Rikalo përçan Haradinajn me Listën serbe?

Politika

Rikalo përçan Haradinajn me Listën serbe?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 shtator 2017 Në ora: 08:14
Ramush Haradinaj, Nenad Rikalo

Që nga emërimi si ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo është akuzuar për maltretim të qytetarëve të lagjes Dardani në Prishtinë.

Gjithashtu, të shtunën deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka publikuar dokumente, që dëshmojnë se babai i Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallos, Radosllavi ishte në listën e oficerëve ushtarakë rezervë të organizatës së tretë bazë 'Dardania' në Prishtinë.

Ndërsa për akuzat kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes një deklaratë për media, ku ka thënë se ka kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e Rikalos në këto aktivitete,  por nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla.

Zorra: Qytetarët t’i dorëzojnë dëshmitë në Prokurori

Image
Lirim Zorra

Njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra ka apeluar tek qytetarët, të cilët njohin agresorin serb që të raportojnë tek organet për krimet e ndryshme të luftës.

“Së  pari, çdo kush, i cili  ka pretendime për ndonjë akuzë ndaj ndonjë personi qoftë  për periudhën para 99  apo pas, duhet të ngrit aktakuzë në gjykatat themelore të çdo qyteti  të Kosovës, andaj kjo është këshillë për çdo qytetar, i cili e njeh agresorin serb për krime të ndryshme në periudhën e luftës , ai duhet të raportojë dhe të ngritë aktakuzë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë për “Bota sot” se nëse qytetarët e lagjes ku banonte Rikalo gjatë kohës së luftës, nëse kanë dëshmi, e kanë detyrë të raportojnë në Prokurori.

“Në rast se ka vërtetë dëshmi të besueshme me fakte, të gjithë ish-fqinjët apo edhe banorët e lagjes, e kanë detyrim të raportojnë në Prokurori dhe të japin dëshminë e tyre me fakte dhe data, andaj deri sa nuk ka një dëshmi reale në Prokurori unë nuk mund të komentojë fjalët e rrugëve dhe kafeneve, sepse duhet fakte dhe dëshmi reale që Prokuroria të nisë rastin, ky person edhe në të kaluarën ka pasur pozita  shtetërore në Kosovë, andaj një verifikim besoj ka ndodhur, mirëpo deri sa ka pretendime këta ish-fqinjë të ministrit duhet të shkojnë deri në fund me pretendimet e tyre për të zbardhur këtë rast”, ka thënë Zorra.

Ai ka theksuar se nëse nuk ka dëshmi për krimet që ka mundur t`i kryejë Rikalo, nuk mundet që Haradinaj të shkarkojë atë, pasi që mund të kërkojë  precedent.

“Deri sa nuk ka dëshmi, kryeministri nuk mund ta shkarkojë një ministër, sepse kjo do të krijonte precedent edhe për raste tjera, andaj të gjithë personat të cilët kanë dëshmi dhe fakte duhet t’i tregojnë”, ka thënë Zorra për “Bota sot”.

Kuçi: Pse nuk u zbuluan deri më sot “krimet” e ministrit serb?

Image
Gurakuç Kuçi

Kurse, politologu dhe drejtori në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, Gurakuç Kuçi, ka thënë për “Bota sot” se koalicioni PANA është dashur që të vë kusht për Listën serbe që mos përfshijë në listë persona, të cilët kanë qenë pjesë e regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

“Çdo koalicion edhe më herët, por edhe tani me Listën Serbe është dashur të kishte edhe si kusht që: nuk mund të përfshihet në kabinetin qeveritar asnjë person nga Lista Serbe, i cili është i dyshuar apo është vërtetuar që ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviçit në politikë, ushtri, paramilitar, polici apo ka ushtruar dhunë deri me 1999 ndaj ndonjë komuniteti në Kosovë, gjithashtu çdo njërit që i vërtetohen veprime të tilla shkarkohet nga posti që mban në kabinetin qeveritar. Një kriter i tillë  nuk do e vinte në pozitë të vështirë asnjë qeveri në Kosovë dhe të paktën tani duhet të kihet parasysh për të ardhmen”, ka thënë Kuçi.

Po ashtu, ai ka thënë se Kosova asnjëherë nuk është marrë me verifikimin, selektimin dhe akuzimin e personave, të cilët kanë ushtruar dhunë në çfarëdo mënyre në Kosovë gjatë luftës.

Kuçi ka theksuar se ky veprim tani nuk do e sillte asnjë qeveri para situatave të palakmueshme, dhe që madje edhe KQZ-ja të përdorte si kriter për decertifikim të personave të tillë.

“Pastaj një kriter tjetër, që duhet të jetë më patjetër, e madje të shndërrohet në ligj, që do të vlente për të gjitha komunitetet, që asnjë person nuk mund të qeverisë me vendin apo të jetë pjesë e qeverisë, që nuk e njeh shtetin e Kosovës, bënë veprime kundër shtetit të Kosovës, apo flet kundër shtetit të Kosovës. Sepse duke mos pasur këto çështje të caktuara, sot shteti serb madje bënë veprime edhe të qëllimshme për të imponuar ministra si Rikallo me të kaluar të errët, vetëm e vetëm që të minojë çdo qeveri në Kosovë dhe të përçajë e t’i fus në konflikt mes vete klasën politike në Kosovë deri në pikën që nuk do të jetë asnjë qeveri stabile, duke ia arritur qëllimet të saj për një Kosovë shtet jofunksional”, ka thënë Kuçi

Ndërsa, sa i përket dëshmive për Rikallon, Kuçi ka thënë se e vënë në dilemë se pse nuk po merren me zbulimin e krimeve të ministrit serb.

“Këto dëshmi kundër Rikallos sot neve na vënë para shumë dilemave madje edhe konspirative, se përse askush nuk u mor me zbulimin e krimeve të Rikallos deri më sot, dhe përse u la pikërisht tani, apo dikush po ruan këto çështje që t’i përdorë për interesa politike dhe kundër shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të merret seriozisht me rastin Rikallo, dhe të zbulohet e vërteta deri në fund.

Gjithashtu, ka këshilluar që pozita dhe opozita të kenë kujdes që mos lejohen konflikte dhe përçarje politike.

“Duhet të kihet kujdes nga pozita dhe opozita në Kosovë deri në fund ndaj këtyre çështjeve dhe të mos lejohen konflikte dhe përçarje politike, gjë që instrumentet si Rikallo mund të jenë të qëllimshme nga Serbia, ose ndryshe jemi para një akti edhe më të keq, kur krimet e njerëzve si Rikallo, vetë klasa politike në Kosovë nuk i zbulon deri në momentin kur u nevojiten për qëllimet e tyre për pushtet për të rrëzuar njëri-tjetrin”, ka përfunduar Kuçi.

Problemet e Haradinajt me Listën serbe

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri ka thënë se akuzat ndaj ministrit serb nga ish fqinjët e tij, duhet të merren seriozisht e të zbardhen nga prokuroria dhe të shkarkohet nga Haradinaj.

“Akuzat që po i bëhen nga qytetarët e Prishtinës, ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo për vepra kriminale ndaj fqinjëve të tij shqiptarë në kohën e luftës, duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës, flas këtu nga prokuroria dhe deri në zbardhje të kësaj çështje, kryeministri Haradinaj do të duhet ta shkarkojë ministrin Rikallo”, ka thënë ai.

Për më tepër, Haziri ka thënë se ky shkarkim i Rikallos nuk do të jetë edhe i lehtë pasi që, sipas tij, Haradiaj duhet të përballet me Listën serbe, por  ai do të jetë i detyruar që të veprojë nga Prokuroria.

“Kjo nuk duket të jetë edhe aq e lehtë për kryeministrin Haradinaj, pasi largimi i Rikallos do ta vendoste përballë një mospajtimi nga Lista Srpska, nga e cila është lidhur edhe vetë fati i kësaj qeverie. Por, unë besoj se përballë presionit publik, kryeministri Haradinaj do të jetë i detyruar të veprojë, nëse prokuroria e thotë fjalën e saj, e cila mbështet edhe në deklaratat e qytetarëve për veprimtarinë kriminale të ministrit Rikallo gjatë periudhës së luftës”, ka thënë ai.

Haziri ka theksuar se AKI është nën didaktik e njerëzve të SHIK-ut dhe raportin e këtij institucioni nuk mund të marrim si të bazuar.

“Nuk mund ta marrim si të bazuar edhe raportin e AKI-së për të cilin foli edhe kryeministri Haradinaj që një farë forme i mohoi akuzat e qytetarëve të Prishtinës, pasi ky institucion, pra AKI është nën diktatin e njerëzve të SHIK-ut, dhe natyrisht do të bëjë e do të lëshojë raporte për këdo në bazë të udhëzimeve që i merr nga SHIK-u i Kadri Veselit”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat