Koalicion pa jetëgjatësi, PANA synon të kondrabantojë deputetë nga LA?

Politika

Koalicion pa jetëgjatësi, PANA synon të kondrabantojë deputetë nga LA?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 shtator 2017 Në ora: 13:50
Nënshkrimi i koalicionit PAN-AKR

Funksionimi i brendshëm i koalicionit PANA për shkak të egos së deputetëve të zgjedhur për të kaluar në poste Ministrore mund të rrezikohet. Nëse ndodh një transferim i tillë janë AAK- Nisma dhe AKR që humbin deputet dhe në llogari të tyre fitojnë numra të ri nga radhitja në rang listë PDK dhe LDK.

Ndonëse gazeta “ Bota Sot”  ka provuar të kontaktojë edhe me liderë të këtyre subjekteve politike, megjithatë asnjëri nga ta nuk ka dashur të flas në lidhje me këtë çështje.

Image
Lirim Zorra

Lirim Zorra, ligjërues në Kolegjin e ISPE, duke folur rreth asaj se a do të rrezikohet funksionimi i brendshëm i koalicionit PANA për shkak të egos së deputetëve të zgjedhur për të kaluar në poste Ministrore, ka thënë se që në fillim kanë filluar të shkelën marrëveshjet e arritura brenda koalicionit të ri shembulli PAN-AKR.

Kjo sipas tij, pasi fillimisht iu nda Ministria e Bujqësisë dhe brenda 24 ore ju kalua Listës Serbe.

“Pra kjo dëshmon që koalicioni do të luaj mbi bazë të numrave dhe intrigave të brendshme, ku padyshim përfitues më i madh do të jetë PDK e cila mund të përfitojë deputet të ri  në rast se disa deputet të AAK dhe Nisma-s bëhen ministra atëherë  sipas listave të deputetëve në pritje shumica janë nga PDK. Po ashtu edhe largimi nga AKR-së i Korab Sejdiut dhe  zgjedhja e Behgjet Pacollit ministër mund ta lej AKR vetëm me 2 deputet dhe pastaj partnerët e koalicionit mund të kërkojnë mbas 6 muajve edhe ndërrim të përbërjes së qeverisë me ministra të ri nga PDK dhe AAK”, ka thënë Zorra.

PANA do të synoj të kondrabantojë ndonjë deputet nga LA

Ai ka vlerësuar se si sipas llogaritjeve PAN pa Korab Sejdiun mund ti këtë 63 deputet mirëpo me hyrjen në qeveri të Behgjet Paciollit  mund të bjerë në 62  deputet e cila e rrezikon jashtë zakonisht shumë qeverinë dhe stabilitetin institucional veçanërisht kur dihet se ka udhëtime të deputetëve jashtë shteti  ku  rreziku është që shumë ligje të shtyhen deri sa të jenë së paku 61 deputet te PANA.

“ PANA edhe gjatë kësaj kohe do të synoj të kondrabantojë ndonjë deputet nga LA që të këtë sa më të sigurte qëndrueshmërinë e saj “, ka thënë Zorra.

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se me dorëheqjen e Korab Sejdiut nga AKR-ja dhe kalimit të Behxhet Pacollit në postin e ministrit, koalicioni PANA do të ketë vetëm 62 deputetë. Për krijimin e institucioneve ky koalicion do të ketë vota të mjaftueshme, por funksionimi i saj do të ngelet në mëshirën e Listës Serbe për votimin e ligjeve.

“Nuk besoj që ndonjë deputetit tjetër nga ky koalicion do t'i japin postin e ministrit, sepse automatikisht numri i deputetëve të këtij koalicioni do të zvogëlohej dhe do të rrëzohej Qeveria për shkak të mungesës së shumicës së thjeshtë në Kuvend. Sidoqoftë, problemi qëndron tek Lista Serbe, e cila për votimin e çdo ligji do të kërkojë favore të pafundme. Dorëzimin e parë karshi kësaj liste koalicioni PANA e bëri me dhënien e Ministrisë së Bujqësisë, dikaster shumë i rëndësishëm për zhvillim ekonomik në Kosovë, pasi që subvencionet kjo Listë do t'i drejtojë kryesisht tek bujqit dhe fermerët serbë” është shprehur Krasniqi.

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu ka pohuar se me krijimin e Qeverise Pacolli plus do të ketë orekse të shtuara me të drejtë nga shumë deputet dhe parti politike.

Sipas tij, meqenëse kjo matematikë bën që të ketë më pak deputetë e më shumë ministra kryesorë të shtetit, shumëkujt i lind e drejta të mendojë se psemos ta bëj dhe unë kur Pacolli dhe garda e tij e bëjnë.

“Unë nuk besoj në qëndrueshmërinë e në jetëgjatësinë e koalicionit pasi ai që në ngjizje është imoral, dhe nuk përfaqëson vullnetin e popullit së vullneti i popullit nuk është ekuacion numrash. Populli e ka patur në fletën e votimit partinë e Pacollit nuk ia ka dhënë pushtetin atij, nuk ia ka dhënë votën atij. Atëherë kush e si guxon qe ti japë pushtetin Pacollit në emër të popullit. Nuk besoj se është e moralshme e për pasoje nuk besoj te jete jetëgjatë. Kosova e paorvoi pushtetin me paterica dhe nuk rezultoi efikas ndaj nuk besoj se ai popull do ta toleroje ketë imoralitet”, ka thënë Shahu.

Image
Faton Mehmeti

Mundet LDK të përfitojë si rezultat i AKR-së

Ndryshe analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se duke parë që shumë interesa janë gërshetuar tek pushteti, do të jetë e pamundur që të gjithë të ndahen të kënaqur.

Sipas tij, gjithsesi kjo qeveri që pritet të krijohet nga koalicion PANA, nuk do të ketë jetë gjatësi.

“Ajo çfarë mund të bëjë Ramushi është të shtoj numrin e ministrive, në mënyrë që të ketë sa më pak pakënaqësisë, pasi me këto ministri aktuale është e vështirë që të jenë të kënaqur të gjithë, kështu që do rrezikohet edhe më shumë funksionimi i kësaj qeverisje. Mundet që LDK të përfitojë si rezultat i AKR, me numra deputetësh, pasi ndonjëri do e lëshoj karrigen e deputeti për të marr ndonjë pozitë në qeveri, e kjo do e bënte edhe më të brishtë këtë qeveri, edhe ashtu mjaft fragjile”, ka thënë Mehmeti.

Ai nuk mendon që më shumë se 1 vjet të ketë jetë qeveria me këtë koalcion, është e pamundur.

“Ky do të jetë fundi i PAN, jo vetëm si grupacion por edhe si parti të ndara, ndërkohë që VV dhe LDK do e kenë rastin deri atëherë t’i reduktojnë ndasitë për tu përgatitur që të qeverisin së bashku, pasi deshtën apo jo do i lidh fati dhe interesi i qytetarëve. Ndërkohë që LDK duhet të reformohet thellë, ndryshe rrezikon që të përfundojë si mos më keq. PANA është një lindje e vdekur, por që varrimi do i bëhet pak më vonë”, ka thënë analisti Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat