Sfida e madhe e Haradinajt, në duar të Listës serbe

Politika

Sfida e madhe e Haradinajt, në duar të Listës serbe

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 shtator 2017 Në ora: 11:31
Ramush Haradinaj

Pas shumë përpjekjeve është formuar edhe qeveria e re e Kosovës. Është prezantuar kabineti qeveritar, por jo edhe programi qeverisës.

Në këtë kuadër ende nuk dihet nëse kjo qeveri e ka në plan formimin e Ushtrisë së Kosovës, ose të ndërmarrë diçka në këtë drejtim.

Ministri i Forcave dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha i kontaktuar nga “Bota sot” nuk ka dashur të komentojë këtë çështje.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do të bëhet me ushtri deri në fund të vitit. Sipas tij, kjo do të bëhet me ndryshime kushtetuese.

“Ushtria pres të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kemi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështesë fuqishëm që të ndodhë. Askush se ka të drejtën e vetos mbi ushtrinë”, ka thënë Thaçi.

Por zyrtarët serbë pas kësaj deklaratë të presidentit Thaçi, kanë reaguar, duke thënë se kjo do të pamundësohet falë Listës Serbe në qeveri. Kështu, Ministri i mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin ka deklaruar se shteti i Serbisë asnjëherë nuk do ta lejojë krijimin e një ushtrie në Kosovë, dhe kjo pamundësohet edhe më shumë me Listën Serbe në qeveri.

“Me ministrat e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, vështirë se do të jetë e mundur formimi i Ushtrisë, ose më mirë thënë e pamundur. Edhe kur nënshkruam marrëveshjen e Brukselit, morrëm garanci nga sekretari i NATO-s që asnjë forcë e armatosur nuk do të jetë në gjendje të kalojë te lumi Ibër, pa pëlqimin e kryetarëve të komunave serbe”, ka thënë Vulin.

Megjithatë mbetet skeptike nëse ushtria do të bëhet brenda këtij viti apo mandatit të kësaj qeverie.

Velija: Vështirë se do formohet ushtria me Listën serbe në Qeveri

Image
Dardan Velija

Zyrtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Dardan Velija, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ndonëse nuk është prezantuar ende plani qeverisës, nuk dihet nëse kjo qeveri e ka ndërmend formimin e ushtrisë.

“Ende nuk e kemi parë programin e Qeverisë dhe nuk e dimë nëse formimi i ushtrisë të jetë pjesë e këtij programi qeverisës. Duke ditur fuqinë që ka Lista Serbe në këtë qeveri, është vështirë të parashikohet që do të ketë krijim të ushtrisë”, ka theksuar Velija.

Islami: Qeveria e sekserëve, jetëshkurtër

Image
Gazmend Islami

Poashtu edhe Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, ka thënë se ushtria e Kosovës nuk mund të formohet nga qeveria e ndërtuar me pazare me serbët. Ai ka thënë më tutje se kjo qeveri nuk e përfaqëson shumicën shqiptare dhe ushtria as që do të diskutohet ndonjëherë.

“Kjo është qeveri sekserësh, qeveri e ndërtuar me pazare me sërbët dhe një parti me 4 deputetë që kokën e kanë kah lindja. Kjo Qeveri nuk përfaqëson shumicën shqiptare në Parlamentin tonë, prandaj është qeveri e dështuar, mendoj se FSK, as që do të diskutohet ndonjëherë me këtë përbërje për t’u shëndërruar në Ushtri të Kosovës, në asnjë variant të mundshëm serbët nuk do të pranojnë që të kemi ushtri. Është për keqardhje që edhe njëherë lakmia për pushtet, bëri që qeveria e Kosovës të jetë e ndërtuar me minoritetet e shumica shqiptare në opozitë. Kjo qeveri do ta ketë jetën e shkurt”, ka thënë Islami për “Bota sot”.

Tërnava: Qeveria s’e përmendi asnjëherë formimin e ushtrisë

Image
Hajrullah Tërnava

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka theksuar se në një qeveri të ndërtuar edhe nga Lista Serbe dhe me një numër të vogël deputetësh, është e vështirë të bëhet formimi i ushtrisë.

“Disa herë kemi folë për këtë temë dhe prapë deri në formimin e saj po kam dronë se mos duhet edhe shumë intervista tjera me i dhënë lidhur me këtë tëmë. Tani formimi i ushtrisë është bërë temë politike, sepse ne edhe deri më tani kemi pas Ministri të FSK-së dhe Qeveri. Kjo qeveri në mënyrën se si është formuar me këtë numër të vogël të deputetëve gjithsejt 61, ku është e përfshirë Lista serbe, me kompetenca dhe me ministri prej tre ministrave, që deri më tani asnjëherë nuk ka pasur këto kompetenca në asnjë Qeveri deri më tani. Kryetari i Serbisë u deklarua tani se Lista serbe kur të don mundet me e prishë koalicionin”, është shprehur ai.

Sipas ekspertit Tërnava, prej formimit të Qeverisë e deri më tani asnjëherë nuk u përmend formimi i ushtrisë.

“Kur e shohim tani mënyrën e formimit të kësaj Qeverie,  gjithkush mund të jetë skeptik në formimin e ushtrisë në këto rrethana, kur qartë po shihet se asnjëherë nuk kemi pasur një Qeveri me 20 parti që marrin pjesë në numra të kësaj qeverisje dhe të tëra këto mezi i bënë 61 vota për themelimin e saj. Tani është e kuptueshme se formimi i ushtrisë është tepër sfiduese mbasi tani bash Lista serbe ka kompetenca të mëdha në këtë qeverisje. Mendoj se edhe për këtë çështje të formimit të ushtrisë megjithatë gjithnjë ekzistojnë mundësitë e krijimit të saj, sepse ata që na kanë ndihmuar me u çliruar, do të na ndihmojnë dhe udhëzojnë si me e formuar atë, edhe formimi i ushtrisë do të jetë kushtëzim për Serbinë e gjithsesi ky shtet duhet ta njoh edhe pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat