Vetëvendosje drejt koalicionit me LDK-në? - Bota Sot
Vetëvendosje drejt koalicionit me LDK-në?

Politika

Vetëvendosje drejt koalicionit me LDK-në?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 nëntor 2017 Në ora: 15:44
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje tashmë kanë arritur të gjejnë një “gjuhë” të përbashkët bashkëpunimi nëpër komuna.

Dy partitë opozitare, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, kishin disa takime për të formuar qeverinë, pasi koalicioni qeverisës në atë kohë nuk i kishte numrat, por takimet e tyre nuk jepnin rezultat.

Në zgjedhje lokale qëndrimet e LDK-së dhe VV-së kanë ndryshuar në raport me njëra-tjetrën, duke krijuar kështu në dy komuna marrëveshje bashkëpunimi dhe në një komunë “bashkarisht” përkrahin AAK-në për ta rrëzuar PDK-në.

Duke i parë këto bashkëpunime komunale, Vetëvendosje nuk e përjashton që në të ardhmen të kenë një koalicion qendror me LDK-në.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, duke folur për “Bota sot”, është shprehur se është herët të flasin për një koalicion qendror, sepse është një shumicë qeveritare.

Image
Shqipe Pantina

Por, sipas Pantinës, është dashur të vazhdohen bisedimet LDK-VV pas zgjedhjeve të 11 qershorit, në mënyrë që të largohej PDK-ja.

 “Nuk e di, është herët të flasim për këtë punë pasi që ne tashmë e kemi një shumicë, e kemi një qeveri. Ne kemi tentuar të lidhim koalicion me LDK-në për ta larguar PDK-në nga pushteti edhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit , por nuk ka pasur një gatishmëri për këtë që të vazhdohen bisedimet, ata çdoherë kanë dhënë arsyetimet e tyre, duke thënë fillimisht që të shfrytëzohet e drejta e PAN-it për të provuar kandidatin e tyre që e kishin emëruar kandidatin e tyre për Kryeministër. Unë mendoj se megjithatë ne është dashur të vazhdojmë bisedimet për marrëveshje dhe të sinjalizonim marrëveshjen edhe pse PAN-i provonte të zgjidhte qeverinë, mirëpo kështu e ka gjykuar në atë kohë LDK-ja”, ka pohuar Pantina.

Deputetja e Vetëvendosjes nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen, Vetëvendosje të ketë një bashkëpunim me LDK-në, mirëpo e gjitha varet nga koha e zgjedhjeve, rezultati, ndikimi dhe qëndrimi i LDK-së karshi programit të tyre zgjedhor.

“Tani për të ardhmen është vështirë të thuhet qysh tani, sepse bisedimet e para janë kur do të jenë zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe si do të jetë rezultati i atyre zgjedhjeve, nëse do të jetë subjekti i parë politik, çfarë përqindje do të fitojë e kështu me radhë. Megjithatë, nuk e përjashtoi mundësinë që të ketë një bashkëpunim me LDK-në, por gjithmonë varet nga koha e zgjedhjeve, rezultati dhe ndikimi, por mbi të gjitha edhe nga qëndrimi i LDK-së karshi programit zgjedhor me të cilin ne do të garojmë”, ka theksuar Pantina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat