“Demarkacioni punë e kryer, kjo do të ishte zgjidhja e vetme”

Politika

“Demarkacioni punë e kryer, kjo do të ishte zgjidhja e vetme”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 1 nëntor 2017 Në ora: 21:58
Ilustrim

Edhe pas dy vjet që është nënshkruar marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, vazhdon të jetë një nga çështjet aktuale më të rëndësishme dhe ende e pazgjidhur.

Qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, shkarkoi komisionin e mëparshëm duke emëruar një komision të ri për matjen e kufirit, ku deri tani komisioni ka thënë se ka gjetur fakte të reja.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi thotë se çdo ekspertizë që kalon ato të NATO-s e Amerikës është e dëmshme dhe rrezikshme.

“Kushdo që kërkon ekspertizë akademike, duke tejkaluar ekspertizat e NATO-s, Uashingtonit e Brukselit, besoj se këto janë të dëmshme”, ka thënë presidenti.

Madje Thaçi, duke ilustruar se nuk ka nevojë për një ekspertizë tjetër, ka thënë se janë bërë disa vlerësime për këtë çështje.

“Kemi vlerësimet e Komisionit shtetëror të Kosovës, ekspertëve ndërkombëtarë, vlerësimeve të NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe nuk e dimë se me kë tjetër të konsultohemi”, tha Thaçi, duke i bërë ftesë Qeverisë e Kuvendit ta përfundojnë këtë çështje.

Për gjithë këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, thotë se demarkacioni ka përfunduar kur është nënshkruar dhe ka marrë miratimin ndërkombëtar.

Image
Skënder Zoga

“Çështja e demarkacionit ka marrë fund që në çastin kur pala e Kosovës e ka pranuar dhe e ka nënshkruar marrëveshjen e vijës kufitare, që parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar. Me këtë akt, mirë qoftë ose keq, çështja konsiderohet e kryer. Sidomos e kryer është nëse merr miratim ndërkombëtar, siç është rasti ynë”, është shprehur Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Haradinaj kot gjen fakte, por që Zogaj si zgjidhje thotë se është ratifikimi dhe sqarimi i duhur ndaj qytetarëve.

“Thaçi është nënshkruesi dhe nuk e ka asnjë mundësi të zmbrapsjes, dhe "patatja e nxehtë" i mbetet Qeverisë Haradinaj, e cila kot gjen fakte! Zgjidhja e vetme është që demarkacioni të ratifikohet dhe qytetarëve tu jepet sqarimi i duhur”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Ndryshe, Komisioni ka paralajmëruar që së shpejti do të dalë raporti përfundimtar për marrëveshjen e Demarkacionit, me faktet e gjetura./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat