Anëtari i PDK-së konfirmon largimet dhe “godet” Lladrovcin: Veç nëse vjedhin i madh e i vogël se nuk e fiton Drenasin

Politika

Anëtari i PDK-së konfirmon largimet dhe “godet” Lladrovcin: Veç nëse vjedhin i madh e i vogël se nuk e fiton Drenasin

Nga: A.ZH Më: 13 tetor 2017 Në ora: 14:15
PDK në Drenas

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit Naim Bazaj, ka konfirmuar largimet nga kjo parti në këtë komunë. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka konfirmuar se largimet janë duke u bërë për shkak të prezencës së Ramiz Lladrovci, i cili është në garë për të fituar një mandat të dytë.

Por, sipas Bazajt, Lladrovci do të dal humbës nga këto zgjedhje, pasi siç ka thënë ai, kryetari i tanishëm i Drenasit, nuk e ka përkrahjen e 60 përqind të anëtarëve të kryesisë së kësaj partie.

Image
Naim Bazaj

Ndërkaq, i pyetur për zërat se edhe ai vet ka aderuar te Nisma për Kosovën, Bazaj ka mohuar një gjë të tillë.

“Lëvizjet e disa aktivistëve të PDK-së që për çdo ditë po largohen nga kjo parti, po ndodhin për shkak të ardhjes së tij si kryetar se ky është njeri shantazhues, përçarës kryesor. Ai nuk ka shans të marr Drenasin kësaj radhe… krejt shteti i Kosovës, le të qohet në këmbë se nuk do ta fitojë. Nisma është duke u fuqizuar shumë në Drenas. Unë ende jam anëtar i PDK-së, ende jam në kryesi, por nuk shkoj në mbledhje për shkak të prezencës së Lladrovcit. Janë diku 60 përqind e anëtarëve të kryesisë që nuk do ta votojnë. Edhe ata që i ka kandiduar për asambleistë, shumica prej tyre nuk e përkrahin Ramiz Lladrovcin. PDK nga ky moment le ta din se e ka humbur Drenasin për shkak të Ramiz Lladrovcit. Unë jam në PDK, por e mbështes kandidatin e Nismës, Isa Xhemajlajn”, ka thënë Naim Bazaj.

Ai tutje ka hedhur akuza ndaj Lladrovcit, duke thënë se po bën premtime marramendëse, të cilat nuk do t’i realizojë, njësoj sikurse mandatin e kaluar. Për këtë arsye, sipas Bazajt, Lladrovci mund të fitojë vetëm nëse “qohen i madh e i vogël me i ble e me i vjedh votat”.

“Ramiz Lladrovci, i cili po pretendon të marr komunën e Drenasit, po bën premtime marramendëse, që nuk ka shanc me i realizu, sepse nuk i ka realizuar as ato projekte që i ka premtuar më herët. Nuk është meritë e Lladrovcit, por është meritë e Kuvendit, deri më tani që e ka pasur këtë mandate, është vazhdimësi e punës edhe të Demakut deri më tani, ai ende nuk e projektuar buxhetin për vitin e ardhshëm për mandatin që po pretendon me marr, por nuk do t’ia mbërrijë ymri me marr atë pushtet. Vetëm nëse qohen i madh e i vogël me i ble e me i vjedh votat, se nuk ka shans me marrë vota në Drenas”, është shprehur Bazaj.

Ai poashtu ka akuzuar Lladrovcin, për vizitat jashtë vendit, për të cilat ka thënë se i ka pasur të rrejshme, pasi është takuar me bashkëfshatarë të tij, e jo me investitorë.

Naim Bazaj ka treguar se si i pari Drenasit, ia kishte prishur punët me një investitor 20 milionësh nga Zvicra.

“Ato vizita që i ka bërë, që po i përmend nëpër debate, ku thotë se ka qenë në Turqi për t’u takuar me kryetarin, pastaj vizita e tij në Grac, që po flitet, ku thotë se ka qenë atje dhe është takuar me disa student… nuk është e vërtetë hiq, ai i ka takuar disa bashkëfshatarë tonë, dhe për këtë arsye ai mundet të thotë se ka ftuar bizneset me ardh me investu në Drenas. Ai investitorin më të fuqishëm ma ka larguar për shkak se ka qenë në atë kohë Nexhat Demaku në krye, ma ka heq investitorin 20 milionë euro, kompaninë zvicerane Krom Kosovo”, ka thënë ai.

Bazaj në prononcimin për “Bota sot”, ka treguar poashtu se si Lladrovci në vitin 1999 kishte frikësuar qytetarët e fshatit Gllanasellë, përmes mjeteve që kishte sjellur nga diaspora.

Ai ka mohuar akuzat se ka bërë shpenzime, si kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit.

“Ka thënë që i ka ndalë disa shpenzime të kryesuesit, por nuk është e vërtetë kjo. Ky së pari në 1999 kur ka ardh në Kosovë, ato makina që i ka sjellë, me to e ka tmerruar krejt Gllanasellën dhe kanë ik qytetarët deri në Gradicë, kanë menduar që kanë ardhur prapë tenkat e serbëve në Gllanasellë”, ka shtuar Naim Bazaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat