EULEX-it t’i ndërpritet mandati, kërkohet hetim për të

Politika

EULEX-it t’i ndërpritet mandati, kërkohet hetim për të

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 nëntor 2017 Në ora: 20:48
EULEX

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë ditë më patë se është koha që Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) të përfundojë mandatin e tij.

Një gjë e tillë duhet të bëhet, pasi sipas tij, Kosova është e gatshme të funksionojë si shtet.

“Jemi duke biseduar për fazën transitore me EULEX-in, sepse ata janë të pranishëm në sistemin tonë të drejtësisë në forma të ndryshme. Unë mendoj që Kosova ka arritur të ndërtojë kapacitet mbi të cilat mund të funksionojë tutje. Çfarëdo ndihme që na vjen nga faktori ndërkombëtar është e mirëseardhur. Mirëpo, mendoj se është koha që të hyjmë në fazën transitore dhe ato kompetenca që EULEX-i i ka t’i transferojë tek institucionet e Kosovës”, ka deklaruar ministri Tahiri në emisionin “Puls”.

Image
Albulena Haxhiu

Vetëvendosja kundër qëndrimit të EULEX-it

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Vetëvendosje ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtojë mandatin e EULEX-it dhe madje kanë kërkuar hetim për të.

“Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka kundërshtuar misionin e EULEX-it, njësoj sikur edhe atë të UNMIK-ut. Ne konsiderojmë që kanë qenë mision mbi ligjin, pra si kanë dhënë raport askujt e po ashtu është e padrejtë që nuk kanë njohur shtetin e Kosovës. U instalua në Kosovë kinse për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, mirëpo prokurorë e gjyqtarë të këtij misioni u korruptuan vetë dhe peshqit e mëdhenj i lanë të lirë për t'u pasuruar tutje. Nëse e bëjmë një vlerësim të këtij misioni duket që qëllimi i tij ka qenë kriminalizimi i luftës së UÇK-së, kjo është padrejtësi e madhe. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë është se ka kohë që tek ne flitet për përfundimin e misionit të EULEX-it. Pikërisht ata që premtojnë në vazhdimësi, vazhdojnë mandatin e EULEX-it. Ne përveç që kemi kundërshtuar këtë mision që veç drejtësi s’ka sjellë, kemi kërkuar edhe hetim për këtë mision, mirëpo ndonëse Kuvendi pati votuar rekomandimet tona, nuk janë zbatuar”, është shprehur ajo.

Sipas saj, një deklaratë e tillë e ministrit Tahiri është më shumë për konsum politik, por që ajo thotë se misioni duhet të përfundojë dhe të bëhet transformim i sistemit të drejtësisë.

“Tahiri duket më shumë e bënë për konsum politik, sesa për diçka tjetër. Misioni sigurisht që duhet të përfundojë. Ajo për çfarë ne kemi nevojë është transformimi i sistemit të drejtësisë, por janë pikërisht misionet e dështuara që e kanë lënë kësisoj sistemin e drejtësisë, të kapur, e të deformuar, e me shumë probleme. Sistemi i drejtësisë, pra duhet të transformohet. Po ashtu, vettingu është i rëndësishëm. Por, as Abelard Tahiri dhe as kryeministri aktual këto s’mund t'i bëjnë, sepse çfarëdo që këta përpiqen të bëjnë, do bëjnë edhe më keq sesa që është”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Image
Tomë Gashi

Gashi: BE të ndërpres misionin e EULEX-ut

Se misioni i EULEX-it duhet të përfundojë dhe të gjitha çështjet duhet të kalojnë tek vendorët mendon avokati Tomë Gashi.

Sipas tij, nuk është e nevojshme që të jetë edhe EULEX-i, edhe Gjykata Speciale, të cilat janë të formuara të dyja nga BE-ja.

“Sigurisht që ministri Abelard Tahiri ka të drejtë me prononcimet apo deklaratat e tij, që ka deklaruar se tashmë është koha që EULEX të largohet nga Kosova dhe se të gjitha çështjet gjyqësore, juridike duket të kalojnë tek vendorët, në duart e policisë së Kosovës, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Kosovës. Janë tashmë 9 vite nga shpallja e pavarësisë dhe që nga viti 2008 e deri më tash e kemi pasur EULEX-in, një mision që ka qenë shtesë për organet kompetente të Kosovës dhe qysh në vitin 2015, në gusht të vitit 2015 me rastin e votimit të gjykatës speciale, unë besoj se qysh atëherë ka qenë koha që misioni i EULEX-it të mos ekzistojë më, posaçërisht me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, atëherë nuk ka kurrfarë nevojë që të kemi dy misione paralele, misionin e EULEX-it dhe Gjykatën Speciale në Hagë, të cilat janë të formuara nga një institucion i vetëm, e që është Bashkimi Evropian dhe se puna e EULEX-it do të duhej të ndërpritej”, ka deklaruar Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Avokati vlerëson se ka vështirësi tek kalimi i lëndëve, që janë teknike, por që EULEX nuk duhet të vazhdojë mandatin më në Kosovë, sepse nuk ka kuptim juridik e as formal, sepse ai dhe Specialja e bëjnë të njëjtën punë.

“Unë e di që është paksa e vështirë, por është çështje teknike që të kalojnë të gjitha lëndët tek vendorët, gjyqtarët dhe prokurorët vendorë, mirëpo është koha që nëse ne jemi shtet i pavarur, atëherë duhet ta pavarësojmë edhe sistemin juridik tonin, nuk mundemi që më tepër se 17 vite pas çlirimit të Kosovës të jemi nën tutorët e huaj, më herët ka qenë UNMIK-u, tani EULEX-i dhe tani kjo nuk ka kurrfarë kuptimi as juridik as formal dhe asnjë kuptim tjetër. Posaçërisht formimi i Gjykatës Speciale në Hagë, fillimi i punës së saj e bënë krejtësisht të panevojshëm misionin e EULEX-it në Kosovë, sepse janë misione paralele dhe munden ta plotësojnë njëra- tjetrën, por ne me dy misione të huaja, me EULEX-in dhe Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë, atëherë po i bie që thuajse jemi totalisht të paaftë për t’u marrë me punët tona. Kështu që unë besoj që deklarata e ministrit është e qëlluar”, ka theksuar Tomë Gashi.

Image
Adrian Gjoshi

Gjoshi: Prania ndërkombëtare në sistemin gjyqësor të Kosovës vazhdon të jetë e nevojshme

Në anën tjetër, avokati Adrian Gjoshi e sheh të nevojshëm vazhdimin e EULEX-it në Kosovë, pasi mungon vullneti për të pasur sundim të ligjit.

“Edhe pse shpesh dhe me të drejtë misioni i EULEX-it është kritikuar për (mos) punën e tij, mendoj se prania ndërkombëtare në sistemin gjyqësor të Kosovës vazhdon të jetë e nevojshme. Institucionet tona vazhdojnë të jenë larg pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të kërkuar. Deri tani, jemi dëshmitarë se politika dhe grupet e tjera të interesit kanë depërtuar në sistemin gjyqësor; jemi dëshmitarë se ka munguar vullneti për të pasur sundim të ligjit. Prandaj, sistemi gjyqësor në Kosovë nuk mund të quhet vetëm i brishtë, sepse në disa drejtime, sistemi gjyqësor është totalisht i bankrotuar”, vlerëson Gjoshi.

Sipas tij, gjykatat kanë dështuar të bëjnë trajtim të barabartë mes personave që janë përballur me ligjin.

“Organet e ndjekjes dhe gjykatat tona kanë dështuar që të mos bëjnë dallime dhe trajtime të ndryshme në mes të njerëzve të “profilit të lartë”, “profilit të mesëm” dhe “profilit të ulët”. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para drejtësisë. Përfundimisht, meqë kemi një dështim kaq skandaloz, të turpshëm; dhe meqë kemi zbehje deri në zhdukje të besimit qytetarë në organet e drejtësisë - prezenca ndërkombëtare duhet të vazhdojë”, ka deklaruar avokati Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Image
Ramush Tahiri

Të përfundohen lëndët e nisura

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri thotë se EULEX-i duhet t’i përfundojë lëndët e nisura më herët dhe nuk mund të marrë lëndë të reja.

Sipas tij, Kosova i ka kapacitetet që të kryej punët në sundimin e ligjit.

“Edhe ashtu EULEX-i nga viti i kaluar nuk ka të drejtë të marrë asnjë rast të ri. Pra, misioni i tij tash është i kufizuar dhe duhet t’i përfundojë lëndët e nisura më herët...Pra, si çdo mision ndërkombëtar në Kosovë duhet ta ketë mandatin e qartë dhe në objektivë, pra fushëveprim dhe në kohë. Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe i pavarur me subjektivitet të plotë ndërkombëtar që do të thotë për çdo mision në territorin e saj duhet të ketë marrëveshje me të cilën janë të përcaktuara obligimet dhe detyrat. Kosova ashtu edhe si shtetet e tjera duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat institucionale në të gjithë territorin. Shteti i ka kapacitetet për kryerjen e punëve në sundim të ligjit dhe në siguri lëndët që nuk arrin t’i përfundojë EULEX-i, me automatizëm kalojnë te institucionet dhe organet e Republikës së Kosovës. Kjo është një procedurë normale dhe e zakonshme”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat