Arsyet që ndikuan në ngritjen e LDK-së dhe “tronditja” e PDK-së në balotazh

Politika

Arsyet që ndikuan në ngritjen e LDK-së dhe “tronditja” e PDK-së në balotazh

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 20 nëntor 2017 Në ora: 15:45
Këto janë rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve /Grafika: Lendi Susuri

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar numrin më të madh të komunave, në dy raundet e mbajtura më 22 tetor e 19 nëntor në Kosovë, në kuadër të zgjedhjeve lokale.

LDK ka fituar tetë komuna, në Gjilan, Istog, Podujevë, Vushtrri,  Lipjan, Pejë, Viti dhe Fushë-Kosovë, derisa në Prishtinë mund të ndryshojë rezultati në të mirë të kandidatit të saj Arban Abrashi, pas numërimit të votave me kusht dhe me postë.

Abrashi, pas numërimit të votave nga KQZ,  ka arritur të mbledhë gjithsej 41 mijë e 262 vota apo 49.89 për qind, pas Shpend Ahmetit të Lëvizjes Vetëvendosje, që ka ftuar me 41 mijë e 509 vota apo 50.15 për qind të votave.

Por, në këto zgjedhje, humbjen më të madhe e ka pësuar Partia Demokratike e Kosovës, e ka arritur të fitojë vetëm katër komuna, duke shënuar kështu rënien më të madhe që nga themelimi i saj.

Vetëm Ferizaj, Drenasi, Shtimja dhe Kaqaniku, do të udhëhiqen nga PDK, derisa asaj në këto zgjedhje i janë marrë Prizreni, Vushtrri, Klina dhe Rahoveci.

Image
Faik Krasniqi

PDK-ja, humbësja më e madhe për shkak të keqqeverisjes

E duke komentuar këto rezultate publicisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, ka pohuar se PDK-ja është humbësja më e madhe e zgjedhjeve, për shkak të keqqeverisjes dhe aferave të ndryshme nëpër komuna.

Por, sipas tij, as LDK-ja nuk mund të mburret me rezultatin, për shkak të humbjes së komunave si Ferizaj, Theranda dhe mosrikthimin e Prishtinës.

“Në bazë të këtyre rezultateve të zgjedhjeve, humbësi më i madh është PDK-ja, por edhe LDK-ja nuk ka fituar aq sa ka shpresuar dhe nuk mund të mburret me këtë rezultat, sepse ka humbur dy qytete të mëdha si Ferizaj dhe Theranda. Keqqeverisja dhe aferat e ndryshme në ato komuna ku janë qeverisur për më shumë se 10 vite nga PDK-ja, kanë bërë që kjo parti të humbas primatin e partisë që qeverisë në zmë së shumti komuna”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka theksuar se duhet reformim i partive politike, pasi kjo i bën mirë Kosovës.

“Çdo parti e di se ku kanë gabuar dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është një sinjal që gjitha partitë politike duhet të reformohen rrënjësisht. Reformimi i partive politike i bën mirë Kosovës, por edhe vetë partive politike. Ka ardhur koha që të udhëheqin njerëzit e rinjë, njerëz me ide të reja, pa afera korruptive dhe pa njolla”, ka theksuar Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Mentor Tahiri

Edhe sipas politilogut Mentor Tahiri, ka vlerësuar se rezultati i LDK-së në këto zgjedhje, ka sjellë disa tregues. Ai ka thënë se gara për Prishtinën, ka treguar se angazhimi i kësaj partie, ishte aktivitet elektoral shumë serioz.

Mirëpo, sipas tij, LDK-së i duhet angazhim maksimal në komunat si Ferizaj dhe Suharekë.

“Rezultati i LDK-së në këto zgjedhje lokale, respektivisht në garën e zhvilluar për balotazh sjellë disa tregues. Shihet se LDK ka konsoliduar mbështetjen e saj elektorale në qytete si Peja, Gjilani apo Podujeva. Megjithatë, shikuar në rrafsh më të gjerë, LDK nuk mund të pretendojë se ka arritur sukses. Gara e Prishtinës tregon se angazhimi për kryeqytetin ishte aktivitet elektoral shumë serioz, por humbja e qyteteve si Ferizaj dhe Suhareka, ku LDK deri tani kishte pushtetin lokal, duhet të alarmojnë hartuesit e politikave elektorale brenda këtij subjekti. Suhareka, një zonë ku LDK ka pasur mbështetje të lartë tradicionalisht, është e humbur”, ka vlerësuar Tahiri.

Kthesa e LDK-së në Vushtrri

Politologu më tej ka theksuar se arsye për humbjen e komunës së Ferizajt dhe Suharekës nga LDK-ja, ishin koalicionet që u lidhën kësaj partie.

Ai ka theksuar se fitoren më të madhe LDK e bëri në Vushtrri.

“Arsyet për këtë mund të jenë të shumëfishta, ka të bëjë edhe më koalicionet që u lidhën kundër LDK-së, por mbi të gjitha, situatën në Suharekë duhet shikuar me një reflektim kritik, në radhë të parë me pamundësinë për të sjellë freski kuadrovike. Gjithashtu është mjaft alarmuese fitorja shumë e vështirë në Istog. Ajo që tani i duhet LDK-së është një analizë e mirëfilltë me anë të cilës do të dallohen pikat kritike që nuk lejuan rezultat më të mirë. Praktikisht fitorja e vetme e LDK-së që bëri kthesë në këto zgjedhje është ajo në Vushtrri”, është shprehur Mentor Tahiri.

Humbja me pasoja të mëdha për PDK-në

Ndërkaq, lidhur me humbjen e PDK-së, politologu ka thënë se PDK ka rënë në margjinat më të ulëta historike.

Ai ka paralajmëruar se rezultati i këtyre zgjedhjeve, do të ketë pasoja në PDK.

“Lidhur me rezultatin elektoral të PDK-së, duhet thënë se është jashtëzakonisht shqetësues për të ardhmen e këtij subjekti. PDK ka zbritur në margjinat e saj më të ulëta historike dhe praktikisht këtë humbje e zbutë vetëm rezultati pozitiv në Ferizaj. PDK është “fshirë” nga pjesë të mëdha të Kosovës dhe mbetet një faktor i rëndësishëm vetëm në Drenicë dhe në rrethin e Ferizajt. Ndërkaq që edhe fitorja në Dragash mund të jetë si rezultat i bashkëpunimit me komunitete minoritare atje. Rezultati i 19 Nëntorit, pashmangshëm do të ketë pasoja në PDK, kemi të bëjmë me tkurrje gjeografike dhe me ndryshim bastionesh, e që në situatë normale duhet të reflektojë edhe në politika kuadrovike brenda PDK-së”, ka përfunduar Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat