Javën tjetër nis “tërmeti” i Speciales, Trendafilova tregon kur ngritën aktakuzat

Politika

Javën tjetër nis “tërmeti” i Speciales, Trendafilova tregon kur ngritën aktakuzat

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 nëntor 2017 Në ora: 09:34
Ekaterina Trendafilova

Zyrtarët e Gjykatës Speciale e kanë konfirmuar për gazetën “Bota sot”, se Kryetarja Ekaterina Trendafilova gjatë javës së ardhme do të qëndrojë për vizitë në Kosovë. Njohësit juridikë, thonë se ardhja e saj në vend tregon se ky institucion është kompletuar dhe shumë shpejt pritet të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para ndaj personave të dyshuar. Nga ana tjetër, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, OVL-UÇK e kundërshtojnë vizitën e Ekaterina Trendafilova në Kosovë.

Gjykata Speciale ka konfirmuar vizitën e kryetares së saj, Ekaterina Trendafilova në Kosovë për javën e ardhshme.

Në një përgjigje ekskluzive për “Bota sot”, zyrtarët për Informim dhe Komunikim Publik të Speciales, thonë se vizita e saj në Kosovë ka për qëllim informimin për të rejat më të fundit në lidhje me veprimtarinë e këtij institucioni.

“Gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë javën e ardhshme, Kryetare Trendafilova do të ketë takime dypalëshe me zyrtarë dhe organizata shtetërore si edhe do të mbajë një fjalë në një veprimtari informuese dhe ndërgjegjësuese për organizatat e shoqërisë civile të cilat do t’i informojë për të rejat më të fundit në lidhje me veprimtarinë e Dhomave të Specializuara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Njësitit për Informim dhe Komunikim Publik të Dhomave të Specializuara për Kosovën.

Juristët: Trendafilova tregon se shumë shpejt mund të ngriten aktakuzat

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve juridike thonë se vizita e saj në Kosovë tregon se shumë shpejt pritet të ngriten aktakuzat e para ndaj personave të akuzuar.

 “Sigurisht që Kryetarja e Gjykatës Speciale nuk është duke ardhur në Kosovë për vikend, nuk ma merr mendja që ka ndonjë arsyeje tjetër që të vijë në Kosove, përveç se të tregojë haptazi se Gjykata Speciale është funksionale dhe se i pret akuzat e para të cilat duhet të ngriten nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë”, thotë për “Bota sot”, avokati i njohur Tomë Gashi. 

Image
Tomë Gashi

Ai thotë, se tanimë fillimi i punës së Gjykatës Speciale është shumë afër dhe se askush nuk e dinë kush do të jenë të akuzuarit e parë në këtë Gjykatë. 

“Një ndër të këqijat që kjo Gjykatë sjellë është edhe pasiguria juridike e personave të caktuar që mund të jenë shënjestër e Gjykatës Speciale dhe Gjykatë e cila do të jetë permanente mbi kokën e individëve potencialisht të akuzuar për periudhën prej 5 deri në 15 vitet e ardhshme”, tha më tej ai.

Por, Gashi thotë se nuk beson se ajo do të intervistojë ndonjë person të dyshuar.

“Unë nuk besoj që Kryetarja e Gjykatës do të takojë persona potencialisht të akuzuar, emrat e të cilëve ajo në mënyrë diskrete edhe mund t’i di, ngase duhet të ketë bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Special ne Hagë”, shtoi Gashi.

Edhe avokati tjetër, Adrian Gjoshi, thotë kjo vizitë ka për qëllim që të konfirmojë përfundimisht gatishmërinë dhe bashkëpunimin e institucioneve relevante të Republikës së Kosovës me Gjykatën Speciale.

Image
Adrian Gjoshi

“Vizita zyrtare e Ekatarina Trendafilova është në saje të bashkëpunimit dhe obligimit që Kosova ka marrë përsipër lidhur me punën e Gjykatës Speciale. Pas hyrjes në fuqi të Direktivës për Avokatë, Trendafilova me gjasë do të komentojë rëndësinë e kësaj Direktive dhe do të përsëris interesimin që ajo si Kryetare e Dhomave të Specializuara të bashkëpunojë me Avokatët dhe Odën e Avokatëve të Kosovës”, shtoi Gjoshi.

Shpresa tek Specialja për zbardhjen e vrasjeve politike

Ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari edhe pse shprehet skeptik ndaj kësaj gjykate, ai thotë se ky institucion duhet t’i zbardhë vrasjet politike të pas luftës.

“Nga kjo gjykatë pritet shumë për zbulimin e vrasjeve politike të pas luftës, ku u vranë shumë intelektualë, komandantë, gazetarë dhe njerëz politikë. Unë dyshoj se kjo gjykatë do merret seriozisht me këto vrasje politike”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Ai është shprehur se në rast se kjo gjykatë merret me njerëz të vegjël dhe jo me urdhëruesit e vrasjeve politike, do ishte vetëm një tallje tjetër me viktima, siç u tallen gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it dhe sidomos gjykatat e Kosovës.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime, përpos të ndonjë individi të veçantë.

“UÇK bëri luftë shumë të pastër në rrethana çfarë ishin në atë kohë, por krimet e mundshme individuale, por edhe komandues, llogarinë kryesore duhet të japë vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe grupi i tij që rrinin në Tiranë, pasi gati asnjë vrasje me pushkatim, atentat apo arrestim dhe keqtrajtim të burgosurish nuk ka mundur të bëhet pa dijen dhe miratimin e Hashim Thaçit dhe shtabit të tij në Tiranë”, tha Miftari.

Për shkak të luftës së pastër, Miftari thotë se UÇK do të dalë triumfuese edhe nga kjo gjykatë.

“Sipas mendimit tim, lufta e shenjtë e UÇK-së do dalë përsëri triumfuese nga kjo gjykatë dhe sipas mendimit tim, kjo gjykatë do ta dëmtojë shumë, Kosovën dhe popullin e saj. Pra, do ta dëmtojë viktimën, por jo xhelatin”, shtoi ai.

Mehmeti: Specialja dëmton deri në palcë PDK-në

Image
Faton Mehmeti

Nga ana tjetër, analisti politik Faton Mehmeti thotë se lajmi për vizitën e zonjës Ekaterina Tredafilova i vë në siklet ata që kanë frikë se mund të jenë si të dyshuar potencialë.

“Vizita e zonjës Ekaterina Trendafilova është lajm i mirë për Kosovën, por i trishtuar për keqbërësit. Këta të fundit janë në siklet, pasi po e kuptojnë se e vërteta do i tmerrojë, duke u dhënë fund rehatisë se tyre nën maskën e çlirimtarit”, tha Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, Gjykata Speciale do e dëmtojë deri në palcë PDK-në, njerëzit e së cilës janë target i Gjykatës Speciale.

“Nga java e ardhshme Kosova fillon të çlirohet nga keqbërësit, ndërkohë që për këta të fundit numërimi mbrapsht ka filluar. PDK do rrënohet, pasi është e ndërtuar mbi gënjeshtra, mashtrime dhe vrasje dhe korrupsion. Rënia e PDK do të thotë ngritje për Kosovën, zhvillim dhe të ardhme më të mirë”, shtoi Mehmeti.

Edhe, ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se PDK-ja mund të jetë subjekti që mund të dëmtohet më së shumti nga aktakuzat e Speciales.

“Besoj se kjo gjykatë masë shumti do dëmtojë PDK-në dhe AAK-në, pra rajonin e Drenicës dhe Dukagjinit, aty ku kishte luftë, edhe pse ishte shume e vështirë ta kishe gjendjen nën kontroll në kohë lufte kur lluftarët ishin vullnetarë dhe jo ushtarë profesionalë”, tha ai.

OVL-UÇK, kundërshton vizitën e kryetares Trendafilova

Image
Xhavit Jashari

Nga ana tjetër, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Xhavit Jashari thotë se duhet kundërshtuar vizita e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekataraina Trendafilova.

“Ne jemi edhe kundër vizitës së saj, sepse kjo nuk është një vizitë për të mirën e vendit, nuk është vizitë që e çmon dhe e respekton, por përkundrazi e nënvlerëson dhe i fyen rëndë gjithë ata djem dhe ato vajza që e kanë bërë luftën e drejtë në Kosovë”, tha Jashari për “Bota sot”.

Ai thotë, se kjo gjykatë është diskriminuese për popullin dhe për luftën e pastër të UÇK-së.

“Prandaj, ky ka qenë gabimi fatal që është krijuar mundësia që të krijohet Gjykata Speciale në këtë kohë dhe me pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime. Edhe ata që e kanë marrë me qëllime të caktuar për të njollosur luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ata që e kanë pritur dhe votuar një gjykatë të tillë e dinë se kush kanë qenë kriminelët dhe kush ka bërë krime në Kosovë, kur kihet parasysh se nuk ka vend në Kosovë që nuk ka varre të rënëve, nuk ka varre të viktimave civile dhe masakra në të gjitha komunat e Kosovës”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat