“Loja me dy fytyra” e Haradinajt për Demarkacionin

Politika

“Loja me dy fytyra” e Haradinajt për Demarkacionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 nëntor 2017 Në ora: 12:01
ilustrim

"Mendoj se Ramushi po luan me dy fytyra, në njërën anë duke kundërshtuar demarkacioni e në anën tjetër duke pranuar atë aktual. Si mundei të fundit për të hequr barrën e vet mbi këtë çështje, mendoj se qeveria Haradianj do e dërgojë  këtë çështje në arbitrazh, edhe pse dihet rezultati i saj gjithsesi do i shërbejë si mundësi për t"u justifikuar përpara qytetarëve”, ka deklaruar Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi vazhdon të jetë çështja më e komentuar edhe gjatë kësaj legjislature.

Për dallim nga qeveria e kaluar, qeverisja aktuale nuk është zotuar që do ta bëjë ratifikimin e kësaj marrëveshje.

Ramush Haradinaj tashmë Kryeministër i vendit, gjatë kohës sa kishte qenë në opozitë ishte kundërshtar i  demarkacionit, duke mos pranuar kështu asnjë argument ndryshe përveç  atij që ky version i demarkacionit është i gabuar.

Haradinaj tashmë ka filluar të “zbutet” kundrejt kësaj marrëveshje, kurse zyrtarë të qeverisë tashmë thonë se demarkacioni është çështje e mbyllur.

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ditë më parë është shprehur se demarkacioni është punë e përfunduar dhe kështu nuk mund të rinegociohet.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur rreth kësaj deklarate të zv. Kryeministrit, kurse opozita kërkon që qeveria të ketë një qëndrim për demarkacion dhe ai dërgohet në kuvend.

Image
Enver Hoti

Nisma kundër Pacollit

Deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, parti kjo e cila është në qeverisje ka thënë se deklarata e Pacollit është një qëndrim i pa artikuluar dhe i pa mbështetur në fakte.

Enver Hoti ka pohuar se Pacolli vetëm ka përsëritur punën e qeverisjes së kaluar dhe veprimet e Malit të Zi.

“Mendoj që është një qëndrim i pa artikuluar qartë dhe është e drejtë  që nuk është mbështetur në fakte. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga qeveria e Malit te Zi dhe nga qeveria e kaluar e Kosovës, mendoj që qytetarët e kanë të njohur, pra vetëm e ka përsëritur një gjendje, një aktivitet i qeverisë së Malit të Zi dhe një gjendje që ka rezultuar si rezultat i punës së dobët dhe të dështuar të ish-komisionit qeveritar.  Prandaj, ai e ka përsëritur një punë të tyre, por që për momentin mendoj që kjo qeveri nuk duhet ta përfill”, ka theksuar Hoti.

Sipas tij, çështja e demarkacionit duhet të hulumtohet fillimisht, të kuptohet e vërteta dhe pastaj të analizohen faktet dhe situatat që do të krijohen.

“Ne jemi të bindur se duhet të hulumtohen të gjitha faktet, e gjithë puna e komisionit shtetëror mendoj se është duke u trajtuar dhe duke u hulumtuar për t’u zbardhur e vërteta se çfarë bëhet aty, dhe pastaj të analizohen faktet dhe situatat që do të krijohen. Kemi nevojë për të vërtetat fillimisht”, ka nënvizuar Hoti për gazetën “Bota sot”.

Image
Lutfi Haziri

LDK kundër një marrëveshje të re

Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, parti kjo e cila ka qeverisur mandatin e kaluar, ka thënë për “Bota sot” se dërgohet në kuvend sa më shpejt.

“Demarkacioni duhet të sillet në Kuvend sa më shpejt dhe mundësish në formatin e shkronjave të njëjta, se përndryshe nuk mundet të ndryshohet as stili shkronjave e lë mo diçka tjetër!”, ka thënë Lutfi Haziri për “Bota sot”.

Vetëvendosje kundër dërgimit të Demarkacionit në Arbitrazh

Kurse, deputeti  nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se zyrtarët qeveritarë me qëndrime jo unike vetëm e kanë komplikuar zgjidhjen e drejtë.

Image
Rexhep Selimi

Ai ka shtuar se dërgimi i demarkacionit në arbitrazh nuk është zgjidhje e drejtë dhe e mirë, ide kjo e dhënë nga kryeministri Haradinaj i cili ka paralajmëruar dërgimin e Demarkacionit në Gjykatën e Arbitrazhit.

 “Qeveria e Kosovës duhet të ketë pozicionim me të qartë dhe unik lidhur me Demarkacionin me Malin e  Zi. Kjo çështje krijoi shumë  situata të rënda në mandatin e Qeverisë  së  kaluar kur ish kryeministrat donin ta shtynin me dhunë kufirin brenda territorit të Kosovës. Deklarimet dhe qëndrimet jo unike të zyrtarëve të qeverisë me njëri- tjetrin veç sa e komplikon zgjidhjen e drejtë. Po ashtu edhe tendenca për ta hequr qafe me anë të arbitrazhit nuk do të jetë zgjidhje as e drejtë e as e mirë”, ka thënë Selimi.

Qeveria i drejtohet Arbitrazhit

Ndërsa,analistët politikë thonë se Haradinaj e ka nxitur Pacollin të thotë deklarata të tilla dhe kjo çështje është përdorur që ta fitojë pushtetin.

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë se Haradinaj është duke luajtur me dy fytyra, në njërën anë duke kundërshtuar dhe në anën tjetër duke pranuar këtë version të demarkacionit.

Sipas Mehmetit, qeverisja e tij do ta dërgojë këtë çështje në arbitrazh dhe këtë do ta përdorë vetëm si justifikim para qytetarëve.

“Gjërat ndryshe shihen në opozitë e ndryshe në pushtet. Kjo po i ndodh Ramushit me qeverinë e tij, e të cilët kanë ardhur para një akti të kryer dhe në këtë  sens nuk kanë çfarë  të bëjnë. Deklarata e Pacollit nuk mendoj se është deklarata personale e tij, por e nxitur nga vetë Ramushi që të justifikohet para qytetarëve se nuk çfarë të bëjë  i vetëm përballë të gjithë atyre që e mbështetin demarkcionin aktual. Mendoj se Ramushi po luan me dy fytyra, në njërën anë duke kundërshtuar demarkacioni e në anën tjetër duke pranuar atë aktual. Si mundei të fundit për të hequr barrën e vet mbi këtë çështje, mendoj se qeveria Haradianj do e dërgojë  këtë çështje në arbitrazh, edhe pse dihet rezultati i saj gjithsesi do i shërbejë si mundësi për t"u justifikuar përpara qytetarëve”, ka deklaruar Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ai ka shtuar se demarkacioni ka shërbyer për të ardhur në pushtet dhe pikërisht demarkacioni do ta rrëzojë nga pushteti.

“Kjo çështje e ndjeshme, është kthyer në pazare për poenë politik , derisa një ditë  iu shërbejë disave për të ardhur në pushtet, do të jetë pikërisht demarkacioni ai që do i rrëzojë nga pushteti”, ka përfunduar Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat