“Haradinajt i mungon dija personale, ka vetëm një ministër me profesion të vet në Qeverinë mediokre”

Politika

“Haradinajt i mungon dija personale, ka vetëm një ministër me profesion të vet në Qeverinë mediokre”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 shtator 2017 Në ora: 15:42
Qeveria PANA-Lista serbe

Analisti politik Jeton Kelmendi, duke folur për Qeverinë e re, të krijuar me ndihmën e Listës serbe, ka thënë se ndërkombëtarët, për dallim nga herët e kaluara, ndërtimin e institucioneve të reja, ua kanë lënë në dorë politikanëve tonë.

Kelmendi ka thënë se Qeveria, në krye me Ramush Haradinaj u formua me vështirësi të mëdha, pasi kishte vetëm 61 vota, ndërsa tani numëron vetëm 60.

Image
Jeton Kelmendi

“Nga periudha e pasluftës, misionet ndërkombëtare kanë administruar me Kosovën, por gradualisht tani po i vihet në dorë formimi i institucioneve politikanëve tonë. Kësaj radhe kemi parë krijimin e qeverisë me shumë vështirësi. Në zgjedhjet e kaluara, atë gjashtëmujorin, kur Kosova nuk mund të formonte qeverinë, qeveria erdhi nga presioni nga ambasadat e huaja dhe u bë koalicioni. Kësaj radhe, faktori politik ndërkombëtar, si SHBA, Gjermania, Franca e Italia, vendet e mëdha, që janë sponsorizues të pavarësisë së Kosovës, kemi parë që ua lanë në duar shqiptarëve krijimin e Qeverisë, deri ku po shkojnë këta. Ndodhi ajo që nuk ishte  pritur: doli një tugjar nga Behgjet Pacolli. Për formimin e kësaj qeverie, ai është fajtori, pasi ai nuk u bashkua PAN-it tre muaj më parë, por pas zgjedhjeve. Qeveria u formua me një gazep të madh, sepse u votua me vetëm 61 numra, ndërsa tash ka vetëm 60, pas largimit të Zafir Berishës, pasi tani Behgjet Pacolli ka humbur mandatin e deputetit, në vend të tij do të jetë një deputet i LDK-së. Tash partia e tij ka vetëm dy deputetë”, është shprehur Kelmendi për “Bota sot”.

Ai ka folur edhe për mungesën e urimeve nga ana e shteteve mike për Qeverinë e re, duke thënë se SHBA dhe BE kishin vetëm kritika për punët që e presin atë.

Kelmendi ka parashikuar që brenda këtij viti të shkarkohet Qeveria.

“Kemi parë se Haradinajn nuk e kanë uruar, sepse apetitet e mëdha të tij me çdo kusht për t’u bërë kryeministër, ndërkaq nga ana tjetër gjithçka varet nga votat serbe, ata kur të dojnë mund ta shkarkojnë Haradinajn. Unë besoj se nuk do të shkoj gjatë dhe brenda këtij viti do të shkarkohet kjo qeveri. Në këtë fillim, e pamë se Haradinajn nuk e uruan BE dhe SHBA, por ia kujtonin se ka punë të mëdha. Haradinajn e kam parë si një fëmijë i cili është i varfër, i cili del në shoping dhe është i gëzuar. Ai është gëzuar me një optimizëm të paarsyeshëm se do ta bëjë atë e këtë…”, ka thënë më tej analisti Kelmendi.

Ai ka theksuar se Haradinajt i mungon ekipi i tij profesional, derisa ka përmendur që në kabinetin e tij, ai do të ketë vetëm një ministër me profesion të vet.

“Realiteti është se Haradinajt i mungon ekipi i tij, i mungon në radhë të parë dija e tij personale, një ekip që në përbërje të tij ka gazetarë gjysmë mediokër, ekip shumë e dobët. Vetëm ministri i Forcës së Sigurisë, është ushtarak me profesion, të gjithë ministrat tjerë janë të zanateve të tjera”, ka përfunduar në prononcimin për “Bota sot”, Jeton Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat