LDK dhe VV fillojnë procedurat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Politika

LDK dhe VV fillojnë procedurat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 tetor 2017 Në ora: 09:05
LDK, Lëvizja Vetëvendosje

Lidhja Demokratike e Kosovës doli e para në zgjedhjet lokale të mbajtura me 22 tetor. Së fundmi kjo parti ka thënë se së shpejti qeveria aktuale do të rrëzohet.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së që tha se qeveria do të rrëzohet së shpejti, e një gjë të tillë e paralajmëroi edhe Sokol Havolli.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka paralajmëruar mocion mosbesimi për qeverinë, që sipas tij do të ndodhë shumë shpejt.

Rugova: Pas 19 nëntorit fillojmë procedurat për rrëzimin e qeverisë

Image
Naser Rugova

Për këtë është deklaruar edhe deputeti Naser Rugova, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK si partia e parë në vend pas zgjedhjeve lokale, pas raundit të dytë të zgjedhjeve që mbahen me 19 nëntor, do të fillojë me procedurat për rrëzimin e qeverisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës si grupi i dytë parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 27 dhe tani pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, si partia e parë më e madhe në vend me 220 mijë vota domosdo është duke e bërë punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, rolin e saj opozitar në Kuvendin e Kosovës dhe duke e ditur që koalicioni aktual qeverisës është shumë i zbehtë, që nuk patën numra të mjaftueshëm për ta votuar rishikimin e buxhetit për vitin 2017 dhe u desh që thjesht t’i mobilizojnë të gjitha forcat që ta votojnë rishikimin e buxhetit për vitin 2017. Kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë dhe siç po shihen trendët elektorale e vendosin LDK-në të parën dhe me punën dhe angazhimin tonë, përkrahjen qytetare shumë shpejt do t’i inicojmë edhe procedurat e nevojshme për rrëzimin e kësaj qeverie. Ne presim që pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, pas 19 nëntorit, të ulemi dhe të bisedojmë, ta shqyrtojmë seriozisht këtë çështje sepse e dinë edhe vetë partitë që e kanë ndërtuar këtë koalicion, që nuk mund t’i shtyjnë deri në fund çështjet me interes nacional me këtë situatë të numrave që aktualisht kanë në kuvend”, është shprehur Naser Rugova.

Sa i përket përkrahjes nga Lëvizja Vetëvendosje, Rugova ka thënë se pavarësisht dallimeve politike, kur bëhet fjalë për rrëzimin e qeverisë, beson se do të arrijnë koncesus me këtë parti.

“Do t’i mobilizojmë të gjitha mundësitë si opozitë. Zakonisht edhe kur kemi dallime në koncepte dhe veprime politike, kur është çështja tek rrëzimi i qeverisë, për të cilën besojmë se nuk ka kapacitete që t’i shtyjë përpara proceset, opozita bëhet bashkë dhe sa i përket rrëzimit të kësaj qeverie, mund të gjejmë koncesus të përbashkët me LVV dhe besoj që mund t’i bëjmë numrat e nevojshëm për rrëzimin e kësaj qeverie”, ka theksuar deputeti Rugova për gazetën “Bota sot”.

VV do ta përkrah mocionin e LDK-së për rrëzimin e qeverisë

Në anën tjetër, nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur të gatshëm për ta përkrahur nismën e LDK-së, në qoftë se ata e ndërmarrin.

Image
Rexhep Selimi

Kështu ka deklaruar për gazetën “Bota sot” deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi, i cili ka thënë se nuk kanë pasur bisedime, por që do ta mbështesin mocionin.

“Shpresojmë që ta ketë përnjëmend LDK-ja. Ne nuk jemi në kuvendin e Kosovës për ta mbrojtur qeverinë edhe nëse LDK-ja kërkon rrëzimin e saj. Jo nuk ka pasur bisedime konkrete për ndonjë nismë të përbashkët. Të kryer e kanë, vetëm le ta sjellin mocionin për rrëzim në Kuvend dhe do ta rrëzojmë. Qysh e kemi rrëzuar qeverinë e Isa Mustafës”, është shprehur deputeti Selimi.

Image
Faik Krasniqi

Mirëpo, për një gjë të tillë skeptik është analisti politik Faik Krasniqi, i cili thotë se u duhen edhe votat e dy deputetëve të pozitës për ta rrëzuar qeverinë.

“LDK-ja është bërë shumë euforike për shkak të votave të fituara nga zgjedhjet lokale, vota që ua sollën disa kandidatë të mirë në shumë qytete të Kosovës. Por kjo mund t'ju kushtojë shtrenjtë në balotazh. Me eufori nuk mund të rrëzohet asnjë qeveri. Qeverinë VV-ja dhe LDK-ja bashkërisht mund ta kritikojnë për gabimet e saja, por pa ndihmën edhe të dy deputetëve të pozitës e kanë të pamundur ta rrëzojnë qeverinë. Për një gjë të tillë janë të vetëdijshëm edhe ata”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Ndikimi i zgjedhjeve

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti Ali Hertica mendon se për rrëzimin e qeverisë do të ndikojnë edhe zgjedhjet, sidomos për fitoren në Prishtinë.

“Qeveria ende nuk ka pasur 100 ditë të plota, të tregohet matësi i politikës së qeverisë për të dështuar proceset që janë të obliguar t’i përmbush kjo qeveri.  Tani besoj se LDK si opozitë po funksionon në rrethana të mira politike pas zgjedhjeve lokale ku assesi nuk do t’i bashkangjitet VV-ja  për ta rrëzuar këtë qeverisje sepse tani forcat politike do t’i japin goditje njëra tjetrës për të parin e Prishtinës, sepse ai që humb Prishtinën do të ketë goditje reale për të ardhmen e saj politike dhe nuk do të ketë mundësi që VV-ja t’i bashkohet LDK-së”, ka deklaruar ai.

Hertica shprehet skeptik për përkrahjen e VV-së për LDK-në në këtë iniciativë.

“Tani plani për ngritjen e një mocioni ndaj qeverisë Haradinaj nga LDK pritet të ndodhë shumë shpejt, në ditët apo javët e ardhshme, do të nisin iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, sepse edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku pati thënë se do ta rrëzojnë qeverinë e re të Kosovës. Opozita e mendon këtë opsion, por mbetet të shihet në ditët në vazhdim, pasi VV-ja edhe për mocionin për ministrin Rikallo tha se do ta votojë, por nuk e bëri”, është shprehur Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat