“Mos pritja e Thaçit në Kanada, mesazh për qytetarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre”

Politika

“Mos pritja e Thaçit në Kanada, mesazh për qytetarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 nëntor 2017 Në ora: 16:12
Hashim Thaçi në Kanada

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të bëjë një paraqitje publike në një forum jo të zakonshëm për një kryetar shteti, gjatë vizitës që është duke zhvilluar në Kanada.

Por, Presidenti Thaçi nuk do të pritet nga kryeministri i Kanadës, Justin Trudeau.

Sipas mediave kanadeze, sekretari për media i Kryeministrit Trudeu, ka pohuar se Thaçi do të ketë takim me Ministrin e Çështjeve Globale, Chrustia Freeland.

Kjo mos pritje e Presidentit të Kosovës nga ana e Kryeministrit kanadez, sipas analistëve politikë është si pasojë e kaluarës së Presidentit.

Analisti politik, Jeton Kelmendi, ka thënë për “Bota sot” se mohimi apo mospritja nga Kryeministri kanadez është në kuadër të mesazheve që vijnë nga faktori ndërkombëtar.

Sipas Kelmendit, mesazhe për qytetarët e Kosovës ka pasur edhe nga zyrtarë të BE-së, e SHBA-së, se përfaqësuesi i tyre nuk është njeriu i duhur.

“Në fakt mohimi apo mospritja nga kryeministrit kanadez ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është në vazhdën e mesazheve që faktori politik ndërkombëtar, pra faktori mik i Kosovës po  jep tek qytetarët e Kosovës për përfaqësuesit e tyre. Me këtë njeri, pra me Presidentin Thaçi, kemi pasur mesazhe të qarta tash e sa kohë, nga Austria, Kanada, por edhe nga zyrtarë të BE-së e të SHBA-së që të gjithë se ky nuk është njeriu më i duhur që mund ta përfaqësojë Kosovën. Sigurisht kjo falë biografisë së tij dhe të dhënave të tij, në anën tjetër kjo përveç që është refuzim i Presidentit është edhe imazh jo shumë i mirë i Kosovës dhe kjo sepse njeriu më i lartë i Kosovës nuk merret seriozisht”, ka pohuar Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi ka shtuar se nuk është i vetmi Thaçi ai që refuzohet, por janë edhe përfaqësuesit tjerë.

“Nuk është i vetmi Presidenti Thaçi që refuzohet, janë edhe përfaqësuesit e tjerë të Kosovës që janë refuzuar, kemi edhe ndaj Kryeministrit aktual Ramush Haradinajn dhe kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe kjo sakt jep mesazhe se boll është bërë me këto”, ka theksuar Kelmendi.

Në Kanadë, sipas njoftimit të komitetit  thuhet se Thaçi do të përgjigjet në pyetjet për ngritjen e Kosovës nga kaosi dhe korrupsioni si dhe lufta e përgjakshme që ndodhi dy dekada më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat