“Dorëzohet” AAK, e pranon këtë sukses të Isa Mustafës

Politika

“Dorëzohet” AAK, e pranon këtë sukses të Isa Mustafës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 nëntor 2017 Në ora: 16:35
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Banka Botërore ka publikuar sot raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore për rritjen ekonomike, sipas së cilit, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe nga vendet e rajonit.

Sipas raportit, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit pritet të arrijë në 4.4 për qind, kurse në dy vitet e ardhshme kjo rritje pritet të arrijë në 4.8 për qind.

Ekonomisti i Bankës Botërore në Prishtinë Agim Demukaj, ka bërë të ditur se trendi i rritjes ekonomike në Kosovë, ka treguar performancë më të mirë sesa vendet e rajonit, duke theksuar se në këtë rritje ka ndikuar investimet, konsumi dhe eksporti.

E në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë pranuar se ky sukses, është meritë edhe e Qeverisjes së kaluar të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Duke komentuar rezultatin e këtij raporti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputetja e kësaj partie Time Kadrijaj, ka thënë se rritja mbi 4 për qind, është një arritje e Kosovës, gjegjësisht e institucioneve, të cilat sipas saj, po punojnë në këtë drejtim.

Image
Time Kadrijaj

Ajo ka thënë se shpreson që suksese të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe se çdo e arritur duhet të përshëndetet.

“Rritja ekonomike është një sukses dhe ky sukses duhet të bëhet publike. Ajo që është thënë që Kosova ka rritje ekonomike mbi 4 për qind mendoj se është arritje e Kosovës dhe e institucioneve, të cilat po punojnë dhe atë po bëjnë do të jetë një arritje e madhe. Ne shpresojmë që Qeveria të vazhdojë me suksese të tilla të njëpasnjëshme, që qytetarët të ndahen të kënaqur me një qeverisje të mirë siç ka qenë deri sot. Çdo e arritur duhet të përshëndetet”, është shprehur deputetja Kadrijaj.

Deputetja e AAK-së, e cila është në koalicion qeverisës me PDK-në, Nismën, AKR-në dhe Listën serbe, ka pranuar se megjithatë, meritor për këtë sukses, është qeveria e Isa Mustafës.

“Rritja ekonomike është ndikuar edhe nga qeveria e kaluar, duke vazhduar me sukses edhe nga kjo qeverisje, është një e arritur e Kosovës. Atributet nuk janë individuale, por janë kolektive, por edhe ashtu duhet t’i marrim”, ka pohuar Time Kadrijaj të enjten për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat