Mallkimi i të pagjeturve për institucionet e Kosovës

Politika

Mallkimi i të pagjeturve për institucionet e Kosovës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 3 nëntor 2017 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Ende 1656 persona konsiderohen të zhdukur nga periudha e luftës në vitet 1998/99, derisa ky problem vazhdon të mbetet si plaga më e dhimbshme dhe e pafalshme për institucionet e Kosovës.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Brukselit, mirëpo, çështja e personave të zhdukur nuk është pjesë e këtyre bisedave, pavarësisht nga insistimi i palës së Kosovës.

Kosova në dialog më Serbinë vazhdon të shihet si një gabim i madh pasi që në ato bisedime nuk është bërë temë diskutimi për krimet e Serbisë në Kosovë dhe të zhdukurit që tash e 18 vite nuk dihet për ta asgjë dhe se Serbia shumë herë nuk është treguar e gatshme të bëjë diçka në këtë drejtim.

Analisti Skender Zogaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se të pagjeturit janë plaga më e dhimbshme dhe e pafalshme për institucionet e Kosovës dhe partitë politike, të gjitha pa dallim.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, këtij problemi të ndjeshëm institucionet dhe partitë politike nuk i kanë kushtuar aspak vëmendjen e duhur, madje e kanë keqpërdorur, për qëllime përfitimesh politike.

“Gabimi më i madh ka ndodhur kur është pranuar dialogu me Serbinë para se të shtrohej çështja e të zhdukurve gjatë luftës, pa të cilët, nuk do të duhej të kishte asnjë lloj bisedimi, sepse, njerëzit janë të ishin vlera kryesore! Por, ja që, ka ndodhur ndryshe, prandaj, jemi kështu siç jemi, me një Kosovë të shpallur të lirë dhe ta pavarur, por në fakt, Kosova nuk është ende dhe as nuk do të mund të jetë përderisa të mos zbardhet fatkeqësia e të gjithë njerëzve që u është shuar jeta aq padrejtësisht”, ka thënë ai.

Sipas Zogajt, politikanët merren me këtë çështje, vetëm para zgjedhjeve, derisa pas zgjedhjeve, nuk flasin më për të.

“Është vërtetë për keqardhje kur, të për pagjeturit flitet nëpër konferenca shterpe me motivacione politike, ose gjatë fushatave elektorale, kur matrapazët janë më të zëshmit për këtë problem, dhe që, rrahin gjoksin se do ta zgjidhin këtë çështje, ndërsa, pasi të kalojnë zgjedhjet, as edhe një fjalë të vetme më nuk e thonë. Të këtillët janë shumë, edhe në Parlamentin e Kosovës, prandaj, nuk na mbetet tjetër por të frikësohemi se krizat varg që po na shoqërojnë mos vallë janë mallkimi që nga zë nga vuajtja e të pagjeturve?! Kam frikë se po”, është shprehur Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat