Dy mënyrat për formimin e ushtrisë së Kosovës

Politika

Dy mënyrat për formimin e ushtrisë së Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 nëntor 2017 Në ora: 16:56
Ilustrim

Formimi i ushtrisë së Kosovës është një çështje mjaft me rëndësi për vendin, derisa Kosova vazhdon të ketë vetëm Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Shpesh është thënë që formimi i saj mund të zgjatë për vite e po ashtu që ajo po mbahet peng nga Lista Serbe.

Mirëpo, analisti politik Ali Hertica thotë se ushtria duhet të bëhet me veprime të caktuara, me fuqizim të kapaciteteve që i ka shteti i Kosovës

“Juridikisht janë të mundshme dhe të lejueshme dy mënyra për formimin e FAK-ut në Kosovë. E para, është me ndryshimet kushtetuese, duke bërë ndryshime dhe nëpërmjet të cilave formohet ushtria. Kjo formë e formimit është me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve dhe me 2/3 e deputetëve jo shqiptarë, të minoriteteve. Formimin e tillë po e përkrah NATO dhe SHBA. Pra, kërkohet punë konkrete në këtë çështje, gjë që është shumë larg të formimit. Së dyti, është formimi i ushtrisë me ligj, pa bërë ndryshime kushtetuese e ku nuk kërkohen 2/3 e deputetëve dhe të minoriteteve, po vetëm shumica, 50 + 1% të deputeteve që votojnë”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, Lista Serbe nuk mund ta ndalojë formimin e ushtrisë dhe se ushtria nuk është kundër askujt që jeton në Kosovë.

“Me formimin e ushtrisë në Kosovë, ndryshimet kushtetuese dhe formimi i ushtrisë me ligj nuk do ketë shanse teorikisht që Lisa Serbe të  ndalojë formimin e ushtrisë sepse formimi i saj mund të bëhet edhe pa pëlqimin e Listës Serbe. Kjo, sepse kjo parti është e ndikuar nga Beogradi, nuk duhet të pritet që të ndryshojnë mendim për këtë çështje dhe krerët e shtetit nuk duhet të hezitojnë për këtë hap drejt formimit të saj, sepse ushtria nuk është kundër askujt që jeton në Kosovë”, ka deklaruar Hertica.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat