“Pazaret” e natës, koalicioni PAN ia ka hapur rrugën Listës Serbe

Politika

“Pazaret” e natës, koalicioni PAN ia ka hapur rrugën Listës Serbe

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 6 shtator 2017 Në ora: 21:00
Lista Serbe

Koalicioni PAN duket se ende nuk i ka përfunduar “pazaret” për ndarjen e ministrive. Raportohet se takimet janë duke vazhduar edhe tani në këto orë të vona të mbrëmjes mes koalicionit PAN dhe Listës Serbe.

Gjatë ditës është përfolur që AKR-së i është premtuar që të ketë 5 ministri përfshirë këtu edhe Ministrin e Bujqësisë, e siç thuhet Lista Serbe do të ketë vetëm dy ministri, por tani kërkon edhe këtë të fundit. 

Politologu Gurakuç Kuçi  ka folur për “Bota sot” rreth takimit që është mbajtur të mërkurën mes koalicionit PAN me AKR-në dhe Listën Serbe në të cilin thuhet se është biseduar për ndarjen e ministrive.

Image
Gurakuç Kuçi

 “Kur AKR-ja ka arritur që me aq pak deputetw sa nuk e plotëson as kriterin kushtetues për grup parlamentar, dhe me deputetë që janë zgjedhur më shumë nga elektorati i huaj, të marrë ministritë kryesore dhe të kushtëzoj gjithë PAN-in, përse nuk do ta ngritë pazarin e saj edhe Lista Serbe e cila ka më shumë deputetë se AKR-ja, ka elektoratin e vet dhe njerëz më serioz, të pathyeshëm për interesat e Serbisë”, ka deklaruar Kuçi.

Gjithashtu, ai ka thënë se koalicioni PAN vet i ka hapur rrugën Listës Serbe pas marrëveshjes me AKR-në dhe se nëse Ministria e Bujqësisë do të udhëhiqet nga kjo parti serbe atëherë do të ketë falimentim të bujqësisë në vend.

“Këtë rrugë vetë PAN-i ia ka hapur Listës Serbe me pazarin e saj me AKR-në, duke krijuar një precedencë jashtëzakonisht në dëm të Kosovës. Dhe kur kemi parasysh që Lista Serbe potencialisht mund ta marrë udhëheqjen e Ministrisë së Bujqësisë, atëherë mund të kemi falimentim të bujqësisë në Kosovë menjëherë me 2018”, ka thënë Kuçi për “Bota sot”.

Më tutje, ai ka thënë se qeveria e ardhshme do të bëhet jofunksionale dhe se duhet që intervenimi i BE-së e ShBA-së për të ulur “pazaret” e minoriteteve.

“Kjo në çdo mënyrë qeverinë e ardhshme e bënë edhe më jofunksionale, uzurpokrate dhe oligarkike, një qeveri të udhëhequr me dikasteret kryesore nga partiaçkët sezonalë dhe nga ushtarët e Beogradit në Kosovë. Ligjërisht minoriteteve nuk u ndalohet udhëheqja me asnjë pozitë, por që pazaret dhe epshet e tyre çdo herë i ulin intervenimet e BE-së dhe SHBA-së, gjë që do të bëhet edhe kësaj radhe pasi u la kjo çështje pas konstituimit të Kuvendit”, ka theksuar Kuçi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se jemi në krizë institucionale dhe se vendi duhet që të shkoj në zgjedhje.

“Përndryshe, pranimi i këtij kushti është edhe një pykë më shumë që PAN ia vë qeverisjes së vet, ose duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, sakrificë kjo për nder të shtetit por që nuk besoj se kemi njerëz të tillë që sakrifikojnë akoma. Por, nëse deri tani ka qenë vetëm PDK-ja që ngul këmbë për pushtet, këtij koalicioni iu ka shtuar edhe AKR-ja e cila mund të jap një ministri të saj për Listën Serbe, dhe prapë jemi në krizë politike me institucione të krizës. Pra këto zgjedhje dhe këto kompromise kanë krijuar një labirint i cili më së miri do të ishte të zgjidhje me zgjedhje të reja por jo me 22 tetor”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat