Garë e ashpër mes LDK-së dhe Vetëvendosjes në Diasporë

Politika

Garë e ashpër mes LDK-së dhe Vetëvendosjes në Diasporë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 tetor 2017 Në ora: 14:23
Lëvizja Vetëvendosje

Kosova që nga 21 shtatori ka hyrë zyrtarisht në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 22 tetorit. Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar për zgjedhjet komunale të 22 tetorit 91 subjekte politike, nga të cilat 35 parti politike, një koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur, dhe 7080 kandidatë për asamble.

Një rol mjaft të rëndësishëm në zgjedhje luajnë edhe qytetarët jashtë Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se një numër i madh i personave kanë aplikuar. Periudha e aplikimit për regjistrim është mbyllur me 23 gusht, ndërsa sipas raportimeve të KQZ-së, ata gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 12 mijë aplikacione për regjistrim.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, mërgata ka pasur mjaft rëndësi në rezultatin zgjedhor, kësisoj sipas votave të tyre fitues ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.

LVV partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare

Nga votat e numëruara të diasporës, në zgjedhjet e 11 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje(VV), ka rezultuar të jetë partia më e votuar.

Nga 3841 vota, partia e Ymerit ka fituar 2730, e kthyer në përqindje i bie 71 për qind. Ndërsa koalicioni LDK – AKR – Alternativa (LAA), ka marrë 601 vota, respektivisht 16 për qind, dhe në fund ka mbetur koalicioni PDK – AAK dhe Nisma (PAN), ka fituar 510 vota, që nënkupton 13 për qind të votave.

Duke parë  votimin e votuesve jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare, Vetëvendosje është duke pritur një rezultat të njëjtë edhe në zgjedhjet lokale, Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se kanë qenë të angazhuar gjatë verës me bashkatdhetarët, ndërsa AAK-ja pranon shifrat e votimeve në zgjedhjet e 11 qershorit.

Image
Adnan Rrustemi

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Bota sot” se pjesëmarrja e mërgatës është e rëndësishme për vendin dhe kjo është dëshmuar edhe ne zgjedhjet e 11 qershorit.

Sipas Rrustemit, përkundër vështirësive për votim, bashkatdhetarët kanë pasur vullnet për t’u angazhuar në jetën qytetare dhe politike të vendit.

“Pjesëmarrja e mërgatës në zgjedhjet është edhe e nevojshme edhe e rëndësishme për vendin tonë. Kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 qershorit, sado që vështirësive për të votuar. Lidhja e bashkatdhetarëve tanë me vendlindjen është ngushtë. Me një kontribut të madh ekonomikë e politikë si në të kaluarën, ashtu edhe tani, por veçmas me një gatishmëri dhe vullnet legjitim për t’u angazhuar në jetën qytetare dhe politike të vendit. Vullnet ky, që asnjëherë nuk gjeti përkrahjen dhe vëmendjen e duhur nga institucionet përgjegjëse. Bashkatdhetarët duhet të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjen e organeve lokale dhe kështu të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e politikave dhe qeverisjes lokale”, ka pohuar Rrustemi.

Rrustemi: Fitorja e 11 qershorit të zgjerohet e fuqizohet edhe më shumë më 22 tetor

Sipas tij, mbështetja e mërgatës më 11 qershor tregon se edhe ata duan një qeverisje të drejtë, zhvillimore, luftim të korrupsionit dhe sundim të ligjit.

Rrustemi shton se Vetëvendosja do të ketë mbështetjen më të madhe dhe më të fuqizuar në zgjedhjet e 22 tetorit nga mërgata.

“Roli i mërgatës gjithnjë ka qenë më shumë për vendlindjen se sa për veten e tyre, duke bërë që përkrahja e votuesve të mërgatës është zakonisht për konceptin politik që Kosovës i mundëson qeverisje të drejtë, zhvillimore, luftim të korrupsionin, si dhe sundim të shtetit të së drejtës. Mbi këtë bazë, mbështetja e mërgatës për Lëvizjen Vetëvendosje ishte e madhe më 11 qershor, sado numrit të vogël të votuesve që arritën që të votojnë. Dhe mbi bazën e njëjtë, por edhe duke pasur parasysh programet lokale dhe kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, konsideroj që mbështetja e votuesve nga mërgata do të jetë e madhe, duke bërë që fitorja e 11 qershorit të zgjerohet e fuqizohet edhe më shumë më 22 tetor”, ka theksuar Rrustemi.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka treguar se kanë pasur takime me strukura organizative në diasporë.

Image
Florian Dushi

LDK e mobilizuar në Diasporë

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Florian Dushi, ka thënë për “Bota sot” se partia e tyre gjatë verës kanë pasur takime me bashkatdhetarët dhe janë pajtuar që të merren edhe më shumë për procesin e votimit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë muajve të verës ka takuar strukturat e saj organizative në diasporë. Gjatë këtyre takimeve degët tona në diasporë janë pajtuar që të merren akoma më shumë me organizimin e procesit të votimit të bashkatdhetarëve tonë”, ka pohuar Dushi.

Në bazë të shifrave të votimit në diasporë në zgjedhjet parlamentare, koalicioni PDK- AAK- NISMA (PAN), ka fituar 510 vota, që nënkupton 13 për qind të votave të përgjithshme.

Image
Jahja Lluka

Mirëpo, këto shifra i konsideron të pa sakta AAK-ja.

Anëtari i Kryesisë së selisë qendrore të AAK-së në Prishtinë, Jahja Lluka, ka konsideruar jo të saktë përqindjen e votimit, mirëpo ai shton se tani janë mobilizuar që të votojnë mërgimtarët, pavarësisht pengesave të ligjit

“Nuk mund të jetë e saktë shifra që po e thuni ju pas shumë anëtarë të diasporës kanë ardhur në mënyrë të organizuar për të votuar në atdhe edhe tani jemi mobilizuar që ata të votojnë me gjithë pengesat që iu bënë ligji aktual për zgjedhjet”, ka nënvizuar Lluka.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Më 22 tetor rezultatet do të jenë tjetra

Ndërsa, analistët politikë vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve lokale do të jetë ndryshe nga ai i zgjedhjeve parlamentare të fundit.

Analisti politik, Skender Zogaj, ka thënë për “Bota sot” se zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur në një kohë krize të thellë, prandaj vendimi i elektoratit ka qenë dëmtues i partive kryesore dhe shpërblyes për Vetëvendosjen.

“Zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur në një kohë krize të thellë politike dhe të depresionit të lartë të shoqërisë civile, brenda së cilës pakënaqësitë ishin në kulmin e dëshprimit, prandaj, vendimi i elektoratit ka qenë dëmues i partive kryesore dhe shpërblyes për Vetëvendosjen, që është votuar me pezmin e nuses që për inat të vjehrrës shkon te mullixhiu! Diaspora këtë supë e ka pi të nxehtë pa e gjykuar mirë veprimin e saj investues në Kosovë! Mirëpo, zgjedhjet lokale besoj se do të jenë ndryshe, sepse elektorati ka marrë mësim nga pësimet që ia ka shkaktuar vetes me votimin jo racional, që e ka thelluar krizën jo vetëm politike por edhe shtetërore!” ka deklaruar Zogaj.

Sipas tij,  në zgjedhje lokale do të ketë rezultate tjera dhe diaspora do të lirohet nga qëllimet e ngushta partiake.

“Prandaj, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të kemi rezultate tjera, shumë më të bazuara në raport me synimet qeverisëse nëpër komuna, ku roli i kryetarëve është vendimtar për mënyrën e funksionimit dhe suksesin qeverisës! Nga kjo pikëpamje qytetarët e kanë më lehtë të gjykojnë drejtë, sepse i kanë më mirë të njohur cilësitë e kandidatëve dhe, vlerësimin do ta kenë shumë më objektiv, që të mbrojnë interesin e vet. Këtë rezomin besoj se do ta shpreh edhe diaspora, që duhet të lirohet nga qëllimet e ngushta partiake dhe të jetë më e vetëdijshme për të qenë në lrahun e interesave te bashkëqytetarëve të tyre në vendlindje!”, ka përfunduar Zogaj.

Fletëvotimet e mërgatës duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 20 tetor 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat