Behgjet Pacolli, përballë “tradhtisë” nga koalicioni PAN!

Politika

Behgjet Pacolli, përballë “tradhtisë” nga koalicioni PAN!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 shtator 2017 Në ora: 07:48
Behgjet Pacolli

Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, ka konfirmuar për gazetën  “Bota Sot”  se pjesë e marrëveshjes së PAN-it me AKR-në është edhe posti i presidentit të vendit.

Ai ka shpjeguar se sipas kësaj marrëveshje s AKR dhe PAN janë pajtuar që kjo e fundit të mbështesë kandidatin e AKR-së për president.

Image
Fatmir Matoshi

“Pjesë e marrëveshjes së AKR-së me PAN është edhe posti i Presidentit në afatin e rregullt të zgjedhjes së tij”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se nëse ndodhë reformë dhe presidenti të zgjidhet nga votat e qytetarëve ose nga Kuvendi i Kosovës, PAN nuk do të ketë kandidatë.

“Sipas marrëveshjes AKR dhe PAN janë dakorduar që PAN të mbështes kandidatin e AKR-së për President qoftë duke mos kandiduar një kandidat të vetin nëse do të ndodhë reforma dhe Presidenti të zgjidhet nga votat e drejtpërdrejta ose nëse zgjedhja e Presidentit do të bëhet nga Kuvendi”, ka thënë Matoshi.

Por, lidhur me këtë pjesë të marrëveshjes, ku thuhet të Pacollit do t’i takojë posti i presidentit të vendit, pas përfundimit të mandatit, deputetë dhe analistë shprehen skeptikë për përmbushjen e kësaj marrëveshje. Ata theksojnë se Pacolli e ka provuar tradhtinë e PDK-së, dhe se koalicioni PAN nuk do ta mbajë përsëri fjalën. Sipas tyre kjo qeveri do të jetë jetëshkurtër, ku jo që të determinojë presidentin, por ajo nuk do të mund të determinojë, siç shprehen edhe kryeministrin e vitit të ardhshëm.

Pazare për interesa politike

Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku -Rexhepi ka thënë se pazaret politike po bëhen për interesa.

Image
Valentina Bunjaku -Rexhepi

“Fatkeqësisht në Kosovë pazaret politike po bëhen për interesa të individëve të caktuar dhe për qëllime partiake, asesi në interes të qytetareve dhe të vendit. Kjo është e dëmshme për proceset politike dhe të ardhmen e vendit. AKR dhe Pacolli u bënë pjesë e këtyre pazareve dhe kjo është e paarsyeshme të luhet me vota të qytetareve”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Ajo ka thënë se nuk beson që vet aleatët e kësaj marrëveshje do t'i përmbahen këtij pazari, por sipas saj as qytetarët nuk do ta përkrahin dhe do të jenë vet ata që do ta prishin këtë pazar.

Më tutje, Bunjaku-Rexhepi mendon se posti i presidentit të vendit po e humbet rëndësinë e tij dhe se kjo marrëveshje do të mbetet vetëm në letër.

“Personalisht mendoj që roli presidentit të vendit si organi më i lartë po dëmtohet dhe humb kredibilitetin e vet, sepse nuk ka parti që mund të ketë rol aq ndikues në qytetarë dhe mendoj se kjo marrëveshje do të mbetet vetëm në letër dhe asesi e pranueshme e aq me tepër e realizueshme në një të ardhme!”, është shprehur Bunjaku – Rexhepi për “Bota sot”.

Qeveri jetëshkurtër

Image
Mytaher Haskuka

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Mytaher Haskuka e ka quajtur qesharake marrëveshjen e PAN, pasi që  nuk mundet që një  koalicion të sigurojë votat e presidentit të ardhshëm.

“Nëse ka një marrëveshje të tillë kjo është shumë qesharake, nuk mundet një koalicion e cila nuk dihet ende a mund te siguroje votat të determinojë presidentin e ardhshëm, unë jam i sigurt që edhe nëse formohet kjo qeveri ajo do të jetë aq jetëshkurtër sa jo që të determinojë presidentin ajo nuk do të mund të determinojë edhe kryeministrin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Haskuka për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se në Kosovë çdo gjë del  nga pazaret politike si edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe votat shiten për poste diplomatike, ambasada dhe terminale doganore.

“Fatkeqësisht në Kosovë çdo gjë ka dalë në Pazar dhe si kemi parë edhe në zgjedhjen e Thaçit, votat shiten për poste diplomatike, ambasada dhe terminale doganore, por nuk besoj që ky koalicion do të mund të determinoje presidentin e ardhshëm. Fatkeqësia e Kosovës është që këto parti të vjetra në vend se të definojnë prioritetet dhe programet merren me ndarjen e posteve dhe privilegjeve”, ka theksuar Haskuka për “Bota sot”.

Pacolli gaboi që u largua nga LAA

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi mendon se Pacolli është dashur që të rri me koalicionin LAA dhe së bashku me VV-në të formonin Qeverinë e Kosovës, pas dështimit të koalicionit PAN.

“Kam thënë gjithmonë që PDK-ja nuk do të largohet kurrë nga pushteti, sepse çdo herë do të del ndonjë parti që do t'i bëhet bisht në qeverisje. Sipas mendimit tim Pacolli është dashur të rri i rreshtuar aty ku filloi, me koalicionin LAA dhe bashkë me VV ta formonin Qeverinë, pas dështimit të koalicionit PAN për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se Pacolli është i vetëdijshëm që PDK-ja nuk do ta mbajë fjalën për postin e presidentit.

“Pacolli e ka provuar tradhtinë e PDK-së dhe është mëse i vetëdijshëm që ata nuk do ta mbajnë fjalën as për postin e Presidentit”, ka përfunduar Kransiqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat