Opozita e bashkuar për rrëzimin e Qeverisë

Politika

Opozita e bashkuar për rrëzimin e Qeverisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 nëntor 2017 Në ora: 15:44
LDK -Vetëvendosje

Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri të dielën ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kandidati për kryetar Komune nga LDK, Xhafer Tahiri, ka thënë se shpreson se kjo marrëveshje të shërbejë si shembull për komunat e tjera.

“Dua që kjo marrëveshje të shërbejë si shembull për të gjitha komunat në mënyrë që të kemi ndryshim rrënjësor në qeverisje”, ka thënë Tahiri.

Vushtrria nuk është komuna e vetme ku LDK dhe VV janë në bashkëpunim kundër PDK-së.

Kaçaniku dhe Klina janë dy komuna tjera që LDK dhe VV janë në bashkëpunim kundër Partisë Demokratike të Kosovës.

LDK në Kaçanik në zgjedhjet për balotazh që do të mbahen në këtë komunë, do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje.

Përkrahja e LDK-së për VV-në dhe kandidatin e tyre, Basri Kodra, kundër PDK-së dhe kandidatit Besim Ilazi, është konfirmuar nga kryetari i degës së LDK-së, Selim Reka.

Reka ka thënë se kanë mbajtur takim me kryetarët e nëndegëve dhe u vendos që Kodra të përkrahet pa kushte.

Ndërsa, në Klinë, LDK bashkë me VV do ta përkrahin AAK-në kundër PDK-së.

Ky përafrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti këto opozitare në nivel qendror, nga analistët politikë parashihet si diçka pozitive dhe një mundësi që në të ardhmen, këto dy parti të formojnë koalicion për zgjedhjet parlamentare.

Ndërkaq, një koalicion i gjerë nga LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk përjashtohet as nga ata vetë.

Pantina: Gabuam që ndalëm bashkëpunimin me LDK-në

Image
Shqipe Pantina

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, duke folur për gazetën “Bota sot”, është shprehur se është herët të flasin për një koalicion në nivel qendror, sepse tashmë është një shumicë parlamentare.

Sipas Pantinës, pas zgjedhjeve të 11 qershorit Vetëvendosje dhe LDK-ja është dashur t’i vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë.

“Nuk e di, është herët të flasim për këtë punë pasi që ne tashmë e kemi një shumicë, e kemi një qeveri. Ne kemi tentuar të lidhim koalicion me LDK-në për ta larguar PDK-në nga pushteti edhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit , por nuk ka pasur një gatishmëri për këtë që të vazhdohen bisedimet, ata çdoherë kanë dhënë arsyetimet e tyre, duke thënë fillimisht që të shfrytëzohet e drejta e PAN-it për të provuar kandidatin e tyre që e kishin emëruar kandidatin e tyre për Kryeministër. Unë mendoj se megjithatë, ne është dashur të vazhdojmë bisedimet për marrëveshje dhe të sinjalizonim marrëveshjen edhe pse PAN-i provonte të zgjidhte qeverinë, mirëpo kështu e ka gjykuar në atë kohë LDK-ja”, ka pohuar Pantina.

Deputetja e Vetëvendosjes nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen, Vetëvendosje të ketë një bashkëpunim me LDK-në, mirëpo e gjitha kjo sipas saj, varet nga koha e zgjedhjeve, rezultati, ndikimi dhe qëndrimi i LDK-së karshi programit të tyre zgjedhor.

“Tani për të ardhmen është vështirë të thuhet qysh tani sepse bisedimet e para janë kur do të jenë zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe si do të jetë rezultati i atyre zgjedhjeve, nëse do të jetë subjekti i parë politikë çfarë përqindje do të fitojë e kështu me radhë. Megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë një bashkëpunim me LDK-në, por gjithmonë varet nga koha e zgjedhjeve, rezultati dhe ndikimi, por mbi të gjitha edhe nga qëndrimi i LDK-së karshi programit zgjedhor, me të cilin ne do të garojmë”, ka theksuar Pantina.

LDK synon qeverinë e shumicës

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se niveli lokal dallon nga niveli qendror dhe kësisoj LDK-ja fillimisht synon ta kthejë besimin e plotë të qytetarëve.

Sipas saj, në komuna ku nuk përcaktohet fituesi, krijohen koalicionet që janë në përputhje me programet dhe për të krijuar shumicën në kuvend.

“Zgjedhjet lokale janë zgjedhje të cilat drejtpërdrejtë ofrojnë zgjidhje për qytetarët në lokalitete të caktuara. Në ato komuna ku nuk përcaktohet fituesi, krijohen koalicione në përputhje me programet dhe për të krijuar shumicën në Kuvend! Niveli lokal dallon nga ai qendror, sepse LDK synon të kthejë besimin e plotë qytetar dhe të krijojë një qeveri të shumicës në të ardhmen. Trendi i besimit qytetar është në rritje për LDK, si alternativa më e mirë dhe e arsyeshme. Këtë trend e kanë konfirmuar zgjedhjet lokale, ku LDK doli si parti e parë dhe me të drejtë pritjet tona janë që edhe në zgjedhjet qendrore të cilat mund të mbahen shumë shpejt të dalim triumfues dhe të kthejmë dinjitetin në interesa të qytetarëve të këtij vendi”, ka pohuar deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku- Rexhepi.

Ndërsa, analistët politikë janë shprehur për “Bota sot” se marrëveshjet për mbështetje reciproke në balotazh mund të shfrytëzohen edhe për një qëllim në të ardhmen.

Dugolli: Balotazhi të shfrytëzohet për një qëllim në të ardhmen

Image
Ilir Dugolli

Analisti politik, Ilir Dugolli, ka pohuar për “Bota sot” se është tërësisht normale që LDK dhe VV të tentojnë pushtetin qendror, pasi që janë në opozitë.

“Koalicionet si të tilla që janë, nuk duhet të krijonin paragjykime, ato para se gjithash do të duhet të kishin harmonizim të programeve përkatëse qeverisëse. LDK dhe VV janë në opozitë dhe krejt normale do të ishte që të synonin pushtetin qendror. Mirëpo, ta ndihmojnë njëra-tjetrën për balotazh, kjo mbetet të kuptohet tërësisht në kuadër të nivelit komunal që nuk jep ndonjë sinjal të qartë për nivelin qendror, të paktën deri më sot”, ka nënvizuar Dugolli.

Sipas tij, marrëveshjet për balotazh mund të shfrytëzohen për një qëllim në të ardhme dhe mund të ndodhë që këto dy subjekte të kenë të njëjtin target, pra atë të marrjes së pushtetit qendror.

“Marrëveshjet për mbështetje reciproke në balotazh, mund të shfrytëzohen edhe për një qëllim në të ardhmen. Kjo ndodhë se dy subjektet kanë të njëjtin target, atë të marrjes së pushtetit qendror. Ndërsa, sa i përket koalicioneve parazgjedhore nuk e besoj se do të vinte në konsideratë nga asnjëra palë. Sepse me koalicion nuk matet qartë fuqia elektorale, përderisa LDK thotë se jemi partia e parë në vend, ashtu edhe edhe VV deklaron te njëjtën”, ka theksuar Dugolli.

Burjani: Zgjedhjet parlamentare nuk janë larg

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se komuna e Prishtinës dhe disa veprime të Vetëvendosjes, kanë bërë që LDK-ja të mos bëhet me VV-në.

Sipas Burjani, përafërimet LDK-VV, janë pozitive dhe në të ardhmen mundet që këto dy subjekte të garojnë bashkarisht në zgjedhjet paralemtare.

“Përafërimet LDK-VV,  duken pozitive, por rasti i komunës së Prishtinës dhe disa veprime të këtij subjekti gjithnjë, e më shumë kanë bërë jo valid që LDK të hyjë me këtë subjekt në politik në koalicion. Përndryshe, ky subjekt VV nuk dallon fare nga subjektet tjera, për nga mënyra e veprimit përveç kritikave të stërmodume dhe herë-herë shaka janë bërë në opinion çka po thonë, prandaj do të ishte pozitive që këto dy subjekte të hynë në koalicion për zgjedhje parlamentare, për të cilat them nuk do të shkojnë larg fare”, ka pohuar Burjani.

Bashkëpunimi si opozitë

Image
Faik Krasniqi

Ashtu sikurse analistët politikë tjerë, edhe analisti Faik Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që LDK-ja dhe Vetëvendosje të formojnë një koalicion të madh në zgjedhje parlamentare.

Sipas Krasniqit, Vetëvendosje dhe LDK-ja duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, sepse janë në opozitë.

“Deshën apo nuk deshën, Vetëvendosje dhe LDK duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, sepse janë në opozitë. Por, mbështetja në disa komuna që po i bëjnë njëra-tjetrës, nuk do të thotë që pikëpamjet e tyre po përafrohen. Zgjedhjet lokale kanë dallim me zgjedhjet e përgjithshme, dhe në çdo komunë shohim koalicione të ndryshme mes partive politike. Qëllimi i çdo partie dhe kandidati që ka arritur të shkojë në balotazh është fitorja, qoftë koalicion edhe me ''djallin''. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që do të bëhen bashkë në një koalicion të madh edhe në zgjedhje parlamentare, kurdo që ato do të mbahen”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit kishin zhvilluar edhe disa takime në mes veti, për t’i diskutuar idetë dhe projektet e tyre pas “bllokadës” së krijuar nga koalicioni fitues, i cili fillimisht nuk i kishte numrat për formimin e qeverisë, mirëpo nuk pajtoheshin në disa pika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat