Haradinaj mbetet pa përkrahjen e Thaçit për Demarkacionin

Politika

Haradinaj mbetet pa përkrahjen e Thaçit për Demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 tetor 2017 Në ora: 10:50
Haradinaj, Thaçi

U nënshkrua në gusht të vitit 2015, por marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi po vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur dhe mjaft aktuale në vend.

Ramush Haradinaj, kryeministër aktual ka premtuar se do ta zgjidhë shumë shpejt këtë çështje, për çka edhe ka formuar komisioni i ri për matjen e kufirit.

Në anën tjetër, ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë televizive tha se SHBA-të kanë kërkuar që demarkacioni të zgjidhet sa më shpejt.

“Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon që Kosova ta përmbyll sa më shpejt çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo tani më që është nënshkruar në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe është ratifikuar nga Mali i Zi. Për SHBA-të kjo çështje është e përmbyllur dhe kërkojnë prej neve, prej parlamentit të Kosovës që ta përmbyllim sa më shpejt në mënyrë që të lëvizim drejt progresit europian në veçanti drejt liberalizimit të vizave”, ka thënë Thaçi.

Lidhur me zgjidhjen e kësaj çështje dhe koordinimin që ka presidenca dhe kryeministria, në përgjigjen e kryeministrisë thuhet se të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces janë për një zgjidhje të shpejt.

“Qëndrimet e Presidentit dhe të Kryeministrit rreth demarkacionit janë publike dhe të gjitha institucionet e përfshira në proces janë për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje. Qeveria Haradinaj pret gjetjet e Komisionit të ri shtetëror dhe pastaj do të përcaktohen hapat tjerë që duhet ndërmarrë si shtet”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.

VV për zgjidhje të përbashkët me Malin e zi

Image
Shqipe Pantina

Kurse, deputetja Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot”,  se janë kundër marrëveshjes, pasi Kosova humb territor. Ajo ka shtuar se janë për një zgjidhje me Malin e Zi.

“Natyrisht se ne gjithmonë kemi qenë të interesuar për zgjedhjen e çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por edhe me Serbinë që ende nuk e kemi të përcaktuar. Problem që ne e kemi ngritur në vazhdimësi ka qenë me marrëveshjen të cilën e ka nënshkruar Thaçi dhe Hyseni, sepse në bazë të asaj marrëveshje Kosova humb territor. Ne jemi që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet dhe të dy palët të jenë të kënaqura, në mënyrë që në asnjërën palë të mos cenohet territori”, është shprehur ajo.

Pantina ka thënë se Haradinaj veprimin e parë për këtë çështje e ka bërë duke emëruar komisionin e ri, por që ende nuk kanë parë asgjë nga ky komision, nëse ka filluar me punën apo jo.

“Kryeministri aktual Haradinaj ka premtuar dinamizëm për zgjedhjen e kësaj çështje. Deri më tani veprimi i tij ka qenë themelimi i Komisionit të ri, por ne ende nuk kemi parë diçka konkrete nga ky komision, nëse ata kanë filluar punën apo jo, nëse kanë paraqitur një draft-marrëveshje të re, e cila do të mund të negociojë sërish me Malin e Zi”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Sa i përket një zgjidhje të mundshme, Pantina thotë se duhet që qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi të ulen në tavolinë dhe të bisedojnë, derisa shton se pavarësisht kush e kërkon votimin e marrëveshjes aktuale, ata janë kundër.

“Ne këtë version të demarkacionit nuk e mbështesim, pa marrë parasysh kush e kërkon sepse në këtë vend jemi të thirrur për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit por dhe jemi për të ruajtur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë këtu edhe Malin e Zi, prandaj dhe çështjet duhet të zgjidhen në tavolinë dhe kjo qeveri, kjo e Kosovës dhe e Malit të Zi duhet të ulen për ta gjetur një zgjidhje. Qeveria jonë, kryeministri Haradinaj ka premtuar se do ta zgjidhë këtë çështje dhe më nuk do të humb territor. Ne jemi në pritje të një versioni të tij se çka do të bëjë ai. I takon qeverisë që të gjejë zgjidhje për këtë çështje. Ajo çka unë ritheksoj është se ne nuk do të mbështesim marrëveshjen aktuale apo çfarëdo versioni tjetër, sipas të cilit Kosova do të humbte territor”, ka thënë Shqipe Pantina për gazetën “Bota sot”.

Hoti: Demarkacioni do të zgjidhet shpejt

Image
Enver Hoti

Ndërsa, deputeti i Nismës për Kosovë, Enver Hoti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se ratifikimi i demarkacionit do të bëhet shpejt.

“Demarkacioni do të zgjidhet ashtu siç kemi thënë dhe jam i bindur se do të jetë  ashtu siç është në interes të vendit. Është parë puna e gabuar e Komisionit që ka qenë dhe ne do t’i japim rëndësi reale kësaj pune. Nuk lidhet me kohë por kjo çështje do të zgjidhet në afate sa më të shkurtra dhe me zgjedhje në interes të vendit. Ratifikimi duhet të ndodhë dhe do të ndodhë”, ka deklaruar ai.

Sipas njohësit të zhvillimeve aktuale në vend, Skender Zogaj marrëveshja e demarkacionit ka qenë qysh në fillim e gabuar, në mënyrën se si është bërë.

“Çështja e demarkacionit është problem i sajuar nga mënyra e gabuar e bërjes së marrëveshjes me Malin e Zi, që është dashur të bëhet me një transparencë më të plotë dhe gjithnjë me pjesëmarrjen aktive të Parlamentit të Kosovës, për të gjitha zhvillimet dhe mënyrën e caktimit të vijës kufitare, që do ta normalizonte pa asnjë vërejtje edhe ratifikimi i Demarkacionit. Kjo nuk ka ndodhur dhe kjo është arsyeja e shpërthimit të problemit, që ka ardhur si “kofini pas të vjelave”, duke qenë se është shfaqur kur Marrëveshjen me Malin e Zi e kishin nënshkruar institucionet e Kosovës dhe Mali i Zi e kishte ratifikuar. Pas kësaj pritej që edhe Kosova ta kryente punën e saj, por ndodhi reagimi i opozitës që ngulte këmbë për humbjen e 8000 ha toke”, shprehet ai.

Zogaj kërkon tërheqjen e Haradinajt

Image
Skender Zogaj

Më tej, Zogaj tregon pse u bë kusht kryesor për vizat dhe se si duhet të veprohet.

“Presidentja e atëhershme, Jahjaga, kërkoi një komision ndërkombëtar, i cili nuk gjeti shkelje. Kështu deklaruan edhe zyrat diplomatike ndërkombëtare, dhe prerazi që Kosova ta aprovonte sa më shpejt. Mirëpo, kjo nuk ndodhi dhe prandaj bashkësia ndërkombëtare Demarkacionin e bëri kusht për liberalizimin e vizave. Ky është edhe qëndrim i SHBA-ve që, prapë këto ditë e tha prerazi: Demarkacioni është çështje e mbyllur që Kosova duhet të zgjidhe sa më shpejt. Këtë kërkesë e ka publikuar edhe Presidenti Hashim Thaçi, dhe tashmë edhe zogjtë e malit po e shohin se gjithçka është e përfunduar. Nëse duam të ecim përpara duhet ratifikuar demarkacionin, nëse jo, vazhdojmë të numërojmë yjet!” ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Analisti jep një ide për zgjidhjen e problemit të Demarkacionit, se si duhet të veprojë kryeministri.

“Qeveria e ka fjalën dhe duhet të veprojë, paralelisht se çka thotë opozita, në fakt çka thotë Vetëvendosja, sepse, LDK-ja e ka thënë fjalën e saj dhe, ashtu siç e ka thënë ajo po thotë edhe i gjithë faktori ndërkombëtar. Sipas meje çështja është shumë e thjeshtë: Qeveria duhet të pranojë marrëveshjen e nënshkruar dhe t'ia ofrojë Parlamentit. Në Parlament kryeministri duhet të thotë shkurt: Po tërhiqem nga ajo që kam thënë për demarkacionin. sepse, na duhet liberalizimi i vizave dhe disa veprime të tjera tepër të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës. Si kryeministër i vendit nuk më lejohet të vazhdoj të mendoj si kur kam qenë opozitar. Interesi i vendit dhe i popullit tim është vlera sovrane së cilës i nënshtrohem dhe, ju lus ta votojmë Demarkacionin. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër të mundshme. Kjo besoj se është mundësia që kjo çeshite të zgjidhet”, ka deklaruar ai.

Haziri: Nuk mund të ketë marrëveshje të re

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, analisti Nexhat Haziri mendon se nuk mund të ketë një marrëveshje të re për Demarkacionin, derisa aktualja përkrahet nga Mali i Zi, BE dhe SHBA, derisa shton se deklaratat nga qeveria Haradinaj bëhen vetëm për konsum të brendshëm.

“Derisa Mali i zi këmbëngulë se nuk negocion më për vijën kufitare që ka dalë nga marrëveshja për ratifikim në mes Prishtinës dhe Podgoricës, dhe kjo marrëveshje përkrahet nga Ëashingtoni dhe Brukseli, nuk shoh mundësi për negocim të ndonjë marrëveshje të re. Çfarëdo deklaratash që vijnë nga Qeveria Haradinaj për mundësinë e ndryshimit të këtij procesi, është vetëm për konsum të brendshëm politik, por edhe një humbje kohe për Kosovën në ngecjen drejt progresit evropian, siç është hapi i parë, liberalizimi i vizave që do ua mundësonte edhe qytetarëve tanë lëvizjen e lirë nëpër Evropë”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Gazeta nuk ka arritur të marr përgjigje nga Presidenca lidhur me këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat