spektrit politik për idenë e formimit të një ekipi gjithëpërfshirës, që dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ta kalojë në një fazë të re.

Ai ka premtuar që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të hedhet në referendum.

 “Kosovës do t’i jepet mundësia për herë të parë, me propozimin tim, që marrëveshja përfundimtare e normalizimit dhe pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë të jetë e aprovuar nga vullneti i qytetarëve të Kosovës. Kësaj radhe do të shkojmë përtej Parlamentit; do të propozoj që kjo marrëveshje të diskutohet, të vihet në diskutim publik, por edhe të kalojë përmes procedurave të deklarimit të qytetarëve të Kosovës – përmes referendumit”, ka deklaruar ai.

Por, sipas analistit politik Faik Krasniqi, propozimi i ri i Thaçit është “idiotesk”. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se referendum do të duhej të mbahej para fillimit të bisedimeve e jo kur “është tollovitur çdo gjë”.

Image
Faik Krasniqi

“Gjithmonë kur Hashim Thaçi e futë vendin në qorrsokak, del me propozime idioteske si gjoja shpëtimtari i këtij vendi. Referendumi është dashur të mbahej para fillimit të bisedimeve, se a do të duhej të futeshim në bisedime me Serbinë, ose me cilat kushte do të duhej të futeshim në ato bisedime”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka theksuar se mbajtja e këtij referendumi do të thoshte heqja e përgjegjësisë për marrëveshjet e dëmshme që Kosova  i ka nënshkruar në Bruksel.

“Tash kur çdo gjë është tollovitur, kur çdo gjë ka shkuar në favor të Serbisë, mbajtja e këtij referendumi nuk do të kishte kuptim. Mbajtja e këtij referendumi do të thoshte heqja e përgjegjësisë për gjitha ato marrëveshje të dëmshme në dëm të Kosovës, që i kanë nënshkruar në Bruksel”, ka shtuar Faik Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat