Kosova në bllokadë, kur do të mbahet seanca konstituive?

Politika

Kosova në bllokadë, kur do të mbahet seanca konstituive?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 shtator 2017 Në ora: 21:37
Kuvendi i Kosovës

Marrëveshja e nënshkruar të hënën në mes të koalicionit PAN dhe Aleancës Kosova e Re, nuk ka sjellë vazhdimin e seancës konstituive të kuvendit të Kosovës, edhe përkundër që supozohet se tashmë ata i kanë numrat.

Në media kanë qarkulluar lajme se sot, të enjten ose të premten do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, mirëpo kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ka mohuar se ka pranuar ndonjë kërkesë që seanca të mbahet sot.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë refuzuar të tregojnë datën se kur do ta thërrasin seancën, ndërsa analistëst politikë kanë vlerësuar se ata kanë probleme në mes veti për atë nuk thërrasin seancë.

Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, ka thënë për “Bota sot” se ai nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ta mbajtur mbledhjen konsulative dhe pastaj për t’u caktuar data e vazhdimit të seancës konsituive.

Image
Adem Mikullovci

Procedurat për thirrjen e seancës

Mikullovci ka treguar për procedurat që janë për ta thirrur seancën, gjersa ka shtuar se nuk ka njohuri nëse do të ketë seancë nesër, apo pasnesër.

Sipas Mikullovcit, ndoshta kanë probleme me numra, apo me ndarje postesh.

“Jo, jo nuk ka kurrfarë kërkese. Procedura shkon kësi lloji, fillimisht e lajmërojnë administratën e Kuvendit që i kanë numrat dhe kërkojnë të mbahet mbledhja, administrata më thirr mua dhe më lajmëron, atëherë unë vendosi kur do të mbahet mbledhja, kështu është procedura. Nuk kam ide kur do ta thërrasin, nesër apo masnesër. Kështu personalisht ata kanë ndonjë problem me numra, ndoshta i ka dalë ndonjë gjë a me poste, a me ndarje, sidoqoftë është e drejta e tyre të thërrasin, ne presim”, ka deklaruar Mikullovci për “Bota sot”.

Image
Pal Lekaj

Koalicioni PAN refuzon të tregojë datën

Kurse, koalicioni i PANA ka refuzuar të tregojë datën  për vazhdimin e seancës konstituive.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për “Bota sot” se institucionet do të themelohen shumë shpejt, mirëpo janë disa çështje për të cilat kanë nevojë ta bëjnë më të mirën e mundshme.

Sipas Lekajt, vendimet e marrëveshjet në jetën politike, e sidomos për ato qeverisëse janë të pakthyeshme, prandaj kanë nevojë të diskutojnë më shumë.

“Institucionet e vendit do të themelohen shpejt, nënshkrimi i marrëveshjes me AKR'n ka treguar përfundimisht orientimin e vullnetit qytetar, se kush duhet të qeverisë me vendin në katër vitet e ardhshme. Janë edhe disa çështje për të cilat ka nevojë që të bëjmë më të mirën e mundshme. Mos të harrojmë se vendimet e marrëveshjet në jetën politike, sidomos për ato qeverisëse, janë të pakthyeshme dhe si të tilla duhet të "shoshiten" mirë, sepse përpara kemi një kohë jo shumë të lehtë, me njerëzit e Kosovës, me shumë pritje (me të drejtë) dhe prandaj ka nevojë për një qeveri të vërtetë me veprime të vërteta, e jo vetëm një qeveri sa për dukje” ka pohuar  Lekaj.

Marrëveshja në mes të koalicionit PAN dhe AKR-së është bërë të hënën, disa orë pas ndarjes së AKR-së nga koalicioni LAA.

Në këtë marrëveshje të nënshkruar nga kryetarët e partive, PDK- AAK- NISMA-AKR,  tregohet për ministritë dhe zv.ministrit.

Sipas kësaj marrëveshje, Aleanca Kosova e Re (AKR) do të përfaqësohet në qeverisje duke udhëhequr me këto pozita: Zëvendëskryeministër i pare, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e punëve të Brendshme, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Ministria e zhvillimit ekonomik. Po ashtu AKR do të ketë shtatë zëvendësministra në këto ministri: Zv. Ministër i jashtëm, Zv. Ministër i brendshëm, Zv. Ministër i ambientit dhe planifikimit, Zv. Ministër i mirëqenies sociale, Zv. Ministër i shëndetësisë, Zv. Ministër i kulturës, Zv. Ministër i Arsimit.

Në marrëveshje gjithashtu është vendosur që edhe posti i presidentit pasi që t’i përfundojë mandati Hashim Thaçit, t’i takojë Behgjet Pacollit. 

Sipas raportimeve në media, PDK-së do t’i takojnë 5 ministri, AAK-së 3 ministri, ndërsa NISMA-s 3 ministri.

Në marrëveshjen e nënshkruar po ashtu thuhet edhe se AKR e ka përgjegjësi shkarimin apo emërimin e posteve që vijnë nga kjo parti. 

Këto ministri, e këto poste sipas analistëve politikë kanë ndikuar që koalicioni PANA të mos thërras seancën, duke shkuar kështu drejt një përçarje në mes veti.

Image
Dimal Basha

Përçarje mes koalicionit, ka deputetë që nuk e votojnë Haradinajn

Analisti politik, Dimal Basha, ka thënë për “Bota sot” se koalicioni PANA ka përçarje dhe ekzistojnë deputetë që nuk pranojnë ta votojnë qeverinë Haradinaj.

“Unë mendoj se ka përçarje brenda saj dhe ka deputet brenda që  nuk pranon të votojë qeverinë Haradinaj. Prandaj, edhe pse kanë vota të mjaftueshme për themelimin e qeverisë, mendoj se vonesa ëshëe tentim për të bindur që të dalin bashkë  pro qeverisë  Haradinaj dhe të mos vërejnë përçarjet e brendshme” ka pohuar Basha.

Image
Faton Mehmeti

Pakënaqësi te PDK-ja

Kurse, analisti Faton Mehmeti, ka vlerësuar se ndarja e ministrive dhe posedimi i shumicës më të madhe nga AKR-ja, ka sjellë pakënaqësi sidomos te PDK-ja.

Sipas Mehmeti, koalicioni PANA është jetëshkurtër dhe nuk do të prodhojë rezultate.

“Besoj se e marrja e shumë ministrive nga AKR-ja, ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos tek PDK-ja, e cila nuk po arrinë dot t'i ulë  tensionet brenda partisë  së vet. Ndarja e tepisës së pushteti, ka nxitur reagime  të mëdha tek PDK dhe aleatët e saj, dhe kjo mundn të jetë arsye që ndonjë deputetë  ka kërcënuar se nuk do e votojnë  koalicionin PAN dhe AKR. Ky koalicioni është jetëshkurtër, duke qenë  konglomeratë ky koalcion ka shkaktuar pëkënaqësi dhe s’do të prodhojë rezultat të pavarshëm. Ky koalicion nuk besoj se do të mbijetoj gjatë, pasi dështimet e saja janë  të  ditura që në fillim. Kosova nuk ka nevojë  për koalicione të inateve, të panatyrshëm dhe apsak premtueses, në këtë sens besoj se ky koalicion është ndërtuar dhe kështu do të përfundojë” ka theksuar  Mehmeti.

Image
Nexhat Haziri

Shtohen kërkesat e Listës Serbe

Edhe analisti politik, Nexhat Haziri, mendon se koalicioni PAN dhe AKR kanë probleme për shkak të ndarjeve të posteve dhe për këtë arsye nuk thirret seanca.

Sipas Hazirit, marrja e posteve nga AKR-ja, ka bërë që kërkesat e Listës serbe të shtohen.

“Shoh se pas koalicioni ndërmjet PAN dhe Begjet Pacollit dhe ndarja e ministrive sipas raportimit të mediave, edhe mund t’i ketë shkaktuar probleme tani koalicionit PAN, dhe kjo është arsyja edhe e mos kërkesës së tyre për ta thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Dhe këto problem janë me Listën Serbe, e cila ka shtuar kërkesat e saja” ka pohuar Haziri.

Sipas tij, qeveria Haradinaj nuk mund të formohet me shumicë parlamentare shqiptare edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes me Behgjet Pacollin, prandaj kërkohen patjetër votat e Listës serbe.

Haziri ka shtuar se problem tjetër i koalicionit PAN, është koha për t’i bindur që të tjerët të mos kërkojnë poste ministrore.

“ Edhe pas bashkimit të Behgjet Pacollit me PAN, nuk sigurohet shumica shqiptare e as ajo parlamentare, kështu që koalicionit PAN i duhet akoma kohë për të negociuar me Listën Serbe, pasi shumica e thjeshtë parlamentare, varet kryekëput nga Lista Serbe, e cila edhe fatin e qeverisë Haradinaj e ka në dorën e saj. Po ashtu edhe me deputetët jo serb, PAN-it, do t’i duhet kohë që t’i bindë këta për të mos kërkuar poste ministrore, përndryshe, mund të themi se akoma nuk ka përfunduar gjithçka sa i përket formimit të institucioneve të Kosovës, edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së PAN-it me Behgjet Pacollin, pasi situatë mund të ndryshojë në çdo moment” ka deklaruar Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat