Paralajmëron politologu: Demarkacioni me pasoja të mëdha për Kosovën

Politika

Paralajmëron politologu: Demarkacioni me pasoja të mëdha për Kosovën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 nëntor 2017 Në ora: 16:11
Kullë, Çakorr

Derisa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po këmbëngul që Demarkacioni me Malin e Zi, të bëhet me Kullën dhe Çakorrin brenda, presioni ndërkombëtar për këtë marrëveshje po rritet.

Sipas njohësve të çështjeve politike, debati për Demarkacionin duhet të merr fund, pasi Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, për këtë çështje, politologu Mentor Tahiri ka paralajmëruar se nëse nuk zgjidhet kjo çështje, pasojat për Kosovën do të rriten.

Image
Mentor Tahiri

“Kosova tanimë ka humbur shumë kohë në këtë drejtim. Debati politik mbi demarkacionin duhet të merr fund. Pra ata që pretendojnë se Kosova ka humbur territor, duhet ta argumentojnë këtë përfundimisht dhe jo të merren me deklarime politike; kurse në anën tjetër edhe ata që mendojnë se demarkacioni aktual është në rregull, duhet të bëjnë më shumë trysni që Kosova të mos humbë kohë më tej. Ndryshe jo vetëm që pasojat do të rriten, por edhe vetë sjellja e institucioneve të Kosovës do të duket qesharake dhe joserioze në sy të komunitetit ndërkombëtarë. Në këtë rast humbjet e shkaktuara do të jenë të përmasave të paparashikueshme”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, çështja e rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është në një pikë kritike.

“Është e kuptueshme se fati i Qeverisë aktuale ndërlidhet me çështjen e demarkacionit, por lypset që të reflektohet përtej kësaj, të ketë më shumë përgjegjësi karshi fatit të Kosovës dhe integrimeve në kuadër të familjes euro-atlantike. Të mos harrojmë se vetë çështja e rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës është në një pikë kritike, kjo kërkon përgjegjësi më adekuate dhe është e patolerueshme që gjithë skena politike të shpenzojë energjitë për të argumentuar apo kundërargumentuar teka personale të dikujt”, ka shtuar politologu Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat