Tri projektligjet e mëdha për shtetin që Lista Serbe po i mban peng

Politika

Tri projektligjet e mëdha për shtetin që Lista Serbe po i mban peng

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 nëntor 2017 Në ora: 09:25
Lista Serbe

Partneri në koalicion qeverisës nga Lista Serbe vazhdon të mbajë peng miratimin e projektligjeve të rëndësishme për Kosovën. Përpos ligjit për shndërrimin e FSK-së në ushtri, lista serbe po mbanë peng edhe tri projektligje të tjera siç janë ai për Trashëgiminë Kulturore, Projektligji për Liritë Fetare dhe Plotësim ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Deputetët e opozitës thonë se është e padrejtë që ky subjekt politik t’i mbajë peng proceset e rëndësishme për shtetin. Ata i kërkojnë qeverisë që t’i dërgoj në Kuvend për ri-procedim këto projektligje.

Lista Serbe që është në koalicion qeverisës me koalicion PANA, po vazhdon t’i mbajë peng edhe tri projektligje të tjera shumë të rëndësishme për vendin, përpos atij për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Nga këto tri projektligje, është ai për Trashëgiminë Kulturore, Projektligji për Liritë Fetare dhe Plotësim ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë.

Dy projektligjet e para janë edhe kusht për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Në qeverinë e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për gazetën në pyetjet e dërguara në formë elektronike lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër, deputetët e partive të pozitës dhe të opozitës kërkojnë nga qeveria që të procedoj në Kuvend për miratim këto projektligje.

“Unë mendoj që pa humbur kohë duhet miratuar Projektligji për Trashëgiminë Kulturore. Pra, unë si deputete e Kuvendit, i uroj qeverisë që ta shfrytëzoj një hap të shpejt dhe të duhur për ta punuar ligjin”, tha për “Bota sot” deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

Image
Teuta Haxhiu

“Neve anëtarëve të Komisionit për Arsim është mirë që ky ligj të na vjen sa më parë në mënyrë që neve si deputet të punojmë në atë ligj dhe ta bëjmë një ligj vërtetë në interes të Republikës së Kosovës, e jo për interesa të asnjë komuniteti, por për interesa të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mbi të gjitha për shtetin e Kosovës në veçanti”, u shpreh ajo.

Ligji për trashëgiminë kulturore duhet të miratohet urgjentisht

Haxhiu thotë se nevojitet vullneti politik i të gjitha partive politike për këtë çështje.

“Maksimumi është dy muaj që unë e them që nëse ka vullnet dhe është interesi i të gjitha subjekteve politike, nëse nuk bëhet politik për interesa politike, por të punojmë për interesa të vendit”, thotë ajo.

Edhe kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi thotë se projektligji për Trashëgimin e Kulturore duhet miratuar sa më shpejt për faktin se ky është një kusht për UNESCO.

Image
Ismajl Kurteshi

“Ne e kemi të martën një takim më Këshillin për Trashëgimi Kulturore për të parë gjendjen e tyre, por miratimi i këtij projektligji nuk varet nga ne, por duhet të iniciohet nga qeveria dhe ministria përkatëse”, tha Kurteshi.

Ai thotë se ky ligj duhet të miratohet urgjentisht.

“Por, ajo që e dimë ne si komision se një ligj i tillë i duhet urgjentisht Kosovës, një ligj i mirë dhe që zbatohet, sepse nëse nuk zbatohet sikurse disa ligje të tjera efektet janë tepër të vogla, sepse dihen cilat janë dëmet të shkaktuara në këtë fushë prej pas luftës, për shkak të mos funksionimit të atyre rregullave që janë në fuqi”, tha ai.

“Me këtë projektligj në synojmë të kemi trajtim të barabartë dhe pasuritë kulturore do t’i vlerësojmë sipas vlerave artistike dhe historike që i kanë, e nuk do të bëhen dallim tjera për shkak të kulturës së ndryshme dhe kush u del zot atyre”, tha më tej Kurteshi.

Trashëgimia kulturore peng e Listës Serbe

Deputetët Kurteshi thotë se disa projekt ligje po mbahen peng për shkak të refuzimit të listës Serbe.

“Ne jemi në dijeni që Lista Serbe e kundërshton këtë ligj. Por kjo është shumë e padrejtë që ne po jemi peng për shumëçka për shkak të Listës Serbe, e cila hapur ka dal dhe po i pengon funksionimin normal të institucioneve”.

“Në komisionin tonë është peng edhe ligji për arsimin e lartë për shkak të Listës Serbe dhe Kosova duhet të dal prej kësaj situate ku vullneti i një pakice që duhet me ia respektuar të drejtat, por absolutisht nuk duhet dhënë mundësinë që ajo të pengojë shtetin”, shtoi Kurteshi.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu thotë se deputetët e Listës Serbe duhet të punojnë për interesa të shtetit.

Nuk i kemi pyetur deputetët e Listës Serbe, sepse nuk na ka ardhur ligji ende, por duhet të bashkëbisedohet dhe tu tregohet atyre se ata janë deputet të Republikës së Kosovës, sepse ata po i gëzojnë të mirat materiale dhe në të njëjtën kohë duhet të punojnë për realizimin e interesave të Kosovës”, tha Haxhiu.

Image
Lirim Zorra

Ligji për Trashëgimin Kulturore sfidë për kuvendnin

Analisti politik Lirim Zorra thotë se Kuvendi do të ketë problem për të miratuar Projektligjin për Trashëgimin Kulturore.

“Te rasti i trashëgimisë fetare padyshim përfituesi me i madh është Kisha Ortodokse, mirëpo edhe këto të drejtat ekstra të cilat po kërkohen mund të jenë sfiduese për parlamentin për arsye se i jep një autonomi të jashtëzakonshme kësaj bashkësie, andaj edhe vota e Listës Serbe varet nga kompromiset të cilat mund të ndodhin”, tha Zorra për “Bota sot”.

Sa i përket ligjit për Liritë Fetare, Zorra thotë se këtu problemi do të paraqitet me bashkësitë fetare.

“Ligji  për Liritë Fetare padyshim  duhet të miratohet nga ana e Parlamentit të Kosovës  për të sqaruare të drejtat dhe përfitimet të cilat i kanë bashkësitë fetare, sepse kjo nxitë pengesa për funksionimin e tyre po ashtu edhe përplasje me qeverinë dhe komunat në Kosovë, mirëpo problemi është të përfshirja e bashkësive tjera, si për shembull Bashkësia e Tarikateve dhe bashkësive tjera të cilat  veprojnë në Kosovë”, shtoi Zorra.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Kuvendi është i bllokuar

Edhe analisti Blerim Burjani, thotë se kjo shumicë në Kuvend nuk do të ketë të lehtë të miratojë ligje të rëndësishme për vendin.

“Kuvendi nuk do ta ketë asnjëherë e lehtë të aprovoje ligjet, sepse ka shumë situata kur kuvendi e ka bllokuar punën e qeverisë, dihet se ky kuvend ka mbylle derën çfarëdo iniciative që vjen nga një qeveri e që udhëhiqet nga partitë të vogla pa PDK-në. Kjo është shumë evidente se PDK s’ka kurrfarë rëndësie në vendimmarrje në këtë qeveri”, tha Burjani për “Bota sot”.

Ai thotë, se Kuvendi është i bllokuar deri në zgjedhjet e ardhshme për shkak se shumica nuk i ka votat e mjaftueshme, dhe sipas tij partitë opozitare vendosin për secilën iniciative.

Këto ligje janë vitale për anëtarësim në UNSECO. Andaj nuk duhet humbur kohë me këtë, edhe pse ëto parti në kuvend kanë diferenca të mëdha politike, por duhet të miratohen iniciativat për interesa të shtetit”, shtoi Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat