“Fluska e borës”, vazhdon të jetë e ngrirë

Politika

“Fluska e borës”, vazhdon të jetë e ngrirë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 nëntor 2017 Në ora: 10:46
Flamuri i Kosovës

Ka një kohë të gjatë që emrit të Kosovës i është vënë prapa një “damkë” , ndërsa po mbushen gati 6 vjet që e njëjta nuk po i hiqet.  24 shkurti i vitit 2012, në bazë të një marrëveshje të arritur me Serbinë në Bruksel, do t`i vendoste emrit të Kosovës një fusnotë,  për të mundësuar përfaqësimin e saj, në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar. Atëbotë, ish krye negociatorja e bisedimeve me Serbinë Edita Tahiri, e kishte quajtur “fluskë bore”. Kjo “fluskë bore” po vazhdon të jetë e ngrirë.

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë për “Bota sot” se fusnota është një gabim i vulosur nga pushtetarët dhe se kjo i ka bërë pengesë vendit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Image
Fatmire Kollçaku

“Që nga fillimi ka qenë e qartë se fusnota nuk është “fluskë dëbore”, por përkundrazi një gabim i vulosur nga pushtetarët kosovar, ku Kosova ka shënuar regres në pozitën e saj dhe subjektivitetin ndërkombëtar. Duke e pranuar me vetëdije futjen e fusnotës, Qeveria e Kosovës e ka fuqizuar rezolutën 1244, dhe me këtë koncesion të dhimbshëm, përveç përfaqësimit në disa konferenca rajonale, sa i përket anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare ajo shumë më tepër është bërë pengesë”, ka thënë Kollçaku.

Për me tepër, ka shtuar se kjo e ka fuqizuar qëndrimin negativ të atyre shteteve që janë kundër njohjes së Kosovës.

“Futja në përdorim e formulimit të tillë, jo vetëm se nuk e ka përshpejtuar njohjen e Kosovës nga ana e atyre shteteve që nuk  janë deklaruar kundër njohjes, dhe që tani presin rezultatet e dialogut me Serbinë,  por në anën tjetër ajo vetëm sa e ka fuqizuar qëndrimin negativ të atyre shteteve që janë kundër njohjes së shtetit tonë”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Kollçaku ka thënë se për të gjitha këto, duhet të kërkohet përgjegjësia nga zyrtarët më të lartë shtetëror që e kanë udhëhequr dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë ish Ministren për Dialog, EditaTahiri.

Fusnota si problem

Ndërsa, Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku ka thënë për “Bota sot” se përdorimi i fusnotës për Kosovën paraqet problem dhe se Serbia është problemi kryesor.

Image
Selim Daku

“Mos respektimi i marrëveshjes për përfaqësim regjional dhe bashkëpunim të arritur në shkurt të vitit 2012 dhe asaj për normalizim të raporteve në prillit të vitit 2013 në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nga ana e Serbisë është problemi kryesor.  Serbia po pengon në vazhdimësi përfshirjen dhe integrimin e Kosovës në nisma dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka sugjeruar që të kërkohet nga Bashkimi Evropian që sjellja e Serbisë në raport me integrimin e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare të jetë në favor të normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve e jo të e pengoj Kosovën siç ka ndodhur deri sot.

“Në të njëjtën kohë Kosova duhet të shtoj kërkesat e saj pran nismave dhe organizatave rajonale e ndërkombëtare ku ka anëtarësim për heqje të fusnotës dhe përdorim të emrit të saj kushtetues dhe ndoshta kjo çështje nuk duhet të ngelet vetëm në nivel kërkese”, ka shtuar Daku.

Pasojat e fusnotës 

Po ashtu, ai ka shtuar se Kosova si shtet nuk është në pozitë ku mund të kushtëzoj pjesëmarrjen në nismat rajonale apo ndërkombëtare.

“Ajo sot nuk ka një situatë progresi në paraqitjet rajonale dhe ndërkombëtare për këtëarsye duhet të shtohet vëllimi i punës për të arritur qëllimet që i kemi caktuar vetës. zhvillim ekonomik dhe të plotësohen kushtet kryesore për lëvizje të lirë të qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Daku  ka thënë se fusnota hiqet kur anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bëhet një proces normal.

“Kjo nënkupton lëvizje pozitive në qëndrimin karshi aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Daku.

Kritikohet Edita Tahiri

Ndërsa, sa i përket udhëheqjeve të bisedimeve nga Tahiri ka thënë se i ka udhëhequr bisedimet pa një strategji të mirëfilltë.

“Zonja Edita Tahiri ka udhëhequr një dialog i cili ka qenë më tepër ad-hoc dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë qasjeje në raport me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës karshi Serbisë. Për këtë arsye edhe fluska u bë një ortek i madh bore që po godet vazhdimisht Kosovën”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

Kurse,  Sami Blakaj, njohës i çështjeve ndërkombëtare ka thënë për “Bota sot”  se përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Image
Sami Blakaj

“Megjithatë përtej simboleve, aktualisht e rëndësishme për Kosovën është që të bëj lëvizje me përmbajtje, se sa të insistojë në çështjen e simbolikave, përfshirë edhe fusnotën”, ka thënë ai.

Problematika e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën

Po ashtu, Blakaj ka shtuar se vendi ka nevojë për një dinamikë të re të punës brenda politikës së jashtme që të lobojë për njohjen nga pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Ai ka thënë se fusnota do të hiqet  pasi të njihet nga këto pesë vende të cilat janë pjesë të Bashkimit Evropian.

“Kosova ka nevojë urgjente për një dinamikë të re të punës brenda politikës së jashtme dhe kësisoj  të lobojë dhe të avancojë raportet e saj me pesë vendet e BE-së, të cilat akoma nuk e kanë njohur subjektivitetin shtetëror të Kosovës.

Në momentin kur këto pesë vende do të njohin Republikën e Kosovës, fusnota hiqet dhe vendi nuk do të ketë më probleme në integrimin e plotë drejt Bashkimit Evropian”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, ditë më parë delegacion i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka marr pjesë në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Një ditë më parë në Bruksel, zyrtarët evropianë kanë pritur edhe Kryeministren e Serbisë, Ana Brnabic.

Për dallim nga shefja e Qeverisë së Serbisë, delegacionit të Kosovës, nuk i është ekspozuar flamuri i Kosovës, ndërkohë që në tavolinën e palës kosovare është vendosur edhe emërtimi i Kosovës me fusnotë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat