LDK: Koalicioni i sekserëve i varur nga Beogradi, përfaqëson interesat e tre individëve

Politika

LDK: Koalicioni i sekserëve i varur nga Beogradi, përfaqëson interesat e tre individëve

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 18:26
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media, shpreh keqardhje për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku, siç thotë, u konfirmua katërçipërisht se koalicioni që sot e zgjodhi kryetarin e Kuvendit, diktohet plotësisht nga Lista Serbe dhe pazargjinjtë.

“Sot, koalicioni i sekserëve, dëshmoi po ashtu, se përfaqëson vetëm interesat e ngushta të tre individëve, të cilët synojnë të jenë në tri pozitat kryesore të shtetit, duke mos zgjedhur mjete dhe duke mos pasur asnjë konsideratë për të ardhmen e shtetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike thotë të ketë vërejtur se marrëveshjet e koalicionit dhe pazaret e lidhura janë në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën, prandaj, e konsideron shumë të dëmshme që Kosova të qeveriset nga struktura të tilla.

“Lidhja Demokratike u mbetet besnike zotimeve para anëtarësisë dhe qytetarëve se nuk do të bëjë koalicion me ata që e kanë kapur shtetin, me ata që simbolizojnë krimin dhe korrupsionin. LDK do të jetë në koalicion me qytetarët për të kundërshtuar çdo të keqe që i bëhet Kosovës nga një qeverisje pa legjitimitet të shumicës shqiptare”, thuhet në reagim, derisa shton se LDK rithekson përkushtimin që të mobilizohet tërësisht në misionin e shenjtë për çkapjen e shtetit dhe për të mos toleruar që institucionet e Kosovës të dirigjohen nga Serbia.

“Këtë e ka dëshmuar edhe kryeministri, njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili gjatë mandatit të deritashëm në Qeveri, nuk ka pranuar në asnjë moment të dirigjohet nga Lista Serbe, as për krijimin e institucioneve, as për Ligjin e Trepçës, dhe për asnjë çështje të rëndësishme shtetërore, duke i përjashtuar nga kabineti të gjithë ata që nuk kanë punuar në përputhje me ligjet e shtetit. Ndërkaq, koalicioni i sekserëve, edhe kohën e mbajtjes së seancave e cakton me leje të Listës Serbe, të cilës iu dhurua edhe një Ministri shtesë si koncesion i radhës për të krijuar një Qeveri pa legjitimitet qytetar”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas partisë së Isa Mustafës, “kryetari i zgjedhur i Kuvendit vetëm me votën e pozitës, mund të ketë besimin e atyre që e kanë votuar, por LDK e konsideron përgjegjësin kryesor i cili, për motive dhe interesa personale dhe me logjikë konspirative, organizoi rrëzimin e shumicës shqiptare në Kuvend, për të sjellë organin më të lartë legjislativ në varësi të plotë nga Lista Serbe dhe Serbia”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat