Abazi flet për pajisjen e shtetaseve të Kosovës me pasaportë shqiptare: Lidership frikacak dhe me bisht nën derë

Politika

Abazi flet për pajisjen e shtetaseve të Kosovës me pasaportë shqiptare: Lidership frikacak dhe me bisht nën derë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 nëntor 2017 Në ora: 21:47
Haki Abazi

Qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin të lirë për shkak të mos liberalizimit të vizave. Së fundmi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi propozoi që Shqipëria të lëshonte pasaporta për qytetarët e Kosovës, që të mund të lëvizin të lirë.

Mirëpo, Shqipëria vazhdon të inkurajojë Kosovën që t’i përmbushë kriteret e fundit të përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe të mos pres që çështja të zgjidhet përmes lëshimit të pasaportave shqiptare për shtetasit e Kosovës.

Këtë mesazh e ka përcjellë në Prishtinë sot gjatë vizitës së tij kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Ai tha se është më mirë që Kosova të përqendrohet në kriteret e përcaktuara ku bën pjesë edhe ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Unë e kam ndjekur atë që presidenti Thaçi kërkoi nga presidenti Ilir Meta. Unë e kam një përgjigje dhe ajo është se, ne jemi dhe mbështesim një zgjidhje të Bashkimit Evropian për çështjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Ruçi.

Ruçi tha po ashtu se nuk ka nevojë që çështja e vizave të zgjidhet “përmes relacioneve shqiptaro-shqiptare”, por në relacionet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, thotë se lidershipi nuk e kupton nevojën e popullit dhe se nuk do të duhej të kishte ndrojtje nga Shqipëria që të kujdeset për qytetarët e saj jashtë kufijve.

“Edhe një vizitë sa për sy e faqe dhe për të treguar që në fakt lidershipi këndej dhe andej kufirit nuk e kupton nevojën e popullit dhe qytetarëve të vet. Duke krahasuar me të gjitha vendet e rajonit nuk ka se si të cilësohet ndryshe përveç se lidership frikacak dhe me bisht nën derë. Pse një shtet i pavarur e sovran siç është Shqipëria do të duhej të kishte ndrojtje ndaj së drejtës për tu kujdesur për qytetarët e saj jashtë kufijve, aq më pak që padrejtësitë historike janë tanimë të qarta edhe për vendet tjera”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas Abazit, udhëheqësve tanë u mungon guximi për të ofruar të drejtat minimale për qytetarët dhe se nuk ka arsye që të mos ketë shtetësi të dyfishtë për shtetasit e Kosovës, Maqedonisë e Preshevës.

“Arsyeja pse Micotakis e sulmon Shqipërinë për ndërtimet në Himarë është që të zhvendos vëmendjen nga çështja e Çamërisë. Arsyeja pse Serbia merret me çështjen e serbëve në Kosovë është që të mos hapet çështja e shqiptarëve të vrarë dhe të deportuar "muhaxhirët e Nishit". Por nuk është faji as i Greqisë e as i Serbisë se kemi udhëheqës të cilët nuk kanë guximin për të ofruar të drejtat minimale për qytetarët. Sikur shqiptarët të kishin nisur pesë luftëra dhe të kishin shkaktuar gjenocid, po kjo është pakurriz dhe lidership që më shumë mbrojnë individë të involvuar në trafikim droge se sa interesin kombëtar. Nuk ka arsye të mos ketë shtetësi të dyfishtë për shtetasit e Kosovës, Lugina e Preshevës, shqiptarët e Maqedonisë. Nuk ka kohe që të jemi lypës dhe me kokë nën këmbë”, ka përfunduar Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat