Ideja e rrezikshme e Haradinajt për të mbajtur pushtetin

Politika

Ideja e rrezikshme e Haradinajt për të mbajtur pushtetin

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 nëntor 2017 Në ora: 13:51
Ramush Haradinaj

Marrëveshja për demarkacionin nuk mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, nëse për këtë nuk pajtohet edhe Qeveria e Malit të Zi.

Kryeministri Haradinaj ditë më parë ka thënë se zgjidhje për plotësimin e kushtit për demarkimin e kufizimit me Malin e Zi, mbetet arbitrazhi ngase sipas tij, koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend për të miratuar versionin aktual të kësaj marrëveshje që edhe ai vet e kundërshton.

Nga ana tjetër, Qeveria e Malit të Zi e konsideron si çështje të përfunduar marrëveshjen e demarkacionit, e cila u nënshkrua në Vjenë nga ministrat e jashtëm të të dyja shteteve, në gusht të vitit 2015.

Ramaj: Arbitrazhi kërkon pajtimin e të dyja shteteve

Image
Visar Ramaj

Specializanti i fushës së arbitrazhit në Universitetin e Georgetown në SHBA, Visar Ramaj thotë se karakteristikë kryesor e arbitrazhit është pajtimi i të dyja palëve.

“Arbitrazhi paraqet metodë alternative të zgjidhjes se kontesteve, e cila si karakteristike kryesore e ka pajtimin e palëve që vendimi i arbitrazhit për kontestin e tyre të jetë përfundimtar dhe i detyrueshëm për palët”, thotë Ramaj për “Bota sot”.

Ai thotë se natyra juridike e arbitrazhit kërkon plotësimin e tri parakushteve: ekzistimin e një kontesti,  pajtimin me shkrim të palëve për zgjidhjen e kontestit me shkrim dhe zbatimin e vendimit të arbitrazhit si përfundimtar dhe të detyrueshëm, pa mundësi të ankesës.

Sipas tij, në rastin e Kosovës dhe Malit te Zi në lidhje me përcaktimin e vijës kufitare asnjë prej kushteve as nuk plotësohet, dhe është vështirë të pranohet nga Mali i Zi.

“Fillimisht, nga aspekti juridik nuk kemi kontest. Në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka një Marrëveshje për Demarkacion të nënshkruar, e cila është ratifikuar në Parlamentin e Malit te Zi dhe pretë ratifikimin në Parlamentin e Kosovës. Ne një situatë të tillë nuk ka kontest në raportet Kosove - Mali i Zi, por kjo është diskutim i brendshëm i Kosovës. Për më tepër, edhe nëse nuk do të votohej në Kuvendin e Kosovës, ende nuk janë definuar pretendimet e Kosovës, nëse ato janë sa i përket metodologjisë (kufijtë kadastral apo kontrolli efektiv) apo nëse kemi pretendime për gabime sa i përket metodologjisë së  përzgjedhur”, thotë Ramaj.

“Se dyti, parakusht kryesor për arbitrazh është një marrëveshje me shkrim në mes të dyja palëve në lidhje me arbitrazhin. Në një marrëveshje të tillë palët duhet pajtuar se Vendimi i arbitrazhit do jetë përfundimtar, duhet përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes arbitrave (gjyqtarëve), vendin e arbitrazhit dhe institucionin, gjuhën dhe ligjin e aplikueshëm”.

Sipas tij, për të qenë i vlefshëm arbitrazhi, një marrëveshje e tillë duhet të jetë me shkrim dhe nënshkruar nga dy palët.

“Së treti, vendimi i cili del nga një procedure e tillë është përfundimtar dhe i zbatueshëm”, shtoi Ramaj.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani shprehet skeptik se Mali i Zi do të pranojë arbitrazhin siç ka paralajmëruar kryeministri Haradinaj.

Image
Adlum Ramadani

“Arbitrazhi si metodë e zgjidhjes së mos marrëveshjeve, nuk mund të procedohet poqëse nuk bëhet miratimi paraprak nga të dyja palët. Marrë parasysh versionet e paraqitura nga ekspertizat institucionale, me të cilat edhe Mali i Zi është dakorduar, adresimi i demarkacionit në arbitrazh konsideroj se nuk do të pranohet nga pala malazeze dhe më keq se aq, rrezikon edhe raportet bilaterale, ashtu siç ndodhi me rastin e Sllovenisë”, thotë Ramadani për “Bota sot”.

Sipas tij, përcaktimi i formës së zgjidhjes së demarkacionit me palën malazez nga Prishtina zyrtare është duke i kushtuar kësaj të fundit me shuma të konsiderueshme, për të cilat Kosova nuk e ka luksin për këto shpenzime.

Lajçi i VV-së: Versioni aktual nuk duhet pranuar as nga arbitrazhi

Image
Ali Lajçi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Ali Lajçi thotë arbitrazhin e sheh si një mundësi për tejkalimin e kësaj krize, por ai thotë se për këtë duhet paraqitur edhe një version tjetër, përpos atij që u nënshkrua nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi.

“Arbitrazhi është edhe një opsion i mundshëm, por nëse pajtohen të dyja shtete. Por, për të shkuar në arbitrazh duhet një variant tjetër me atë që e ka Mali i Zi. Pra, duhet të punohet edhe me një variant tjetër, e jo të lihet vetëm ky versioni që e pati nënshkruar qeveria e mëparshme, sepse kjo është humbje e territorit”, tha Lajçi për “Bota sot”.

Pra nuk mund të shkohet me versionit e njëjtë, por duhet të shkohet me variantin tjetër.

Por, Lajçi thotë se versioni aktual nuk duhet pranuar kurrsesi, nëse për këtë vendos edhe Gjykata e Arbitrazhit.

“Me versionin aktual është lëvizur kadastri prona publike. Supozojmë se arbitrazhi vendos versionin aktual të demarkacionit, ne nuk jemi të obliguar që të japim territor, vetëm pse po e thotë arbitrazhi”, shtoi Lajçi.

Arbitrazhi ide e Haradinajt për zgjatjen e mandatit të qeverisë

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se Arbitrazhi është një ide e Haradinajt për zgjatjen e mandatit të qeverisë së tij.

“Mali i Zi nuk ka dhënë bash asnjë indikacion se mund të pajtohet me rishqyrtimin apo dërgimin e çështjes në gjykatë të arbitrazhit. Sa na po dimë e sa na po shohim, qëllimi është kryekëput zvarritja e çështjes deri në pakufi, me shpresë se kjo edhe do t’i zgjasë mandatin qeverisës”, thotë gecaj për “Bota sot”.

Gecaj shprehet krik ndaj Haradinaj për paralajmërimin e tij për dërgimin e demarkacionit në arbitrazh, pasi që sipas tij, dikur kryeministri këmbëngulte se me këtë marrëveshje Kosova humb territor.

“Gjithashtu, nëse unë do të isha i bindur se Kosova humb territor me vijën e tanishme, ashtu siç mendon Kryeministri dhe rrethi i tij, nuk do ta dërgoja fare çështjen në gjykate arbitrazhi, pasi që do të konsideroja se arbitrazhi do të mund të gjykonte gabimisht dhe ne do ti humbim pjesët kontestuese”.

“Pra, nëse ai beson se është në të drejtë, nuk duhet lënë gurë pa lëvizë, ta provoj këtë dhe ta bindi popullatën kosovare, shtetin e Malit te Zi, si dhe bashkësinë ndërkombëtare se ai dhe pretendimet e tij janë të drejta. Unë jam i sigurt se, nëse kanë kapacitet dhe nëse kanë prova, këtë do të mund ta bëjnë, edhe pse unë besoj se ju mungojnë të dyja”, shtoi Gecaj.

Demarkacioni kauzë e rrejshme e Haradinajt

Image
Faton Mehmeti

Nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti thotë se paralajmërimi i kryeministrit për arbitrazhin tregon se kauza e Haradinajt për demarkacionin ishte një kauzë e rrejshme.

“S’ka dyshim se kryeministri Haradinaj po mundohet ta hedh topin tek arbitrazhi. Dihet paraprakisht se vendimi i arbitrazhit do të deklarohet se demarkacioni me Malin e Zi është në rregull”, thotë Mehmeti.

“Nga e gjithë kjo odise po vuajnë qytetarët për interesa të ngushta të politikanëve, e të cilët s’kanë asnjë interes për qytetaret. Kauza e Ramushit me demarkacion ka qenë e rrejshme”, shtoi Mehmeti.

Ndryshe, Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015, por ajo nuk arriti të miratohet në kuvend pas kundërshtimit të fuqishëm nga ana e partive opozitare. Haradinaj gjatë kohës që ishte në opozitë, ai ishte kundërshtari më i madh i kësaj marrëveshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat