Bulliqi "dështoi", kërkohet nga Haradinaj të jap llogari para qytetarëve

Politika

Bulliqi "dështoi", kërkohet nga Haradinaj të jap llogari para qytetarëve

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 nëntor 2017 Në ora: 07:26
Shpejtim Bulliqi dhe Ramush Haradinaj

Komisioni i ri për Demarkacionin i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, nuk ka sjellur ndonjë fakt shtesë që argumenton pretendimet e tij se Kosova humb territor, thonë analistët politikë dhe deputetë të LDK-së dhe ata të PDK-së.

Sipas tyre, kauza e Demarkacionit po shërben për qëllime politike, por që po i dëmton më së shumti qytetarët e vendit.

Për këtë, ata thonë se është kryeministri Haradinaj, ai i cili duhet të japë llogari para qytetarëve për bllokim të këtij procesi që është kushti kryesor për liberalizimin e vizave.

Image
Blerim Burjani

Komisioni i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi është futur në aventura politike

“Kuptohet se duhet dhënë llogari para Kuvendit dhe qytetarëve për këtë sjellje inat çore të pakuptim që ka izoluar plotësisht qytetarët e Kosovës”, ka theksuar për “Bota sot”, analisti politik Blerim Burjani.

Ai e konsideron si të dështuar edhe komisionin e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

“Kuptohet se ka dështuar dhe nuk duhet të humbet më kohë dhe të shpenzohen para për këtë temë. Tash ka ndodh si ka ndodh demarkacioni i nënshkruar më herët në Austri mbetet në fuqi nga Mali i Zi, i cili e ka aprovuar nënshkrimin e qeverise parlamenti malazias”, ka thënë më tej Burjani.

Image
Leon Duhanaj

Edhe analisti tjetër, Leon Duhanaj është shprehur se komisioni i tanishëm është futur në aventura politike se sa faktike, dhe pikërisht sipas tij, këtu qëndron problemi.

“Por, për mendimin tim, ky vendim duhet të bëhet me arsyeje edhe të merren parasysh shumë fakte tjera, të cilat janë me të rëndësishme se sa vetë problemi”, tha Duhanaj për “Bota sot”.

“Jam i bindur që demarkacioni ka marrë fund me nënshkrimin e tij. Krejt çfarë tani ndodhë, është maskaradë politike. Mos harroni se Kosova është çliruar dhe, është shpallur shtet, bazuar në hartat që posedojnë miqtë e Kosovës”, shtoi më tej ai.

Partitë politike ende me qëndrime të kundërta për demarkacionin

Nga ana tjetër, partitë politike ende vazhdojnë të mbesin me qëndrime të kundërta.

Përderisa në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në Partinë Demokratike të Kosovës  thonë se versioni aktual i Demarkacionit është në rregull, Lëvizja Vetëvendosje thotë se kryetari i komisionit të ri për Demarkacionin, Shpejtim Bulliqi ka sjellë fakte te reja se Kosova humb territor.

Image
Ali Lajçi

“Komisioni ka paraqitur fakte të mjaftueshme pse është kundërshtuar versioni aktual i demarkacionit, vetëm se vazhdon ajo injoranca e kahershme që ka krijuar krizë politike dhe dëshiron që të mbajë krizën edhe tani. Kurse, faktet janë të bollshme prej fillimit, edhe ato çfarë kanë qenë janë të bollshme edhe me këto veç po vërtetohen gabimet”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi për Bota sot”.

“Krejt faktet e mëhershme janë bazë për ta hedhur poshtë këtë version, i cili e dëmton Kosovën. E këto faktet e reja vetëm sa e përforcojnë kundërshtimin të cilat do jenë pjesë e raportit përfundimtar të komisionit të ri”, tha më tej ai.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet t’ia heq Kosovës kushtin e demarkacionit për liberalizim të vizave.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është shprehur se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë me ato fjalë që i ka thënë Bulliqit në mbledhjen e komisionit parlamentar.

Image
Armend Zemaj

“Në këtë momentum çfarë jemi ju si anëtarë të Komisionit, është mendimi im, sot nuk dëgjova asgjë të re, ama fare hiq, ose jam i informuar në tërësi. Mirëpo, nëse mund të thoni ju se treguat diçka të re nga ajo që e kemi dëgjuar ndër vite dhe ka qenë pjesë e debateve. Andaj, nuk ka diçka të re që neve si deputetë Kuvendit të Kosovës na bënë koshient apo vigjilent se ne do të kemi një rekomandim se si do të ecim tutje”, shtoi Zemaj. 

Ngjashëm me Zemajn ka thënë edhe deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, i cili është shprehur se nuk ka se cfarë të thotë me shumë nga ajo cfarë ka thënë në mbledhje të komisionit.

Image
Zenun Pajaziti

“Atë herë keni pretenduar me fol më shumë si ekspert, keni qenë politikanë, e sot si keni folë. Kam pritur që të keni më shumë argumente me ekspertët për të treguar diçka më konkrete se sa që i thatë ato sot. Nuk mendoj, edhe po të sjelli hartat që abuzojnë me ato hartat e juaja këtu, por mendoj se është një moment me i nxjerrë ato argumente të cilat e mbyllin këtë storie, që ndihmojnë institucionet e Kosovës me mbyllë këtë çështje pas një kohe të gjatë…  ne dëgjuam vetëm për ish komisionin”, deklaroi deputeti Pajaziti gjatë mbledhjes së komisionit. 

Ndryshe, Shpejtim Bulliqi se bashku më anëtarët e komisionit të ri për demarkacionin ka raportuar para anëtarëve të komisionit për Integrimeve Evropiane lidhur me të gjeturat e dokumentacionit për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat