“Përplasen” Thaçi dhe Haradinaj për vizat

Politika

“Përplasen” Thaçi dhe Haradinaj për vizat

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 tetor 2017 Në ora: 08:13
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Liberalizimi i vizave, vazhdon të jetë ende një sfidë për Kosovën. Pothuajse që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, politikanët në Kosovë vazhdimisht kanë premtuar liberalizimin e vizave, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Tashmë dihet, që dy kushtet që duhet të përmbushë Kosova për të marrë liberalizmin janë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, dhe luftimi i korrupsionit, kushte këto të përsëritura vazhdimisht nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të premtojë heqjen e vizave, pavarësisht se Kosova ende nuk i ka plotësuar këto dy kushte, sidomos ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. 

Por, së fundi çështja e liberalizimit ka përplasur me deklarata kryeministrin Haradinaj me presidentin Thaçi. Përderisa ky i fundit thotë se tash për tash nuk ka shpresë për liberalizim, Haradinaj e thotë të kundërtën, se shumë shpejtë do të ndodhë liberalizimi,  madje edhe pa përmbushur kushtin kryesor, ratifikimin e demarkacionit.

“Pasi që Demarkacioni është vënë si kusht i domosdoshëm që Kosova ta implementoj që të ndodh liberalizimi i vizave. Në të ardhmen e afërt, unë nuk shoh ndonjë perspektive të Kosovës me këtë logjik, mentalitet dhe filozofi të funksionimit, që mund të kaloj marrëveshjen e arritur mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Në anën tjetër dhe qasja bllokuese e BE-së që është argument shtesë, në raport me Kosovën, më shtyn që sot t’i lutem Presidentit të Shqipërisë dhe autoriteteve tjera të Shqipërisë, që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe të drejtën për dyshtetësi, t’u lejohet qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë për shtetësi, të fitojnë këtë të drejtë dhe të lëvizin lirshëm në Evropë. Aktualisht kjo është shpresa e vetme me lëvize qytetarët e Kosovës lirshëm”, kishte thënë Thaçi në kërkesën e tij drejtuar presidentit të Shqipërisë Ilir Metës.

Ndërsa, Haradinaj duke iu përgjigjur deklaratës së Thaçit, theksoi se liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejtë.

“Mendoj se boshti për liberalizim është rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit në niveleve të larta, pastaj krime tjera, lloje të krimit. Mund t’iu them se jemi intensivë në këtë temë, pra nuk dua të lavdërohem për diçka që e kam detyrë. Po sot dy orët e para të ditës, nga 8 deri në 10, gjithë akterët kryesor, vendor dhe ndërkombëtarë kanë punuar në këto tema, kam qenë vetë prezent. Mendoj që boshti është kjo, pastaj është një element tjetër i rëndësishëm është zgjidhja e çështjes së kufirit me Malin e Zi. Sikurse që jeni në dijeni unë nuk po humb kohë në këtë temë, në atë që është kapacitet i Qeverisë. Disa vendime i merr Parlamenti me dy të tretat edhe ai nuk është kapacitet i imi dhe s’mundem unë me realizuar, por atë që e kemi në kuadër të Qeverisë, ne po procedojmë me këtë. Nuk mendoj që jemi të pa shpresë në liberalizmi të vizave, bindja ime është kemi shpresë, nuk është largët mundësia e liberalizimit“, kishte thënë ditë më parë Hardinaj.

Gazeta “Bota sot”, ka pritur një javë përgjigje nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, lidhur me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, pas  deklaratave të Hashim Thaçit dhe kërkesën drejtuar Metës që qytetarët e Kosovës të pajisën me pasaporta të Shqipërisë, por ata nuk janë përgjigjur në interesimin e gazetës.

Shtyrja e liberalizimit, thikë me dy tehe

Por, deklaratat kundërthënëse të kryeministrit dhe presidentit, sipas analistëve janë një dëshmi se një përplasje mes Thaçit e Haradinajt ka ekzistuar gjithmonë dhe do vazhdojë të mbesë.

Image
Gurakuç Kuçi

“Një përplasje mes Thaçit e Haradinajt ka ekzistuar gjithmonë dhe do vazhdojë të mbesë. Thaçi pretendon se e njeh diplomacinë gjë që po shihet se nuk është ashtu, duke qenë si përkrahës i flaktë i Gjykatës Speciale tani bie në kundërshtim me vetveten. Haradinaj është ndryshe nga ai. Thaçi nuk i di këto, ky i fundit tani dhe çdo herë dështimet në punët e brendshme dhe rëniet në imazh është munduar t’i kompensoj me koncesionet nëpërmjet dialogut me Serbinë që ka mundur t’i marrë nga bashkësia ndërkombëtare. Por, kur edhe kjo i dështoj, besoj që është koha që Thaçi t’i kthehet realitetit”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, politologu Gurakuç Kuçi.

Sipas tij, liberalizimi i vizave nuk mund të shtyhet nga BE-ja pafundësisht, pasi është një thikë me dy tehe.

“Liberalizimi i vizave nuk është ajo fontana e dëshirave, nuk është ajo hapja, apo heqja nga izolimi që ne po e presim me padurim. Liberalizimi i vizave është vetëm një shëtitje tre mujore në vendet e Shengenit, për ata që kanë të ardhura të mira ekonomike, gjë që shumica prej nesh nuk i kemi, por edhe nëse e marrim liberalizimin e vizave, mund të na vënë kushte prapë të papërballueshme. Sidoqoftë, as liberalizimi i vizave nuk mund të shtyhet nga BE-ja pafundësisht, pasi është një thikë me dy tehe kjo mbajtja e Kosovës në neutralitet për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve dhe ekuilibrave me Rusinë. Andaj çka na nevojitet tani është pragmatizëm dhe strategji neve si shtet me një unitet të plotë politik në të gjitha nivelet dhe jo sharlatanizëm për interesa të ngushta. Jemi shtet në fund të fundit, dhe nuk jemi më në kohën e UNMIK-ut”, është shprehur Kuçi.

Situata i shkon përshtati Thaçit

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi, thekson se e kaluara problematike e këtij procesi dhe mashtrimi që është bërë, dëshmi se sa e paaftë kanë qenë liderët e Kosovës në bisedat me Bashkimin Evropian.

“Janë disa aspekte të liberalizimit te vizave. E para është e kaluara e këtij procesi që në fakt është shumë problematik, se pse janë shtruar kërkesat që nuk kanë qenë kushte për shtetet tjera siç është përcaktimi i vijës së demarkacionit. E dyta është një mashtrim konstant i publikut nga ana e qeverive të kaluara për atë se si do të duke procesi liberalizimit të vizave dhe kur do të ndodhë një gjë e tillë. Kjo tregon sa të paaftë dhe sa nuk kanë kuptuar asgjë nga bisedat me BE dhe partnerët Evropian. Dhe e treta shumë rëndësishme është fakti që gjyqësia dhe prokuroria në Kosovë është kontrolluar nga politika dhe kjo bënë argumentin në Evropë që nuk mund ta kontrollojmë vendin”, shprehet Abazi.

Sipas Abazit, në këto rrethana, kjo situatë politikisht i konvenon dhe i shkon përshtati Thaçit.

“Bazuar në këto rrethana është politikisht përfituese për Thaçin të thuhet që nuk po bëhet liberalizmi i vizave sepse përndryshe do të rrefkëtohej në paaftësinë e tij që kjo gjë të kryhet. Në anën tjetër besoj qeveria Haradinaj që është në koalicion me një pjesë të PDK po duket që është gjithashtu një dualitet i qartë se marrëveshja për qeverisje të përbashkët nuk është domosdo shkrirje e koncepteve politike por një marrëveshje e përkohshme çfarë kemi parë edhe në mes LDK dhe PDK në të kaluarën dhe kjo domosdoshmërisht manifestohet me qëndrime të ndryshme dhe me informacione e burime te ndryshme. Unë besoj që po të kishte një ekip të shkathet dhe me përvojë liberalizmi i vizave do të bëhej shumë shpejt por është vështirë e besueshme qe nuk do të ketë sabotim nga brenda për këtë proces dhe kjo e bën shumë të vështirë përcaktimin e rrjedhjes se procesit të liberalizmit të vizave”, ka shtuar Abazi.

Liberalizimi, një makth për qytetarët e Kosovës

Kurse, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, duke folur për gazetën “Bota sot”, është shprehur se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është shndërruar tashmë në një makth.

Image
Enver Bytyçi

“Bashkimi Evropian i vënë në vështirësi për shkak të mosnjohjes së pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të saj, ka vënë kushte, të cilat nuk kanë pasur asnjë lidhje me liberalizimin e vizave në vendet e tjera evropiane. Kushtet shtesë, si është detyrimi për ratifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kanë krijuar përshtypjen se Brukseli nuk është dashamirës me shqiptarët e Kosovës. Pas një ngërçi të madh vitin e kaluar, qeveria Haradinaj kërkon ta zgjidhë problemin me qeverinë e Podgoricës ose përmes një ridiskutimi me Komisionin Evropian. Prandaj kryeministri Haradinaj shprehet optimist”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, kërkesa e Thaçit drejtuar Metës është një presion ndaj BE-së.

“Thaçi dhe Rama në Tiranë kanë lëshuar akuza të rënda ndaj Brukselit, duke e kritikuar atë për standarde të dyfishta në rrugëtimin e integrimeve evropiane sa i përket Kosovës. Në pamje të parë duket se këto kritika janë të drejta. Në fakt unë i perceptoj si të drejta. Është e padrejtë që Kosovës t'i vendosen kushte shtesë me qëllim që të merret vendimi për liberalizimin e vizave. Prandaj perceptohet si i drejtë presioni tjetër i zotit Thaçi në kërkesën e tij për pajisjen me pasaporta shqiptare të qytetarëve të Kosovës”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se duhet falënderuar BE-në që nuk ka vendosur si kusht për liberalizim edhe asociacionin serb.

“Është e sigurt se pasaporta nuk do të jepen dhe se gjithashtu liberalizimi i vizave nuk do të bëhet pa ratifikuar dhe vendosur vijën kufitare me Malin e Zi. Duhet falënderuar Zoti që BE nuk ka vënë kusht formimin e Asociacionit serb për këtë gjë. Se atëherë do e kishte detyruar Prishtinën t'i bindej Beogradit! Kurse Prishtina, por edhe Tirana zyrtare duhet t'i japin fund karshillëkut ndaj Brukselit.  Kosova dhe Shqipëria nuk janë në pozitat e Serbisë që të përfitojnë nga presione e sjellje të tilla. Nëse vazhdojmë kokëfortësinë e sjelljes tonë me Brukselin, atëherë do të dëmtohet shtetësia e Kosovës”, ka përfunduar Bytyçi.

Kujtojmë, se gjatë qeverisjes Mustafa, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian,  hap ky që qon drejt liberalizimit, por që për shkak të mos ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, ky proces ka ngecur dhe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar, dhe në pamundësi të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat