Buka e Kosovës në duart e serbëve

Politika

Buka e Kosovës në duart e serbëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 shtator 2017 Në ora: 15:45
Ramush Haradinaj

Seanca e 24 gushtit për konstituimin e kuvendit, ka vazhduar sot me votimin e kryetarëve dhe nënkryetarëve të kuvendit.

Kryeparalemtar i Kuvendit u zgjodh, Kadri Veseli, gjersa nënkryetarë janë Xhavit Haliti, Kujtim Shala dhe Aida Dërguti.

Veseli arriti t’i sigurojë 62 vota për t’u bërë kryeparlamentar përsëri dhe kjo falë nënshkrimit të koalicionit me AKR-në ditë më parë dhe kësisoj falë votave të Behgjet Pacollit dhe një pjesë të deputetëve të kësaj partie.

Në marrëveshjen  në mes koalicionit PAN dhe AKR-së, tregohet edhe ndarja e ministrive të partive në koalicion.

Ministria e Bujqësisë sipas marrëveshjes i takon AKR-së, mirëpo kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek serbët duke kërkuar këtë ministri dhe dje pas disa orësh takim në mes Listës serbe dhe koalicionit PANA, kjo ministri do t’i takojë Listës serbe.

Një gjë e tillë, ka shkaktuar pakënaqësi tek opinioni i gjerë, përshirë këtu edhe tek deputetët e partive tjera.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fisnik Ismaili, ka thënë se koalicioni PANA, do t’ia jep bujqësinë, atyre që e shkatërruar një herë.

 Këtu ai ka kujtuar vitet 1999, kur ushtria serbe, kishte qëllimin që të vriste bagëtinë e qytetarëve të Kosovës, ose të vidhte dhe shkatërronte sa më shumë traktorë.

“Për ata që kanë harrue edhe ata që kanë qenë të vegjël, ose kanë lindë vonë, për me e dijtë këtë detaj. Kur ka dalë ushtria serbe prej Kosove mbasi u dorëzue në qershor të 1999, e ka pasë një mision të vetëm: me vra sa më shumë bagëti edhe me vjedhë ose shkatërrue sa më shumë traktora të fshatarëve kosovarë. Kjo ka qenë strategji afatgjatë e serbëve me lanë pasoja shumëvjeçare në Kosovë. Mbas vrasjeve e dhunimeve të panumërta, ky ka qenë një prej shkatërrimeve më të mëdha që na kanë bë. Dëmi që e kanë shkaktue sot e kësaj dite nuk është rregullue, 18 vjet ma vonë. Hiç më pak në duert e Blerandit e Memlit. Toka në Kosovë punohet më së paku në rajon, e ka potencial shumë të madh. Prej nesër, këta tipat po dojnë me ia dhanë bujqësinë në dorë atyne që e shkatërruen një here”, kishte shkruar deputeti i VV-së, Fisnik Ismaili, pas lajmit se Ministria e Bujqësisë do t’i takojë Listës serbe.

Këtë vendim, të dëmshëm për bujqësinë e Kosovës, e konsiderojnë edhe njohësit e ekonomisë në vend.

Ata kanë thënë për “Bota sot” se bujqësia është buka e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet ta marrin seriozisht  se në duart e kujt ia lënë këtë sektor.

Analisti, Ilir Fetahu, ka thënë se krijimi i institucioneve në këtë fazë ka degjeneruar.

Sipas Fetahut, Ministria e Bujqësisë është njëri ndër sektorët më të rëndësishëm në Kosovë  dhe për këtë ata duhet ta marrin më seriozisht.

“Krijimi i institucioneve në këtë fazë ka degjeneruar, është një akt që Kosova dhe subjektet politike që janë pjesëmarrës në kuvend, të degëzohen, duke parë parasysh merren me fjalë jo ai jo ky, dhe gjithçka është  degjerenruar. Mendoj se momenti i fundit, Ministria e Bujqësisë do t’i takojë AKR-së dhe në moment se do t’i takojë Listës serbe, nuk është parimore dhe është e dëmshme.  Ministria e Bujqësisë është njëri ndër sektorët më të rëndësishme në Kosovë, në të cilën institucionet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht se në duart e kujt dëshirojnë t’ia lënë”, është shprehur Fetahu për “Bota sot”.

Image
Ilir Fetahu

Fetahu ka pohuar se vendimi për Ministrinë e bujqësisë , është i dëmshëm dhe i pavolitshëm.

“Ministria e Bujqësisë është faktikisht buka e qytetarit të Kosovës, subvencionet të shumta që ipen dhe këto subvencionet mund të keqpërdoren nga Lista serbe, t’ju jepet komuniteteve serbe dhe kjo mund të ketë pasoja afatgjate. Është e dëmshme dhe e pavolitshme që kjo ministri t’i takojë strukturave udhëheqëse jo shqiptare”, ka theksuar Fetahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat