Kauza e rrejshme e Ramush Haradinajt për Demarkacionin

Politika

Kauza e rrejshme e Ramush Haradinajt për Demarkacionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 shtator 2017 Në ora: 11:19
Ramush Haradinaj

Protesta të dhunshme, debate e gaz lotsjellës, bojkotim të seancave parlamentare dhe zvarritje të shumë çështjeve të tjera kanë shkaktuar dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të njohura si demarkacioni dhe asociacioni i komunave serbe.

Të dyja marrëveshje mbesin të pa zgjidhura, përkundër që tashmë janë bërë dy vite që nga nënshkrimi i tyre.

Që nga formimi i qeverisë së re, vendimi i parë i Haradinajt ka qenë shkarkimi i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Haradinaj ka qenë kundërshtari më i madh i punës së Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi, për shkak të gabimeve që ka bërë ky komision, me matjen e territorit të vendit.

Kurse, gjatë kohës sa ka qenë në opozitë kishte paralajmëruar “dhimbje” për Kosovën, për shkak që siç thoshte ai, pushteti është i vendosur të vazhdojë në implementimin e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.

Çka kishte deklaruar Haradinaj për Demarkacionin?

Këtë ai e ka quajtur edhe kërcënim politik dhe paralajmëronte protesta të vazhdueshme kundër këtyre marrëveshjeve.

“Një farë dhimbje me gjasë do të na ndodhë deri në anulim të marrëveshjeve nga këta që janë në pushtet. Është një kërcënim. Është një kërcënim politik, një kërcënim moral, ligjor, qytetar.  Për këtë temë të kufirit nuk mund të më bindë dikush që është ndryshe” ishte shprehur Haradinaj në media, para se të bëhej Kryeministër.

Haradinaj vazhdonte duke thënë se nuk ka ekspertë në botë që do t’ia ndryshojë qëndrimin dhe se qytetarët nuk do të lejojnë copëtimin e Kosovës.

Përkundër se tani ende nuk është marrë ndonjë vendim rreth kësaj çështje, analistët politikë kanë thënë se kjo marrëveshje tashmë është ratifikuar nga kuvendi i Malit të Zi në versionin e kaluar, prandaj kjo çështje është mbyllur.

Kajtazi: Kauzat e rrejshme rrezikojnë vendin

Image
Lirie Kajtazi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirie Kajtazi ka komentuar për “Bota sot”, deklaratën e kryeministrit Haradinaj lidhur me demarkacionin, të cilin e ka akuzuar për kauza të rrejshme patriotike më të cilat po e rrezikojnë vendin.

“E keqja për vendin nuk është se ai i han fjalët e veta, e keqja për vendin dhe qytetaret e saj është se kauzat e rrejshme të "patrioteve" të Kosovës po rrezikojnë vendin dhe po hajn të ardhmen e qytetareve të saj”, ka thënë ajo.

Sipas Kajtazit këto deklarata Haradinaj dhe zyrtarët e tjerë po i bëjnë për të qëndruar në pushtet. “Deklarimet e tij dhe ca të tjerëve janë vetëm sa për tu kacavjerrë në pushtet dhe ruajtja e fqinjësisë dhe partneritetit me NATO është strategjike për vendin”, ka thënë Kajtazi.

Rikthimi i marrëveshjes, çështje e vështirë

Image
Ejup Gojnovci

Ejup Gojnovci, analist politik ka thënë për “Bota sot” se puna e Haradinajt duhet të shkohet në vend dhe demarkimi të bëhet ashtu si e kanë vlerësuar profesionistët.

Sipas Gojnovcit, do të jetë një detyrë e vështirë e qeverisë që ta menaxhojë situatën e demarkimit.

“Secili Kryeministër, apo zyrtar i lartë i shtetit i cili respekton kushtetutën e vendit, për mbrojtjen e integritetit, sovranitetit, territorial të Kosovës e bënë punën që është i thirrur për këtë punë. Edhe puna e z.Haradinajt shpresoj se të shkohet në vend, në kuptimin që edhe demarkacioni që ka qenë duhet të kthehet në pikën ku ka qenë, të paktën ashtu siç e kanë vlerësuar profesionistët, ata e kanë vlerësuar si duhet. Z.Haradinaj e bëri një lëvizje duke shkarkuar ish- Komisionin edhe pse i njëjti nuk kishte më afat ligjor të funksionimit, gjithsesi për mendimin tim do të jetë një detyrë e vështirë e qeverisë së Kosovës që ta menaxhojë mirë situatën e demarkimit me Malin e Zi për shkak se Mali i Zi vetëm e ka ratifikuar marrëveshjen e kaluar në kuvendin e tyre”,  ka pohuar Gojnovci.

Sipas tij, Haradinaj duhet të dëshmojë veten që me të vërtetë ka pasur të drejtë, atëherë kur bashkë me pjesën tjetër të asaj kohe sa ishte në opozitë dëshmonte për demarkacionin.

“Dhe tani, është në pjesën e Kosovës, se cila do të jetë detyra e radhës nuk e di. Por,  gjithsesi detyra Haradinaj duhet t’i përshtatet rrethit,  komisionit si e ka bërë punën komisoni i kaluar duhet ta dëshmojë vetën që  me të vërtetë kishte të drejtë kur bashkë me pjesën tjetër të asaj kohe kur ishte në opozitë dëshmonte për çështjen e demarkacionit. Jo vetëm z. Haradinaj, por kushdo qoftë ka për obligim ta zbatojë kushtetutën dhe integritetin e Kosovës”, ka theksuar Gojnovci.

Mehmeti: Çështja e Demarkacionit e mbyllur

Sikurse Gojnovci, njëjtë ka pohuar edhe analisti Faton Mehmeti, i cili thotë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi, tashmë është e mbyllur.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, Haradinaj ka përdorur demarkacionin për të fituar vota.

“Ramushi është tallur me të gjithë kur thoshte se do e rikthejë  kufirin në Çakorr, si duket këtë nuk e kanë kuptuar askush. Nëse vërtet Ramushi mendon se do e rikthejë kufirin prapë në Çakorr mendoj se ka probleme me realitin, pasi çështja e kufirit me Malin e Zi është çështje e mbyllur. Ramushi këtë e ka përdorur për vota, për ta rrëzuar qeverinë  Mustafa dhe deri këtu arriti qëllimin. Tani që  është  në qeveri, kjo nuk ndryshon aspak prej realitetin” ka theksuar Mehmeti.

Mehmeti ka shtuar se kjo çështje është e mbyllur dhe e vetmja gjë që mund të bëjë Haradinaj është ta dërgojë në arbitrazh dhe kështu vetëm se do ta vonojë më shumë liberalizimin e vizave.

“ Kushdo që të jetë në krye të qeverisë, kufiri me Malin e Zi është çështje e përmbyllur njëherë e përgjithmonë  dhe e vetmja çfarë mund të bëjë  Ramushi është që duke dërguar në arbitrazh vetëm sa do e vonojë edhe më shumë liberalizimin e vizave. Kosova vërtet ka mundur dhe mbase ka humbur territor me Malin e Zi.  Por,  për këtë nuk  është fjalor  Mali i zi,  por vetja jonë, njerëzit si Hashimi që nënshkruajnë në Bruksel pa e lexuar fare letrën. Kosovës i ka sjellë shumë dëme të mëdha Hashimi, bëmat e tija do i vuajmë edhe pas 50 vitesh. Ramushi do të bëhet qesharak nëse pretendon se do e rikthejë  kufirin në Çakorr, pranimi i realitetin është hapi i parë  për të ecur me tutje, ndryshe rrezikojmë  të stagnojmë  në  vend si shoqëri dhe si shtet” ka përfunduar Mehmeti.

Historiku i marrëveshjes

Marrëveshja për Kufirin shtetëror me Malin e Zi është nënshkruar në Vjenë nga pala e Kosovës, ish- zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ish- ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Ish- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, tashmë President Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes përsëriti se marrëveshja është në "përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat