Flet eksperti i sigurisë: Dy arsyet që po rritet numri i vrasjeve në Kosovë

Politika

Flet eksperti i sigurisë: Dy arsyet që po rritet numri i vrasjeve në Kosovë

Nga: Naile Ejupi Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 16:55
Policia e Kosovës

Vrasjet në Kosovë janë duke shënuar rritje. Gjatë ditës së sotme në Gjakovë është vrarë një 31 vjeçar, e sipas policisë vrasja ka ndodhur në një lokal nga një person 21 vjeçar, i cili për motive të ulta ka qëlluar  me armë zjarri drejt viktimës.

Vrasja në Gjakovë ka ndodhur  pa u bërë ende një muaj që nga vrasja e 16 vjeçarit Aulon Zekës në Prishtinë, kurse  dy javë para vrasjes së Aulonit kishin ndodhur dy vrasje tjera, njëri në qytetin e Pejës, kurse tjetri në Prishtinë.

Derisa në vitin 2015 policia regjistroi 25 vrasje e në vitin e kaluar 26, ndërsa vetëm në periudhën janar-prill të këtij viti, sipas forcave të rendit, kanë ndodhur 13 vrasje.

Vrasje pati edhe gjatë muajit korrik, ku dy vëllezër u vranë teksa po prenin dru në pyll në fshatin Kryshevc të Pejës.

Rritja e dukurisë së vrasjes, sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, vjen si  rezultat i dy çështjeve.

Shala ka thënë për “Bota sot” se sistemi gjyqësor  është jo efikas, prandaj qytetarët janë duke e marrë drejtësinë në dorën e tyre.

“Lidhur më rastet që si pasojë  kanë veprën penale “vrasje” mendoj që vjen si rezultat i dy çështjeve. Njëra është që kemi një sistem gjyqësor jo efikas apo të them është para një kolapsi total duke pasur parasysh që kemi lëndë që nuk janë trajtuar me vite të tjera dhe nga kjo del që qytetaret janë të dëshpruar dhe e kanë marrë në dorën e tyre drejtësinë. Dhe, si pasojë e kësaj kemi raste të ndryshme, ku autorët e veprave penale (vrasje) nuk janë kapur nga ana e organeve të shtetit dhe vrasjet kanë mbetur të pa zbuluar sepse mungon kryesi i veprës penale”, ka pohuar Shala.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, institucionet relevante duhet që veprat penale me motive politike t’i kenë prioritet.

“Ndërsa nga viti 1999 deri më tani kemi mbi 1500 raste që ndërlidhen me veprën penale vrasje me motive të ndryshme. Por, një gjë duhet të kenë institucionet relevante duhet që veprat penale me motive politike që çojnë në drejtim të vrasjes të kenë prioritet, sepse në opinion është krijuar përshtypja që ato vrasje do mbeten vetëm në sirtare zyrtare dhe të pa trajtuar”, ka theksuar Shala.

Vrasjet në Kosovë  kanë shënuar rritje gjatë këtij viti, vetëm për katër muajt e parë të 2017-ës numri i vrasjeve ka arritur gjysmën e vrasjeve të kryera në vitet 2015 e 2016.

Ndërsa, gjatë pasluftës, ku përfshihen periudha nga qershori i vitit 1999 e deri më 2014, statistikat e Policisë së Kosovës flasin për rreth 1500 vrasje me motive të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat