Ministrat e AKR-së do t’i kenë dy mbikëqyrës, njëri nga Haradinaj

Politika

Ministrat e AKR-së do t’i kenë dy mbikëqyrës, njëri nga Haradinaj

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 shtator 2017 Në ora: 09:35
AKR

Në pikën 5 të marrëveshjes së nënshkruar mes PAN-it dhe AKR-së, thuhet se ministrat e zëvendësministrat e AKR-së, do të emërohen dhe shkarkohen me kërkesë të liderit të kësaj partie, e jo nga kryeministri.

 “Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat, etj”, thuhet në Pikën 5 të marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN-it.

Sipas kësaj pike, Behgjet Pacolli do të ketë fuqi mbi të gjithë ministrat që ai i emëron dhe i shkarkon vet.

Vesel Makolli nga Aleanca Kosova e Re, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse kryeministri e vëren mospunën e një ministri të AKR-së, ai përmes një konsulte me këtë parti, mund të ndikojë, qoftë edhe duke e shkarkuar.

Image
Vesel Makolli

“Nuk është kjo ashtu siç thuhet meqë marrëveshja ka qenë e publikuar. Aty është një nen që thotë se në rast nevoje, AKR-ja e ka të drejtën të bëjë ndërrimin e ministrave apo zëvendësministrave. Kjo është e kuptueshme, por kjo nuk do të thotë që kryeministri nuk ka qasje apo nuk i menaxhon ministrat. Ministrat bazën e kanë në parti, e cila i cakton dhe në qoftë se performanca e një ministri nuk është e kënaqshme, normalisht se ne do të kërkojmë që ai të ndërrohet. Kjo është për të mirën e qeverisë. Në anën tjetër, në qoftë se kryeministri e vëren mospunën e një ministri, normalisht në konsulltë me neve, e cila është diçka e kulturuar, mund të bëhen ndërrime. Nuk është apriori që Haradinaj nuk do të ketë qasje apo që do t’i menaxhojë ministrat tonë”, është shprehur Makolli.

Ai ka theksuar se ministrat e AKR-së, do t’i kenë dy mbikëqyrës.

“Nuk është ashtu siç po interpretohet. Në njëfarë forme, ministrat tanë do t’i kenë dy mbikëqyrës, edhe mbikëqyrësin nga partia, edhe mbikëqyrësin nga kryeministri, kështu që ata do të jenë të shtrënguar nga të dy palët që me ndejt në binarë të caktuar dhe të udhëheqin në mënyrë sa më efektive, t’i zbatojnë programet e harmonizuara dhe t’i çojnë gjërat përpara. Kjo është menduar për t’i nxituar ata që të jenë edhe më aktiv në punën e tyre dhe të tregohen më profesionist. Dua të them se është keqinterpretuar, në qoftë se çdo kush i menaxhon, atëherë kryeministri nuk ka kurrfare pune”, ka deklaruar Veseli Makolli nga AKR-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat