Paralajmërohen ditë të rënda për PDK-në

Politika

Paralajmërohen ditë të rënda për PDK-në

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 tetor 2017 Në ora: 11:22
Kadri Veseli, duke mbajtur fjalim në një tubim të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës, ditëve të fundit, ka qenë temë debati, pasi ajo është braktisur nga anëtarë të shumtë të saj.

Largimet më së shumti janë duke u bërë në komunën e Drenasit, e cila njihet si bastion i PDK-së. Atje me dhjetëra anëtarë dhe aktivistë, kanë braktisur PDK-në në prag të zgjedhjeve lokale, për t’iu bashkuar në Nismës për Kosovën, e cila po fuqizohet në këtë komunë.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet anëtari i PDK-së dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal në Drenas Naim Bazaj. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka konfirmuar se largimet janë duke u bërë për shkak të prezencës së Ramiz Lladrovci, i cili është në garë për të fituar një mandat të dytë.

Bazaj: Largimet nga PDK-ja, për shkak të Lladrovcit

Image
Naim Bazaj

Por, sipas Bazajt, Lladrovci do të dalë humbës nga këto zgjedhje, pasi siç ka thënë ai, kryetari i tanishëm i Drenasit, nuk e ka përkrahjen e 60 përqind të anëtarëve të kryesisë së kësaj partie.

Ndërkaq, i pyetur për zërat se edhe ai vet ka aderuar te Nisma për Kosovën, Bazaj ka mohuar një gjë të tillë.

“Lëvizjet e disa aktivistëve të PDK-së që për çdo ditë po largohen nga kjo parti, po ndodhin për shkak të ardhjes së tij si kryetar se ky është njeri shantazhues, përçarës kryesor. Ai nuk ka shans të marr Drenasin kësaj radhe… krejt shteti i Kosovës, le të qohet në këmbë se nuk do ta fitojë. Nisma është duke u fuqizuar shumë në Drenas. Unë ende jam anëtar i PDK-së, ende jam në kryesi, por nuk shkoj në mbledhje për shkak të prezencës së Lladrovcit. Janë diku 60 përqind e anëtarëve të kryesisë që nuk do ta votojnë. Edhe ata që i ka kandiduar për asambleistë, shumica prej tyre nuk e përkrahin Ramiz Lladrovcin. PDK nga ky moment le ta din se e ka humbur Drenasin për shkak të Ramiz Lladrovcit. Unë jam në PDK, por e mbështes kandidatin e Nismës, Isa Xhemajlajn”, ka thënë Naim Bazaj.

Ai tutje ka hedhur akuza ndaj Lladrovcit, duke thënë se po bën premtime marramendëse, të cilat nuk do t’i realizojë, njësoj sikurse mandatin e kaluar. Për këtë arsye, sipas Bazajt, Lladrovci mund të fitojë vetëm nëse “qohen i madh e i vogël me i ble e me i vjedh votat”.

“Ramiz Lladrovci, i cili po pretendon të marr komunën e Drenasit, po bën premtime marramendëse, që nuk ka shanc me i realizu, sepse nuk i ka realizuar as ato projekte që i ka premtuar më herët. Nuk është meritë e Lladrovcit, por është meritë e Kuvendit, deri më tani që e ka pasur këtë mandate, është vazhdimësi e punës edhe të Demakut deri më tani, ai ende nuk e projektuar buxhetin për vitin e ardhshëm për mandatin që po pretendon me marr, por nuk do t’ia mbërrijë ymri me marr atë pushtet. Vetëm nëse qohen i madh e i vogël me i ble e me i vjedh votat, se nuk ka shans me marrë vota në Drenas”, është shprehur Bazaj.

Nisma: Veprojmë të pavarur nga PDK-ja

Image
Isa Xhemajlaj

Nga ana tjetër, anëtari i Nismës dhe kandidati për kryetar të Drenasit nga kjo parti Isa Xhemaljaj, ka mohuar të ketë ketë “fërkime” ndërmjet tyre dhe PDK-së, për shkak të “shkëmbimit” të anëtarëve mes vete.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gara në nivel lokal, nuk do të ketë ndikim tek koalicioni në nivel qendror.

“Nuk mendoj se mund të ketë fërkime, sepse kjo është garë lokale dhe në fund të fundit ne ia kemi bërë opinionit të qartë edhe si Nisma për Kosovën, edhe në nivel qendror, se ne jemi në bashkëqeverisje në nivel qendror, por në nivel lokal secili ka kandidatët e vet. Unë nuk mendoj që do të ketë ndonjë përplasje, pasi e kemi secili subjektin e vet dhe në nivel lokal veprojmë pavarësisht njëri prej tjetrit. Nuk besoj që do të ketë ndonjë refleksion të dukshëm atje në nivel qendror”, është shprehur Xhemajlaj.

Ndërkohë, analistët politikë, kanë shprehur bindjen se fërkimet në nivel lokal, ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës në nivel vendi.

Largimet nga PDK-ja, analisti politik Hidajet Ahmeti i konsideron si goditje të vazhdueshme, që sipas tij, po i jepen kësaj partie.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Ahmeti ka vlerësuar se PDK-ja është në rënie të lirë dhe vështirë e ka rimëkëmbjen më këtë strukturë, e cila siç ka thënë ai, ka ngulfatur institucionet publike.

“Është një goditje e vazhdueshme që po ju jepet PDK-së, e cila ka kontrbuar më së shumti me degradimin e vendit. Edhe ashtu, PDK-ja si parti politike është në rënie të lirë dhe vështirë e ka rimëkëmbjen më këtë strukturë, e cila ka ngulfatur institucionet publike me njerëz partiak e super të dëgjueshëm. Çkapja e shtetit nga PDK-ja është shpëtimi i vërtetë i Kosovës nga kjo katrahurë që e kanë instaluar strukturat politike dhe para politike të PDK-së”, ka thënë Ahmeti.

Koalicioni PANA, jetëshkurtër

Image
Hidajet Ahmeti

Ai tutje ka theksuar se ndryshimi i vendit është në duar të qytetarëve të Kosovës.

“Gjykoj se është imperativ i kohës që qytetarët të gjykojnë drejtë dhe përmes formave demokratike të largojnë frymën e mbrapsht që është instaluar në institucionet publike të shtetit. Qytetarët e kanë drejtën, shansin dhe guximin për ndryshime. Ndryshimi nuk bëhet më njerëz të njëjtë e me rrena të vjetra, ndryshimi bëhet duke ndëshkuar të ata që e instaluan  keqqeverisjen e duke ju dhënë rast tjerëve për të provuar konceptin e tyre politik. Vetëm përmes formave demokratike të ndëshkimit, disiplinohen politikanët e veçanërisht partitë politike”, është shprehur Hidajet Ahmeti.

Ndërkaq, sa u përket fërkimeve në nivel lokal, Ahmeti, ka shprehur bindjen se ato ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës në nivel vendi.

“Realisht fërkimet të cilat ndodhin në nivel lokal në mes partive politike, e  të cilat bashkëqeverisin në nivelin qendror, ndikojnë drejtpërdrejtë në stabilitetin, jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës. Këto fërkime  japin sinjal të qartë se koalicioni qeverisës në qendër është i panatyrshëm, koalicion i interesave reciproke, koalicion jo stabil ,e mbi të gjitha një qeveri jetëshkurtër”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat