“Kushtet e Srpska-s ndaj Haradinajt për Ushtrinë dhe Trepçën, do t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës”

Politika

“Kushtet e Srpska-s ndaj Haradinajt për Ushtrinë dhe Trepçën, do t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 11 shtator 2017 Në ora: 23:35
Ramush Haradinaj

Edhe në Qeverinë e kaluar, Lista Serbe ka qenë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës, e njësoj ka qëndrimin edhe në këtë qeveri.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq ka deklaruar se Lista Srpska qartë është obliguar se do të luftojë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Sipas mediave serbe, Lista Srpska tashmë ka bërë hapin e parë dhe ka vepruar ashtu që formimi i Ushtrisë së Kosovës të hiqet nga dokumenti i Qeverisë.

"Haradinaj në këtë moment nuk po e përmend shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri", ka thënë Gjuriq.

Ai ka thënë se Lista Srpska në Qeverinë e Kosovës ka hyrë që të ketë disa koncesione dhe nuk është e rastësishme që nga qëllimet programore të kabinetit Haradinaj është hequr çështja e formimit të Ushtrisë si dhe pronësia e Trepçës.

Image
Nexhat Haziri

Lidhur me këtë, analisti politik Nexhat Haziri, thotë se këto kanë qenë ndër kushtet e SRPSKA-s për ta mbështetutr qeverinë aktuale të Haradinajt, derisa para pak muajsh Serbia kërkonte ekstradim në Serbi të Ramush Haradinajt.

“Mendoj se ky ka qenë edhe kushti i Listës Serpska për ta mbështetur dhe votuar qeverinë e PAN-it, gjegjësisht kryeministrin Haradinaj. Dhe kjo vetë kuptohet pasi nuk mund të ketë diçka më pak, se sa këto kushte për vetë faktin se Serbia para disa muajsh kërkonte ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi si kriminel lufte, në kohën kur ky i fundit u ndal nga autoritet franceze për shkak të një urdhër arresti ndërkombëtar, që përmes Interpolit e kishte lëshuar po ashtu Serbia”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Hazirit, këto kushte të Beogradit përmes Listës Serbe, që Ushtria dhe Trepça të mos jenë në agjendë të qeverisë, do t’i kushtojnë Kosovës në proceset e shtetësisë dhe aspektin e sigurisë.

“Dhe këto janë kushtet qe i ka kërkuar Beogradi zyrtar përmes Listës Srpska, pra që mos të flitet apo mos të jetë në agjendën qeveritare formimi i Ushtrisë së Kosovës dhe që mos të ketë lëvizje të reja mbi pronësinë e Trepçës. Këto kushte të vëna nga Beogradi dhe të pranuara nga Haradinaj, do t’i kushtojnë shumë Kosovës në proceset e forcimit të shtetësisë së saj por edhe në aspektin e sigurisë rajonale, pasi Kosova pa ushtrinë e saj, nuk do te kompletohet si shtet”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat