Flet Gashi, ky kandidat mund të jetë fitues në Prishtinë

Politika

Flet Gashi, ky kandidat mund të jetë fitues në Prishtinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 nëntor 2017 Në ora: 12:41
Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti

Shumë prej komunave të Kosovës shkuan në balotazh pas rezultatit të zgjedhjeve të 22 tetorit.

Dhe në balotazh nga të gjitha komunat, gara më e madhe ishte për kryeqytetin, ku do të garojnë Arban Abrashi nga Lidhje Demokratike e Kosovës dhe Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Parashikimet për fitoren në Prishtinë kanë qenë te ndryshme.

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike Arbër Gashi ka dhënë vlerësimin e tij sa i përket komunës kryesore.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se LDK dhe VV po e bëjnë të pamundurën që të jenë në krye të Prishtinës.

Image
Arbër Gashi

“Prishtinasit ndodhen para një fundjave prej së cilës varet e ardhmja katërvjeçare e qytetit. Siç po e shohim, LDK dhe LVV janë duke bërë të pamundurën që kryeqyteti të drejtohet nga kandidati i tyre i preferuar. Për qytetarin e Prishtinës, rëndësi të veçantë paraqet jo vetëm mbështetja partiake për kandidatët, por edhe pavarësia e tyre në raport me këto interesa”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, në këtë pikë, Arban Abrashi është në përparësi ndaj Shpend Ahmetit dhe mund të jetë fitues.

“Kam përshtypjen, se nëse i referohemi pikës së dytë, Arban Abrashi ka një përparësi ndaj Shpend Ahmetit, e cila, nëse është shfrytëzuar si duhet në fushatë, atëherë edhe mund ta nxjerrë fitues ndaj kryetarit aktual të komunës së Prishtinës. Sido që të jetë, qytetarët e Prishtinës janë të vetëdijshëm se kërkesat dhe nevojat janë gjithnjë më të mëdha se mundësitë e politikës për të ofruar zgjidhje”, vlerëson Arbër Gashi.

Ndryshe, në raundin e dytë të zgjedhjeve ku garojnë komunat që kanë shkuar në balotazh, do të votohet të dielën, me 19 nëntor./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat