Arrestimi i deputetëve për gazin lotsjellës, Qeveria i kthen përgjigje Vetëvendosjes

Politika

Arrestimi i deputetëve për gazin lotsjellës, Qeveria i kthen përgjigje Vetëvendosjes

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 nëntor 2017 Në ora: 10:42
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti u dënuan me 19 nëntor nga Gjykata Themelore për vepër terroriste me 21 vjet e gjashtë muaj burg.

Ndërsa, të premten policia e Kosovës arrestoi deputetët e VV-së, Albin Kurtin, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, për shkak të mos paraqitjes në Gjykatë për hedhjen e gazit lotsjellës. Ata u liruan pastaj të shtunën.

Ditë më parë, lideri i VV-së Visar Ymeri i kërkoi kryeministrit Ramush Haradinaj që të deklarohet për këto dënime që po i bëheshin zyrtarëve të kësaj partie, derisa e ka pyetur se a ka ndërruar qëndrim për Demarkacionin dhe Asociacionin, derisa kur ishin në opozitë ishin bashkë për ta mbrojtur këtë kauzë.

“Po Kryeministri? Ku është strukur? Pse nuk flet? Çka mendon sot? A kishim gabuar që u angazhuam bashkë në protestë? A është sot kundër protestës së përbashkët dje? A mendon sot se Zajednica e Marrëveshja për demarkacion është dashur të kalojnë? A është kapur edhe ai? Apo vetëm ia kanë lidhur gojën”, kishte shkruar në Facebook Ymeri.

Përgjigja e Qeverisë

Lidhur me këto pyetjet, zyra për komunikim e kryeministrit ka kthyer përgjigje për gazetën “Bota sot”, duke thënë se Ymeri duhet të marrë përgjigje në Kuvendin e Kosovës, ku dhe është deputet.

“E vërteta është se opozita ka kundërshtuar marrëveshje që mbesim rrezik për Kosovën. Rebelim i atëhershëm ka sjelle të mira për proceset demokratike në vend. Ndërsa qëndrimi i AAK-së atëherë ka qenë kundërshtim politikë e jo ligjor. Deputetët që kanë kundërshtuar nuk kanë pse të mos paraqiten në Gjykatë, ata nuk kanë bërë asgjë që meriton me u fsheh. Kundërshtimi politik është bërë me vetëdije. Visar Ymeri duhet të marrë përgjigje në Kuvendin e Kosovës, deputet i të cilit është”, thuhet në përgjigjen elektronike të zyrës së kryeministrit.

Lidhur me arrestimin e deputetëve dhe reagimin e kryeministrit, i cili tashmë është kreu i qeverisë, ndërsa që ka qenë bashkë me VV-në kur ishte në opozitë, analistët japin mendimet e tyre.

Analisti Fadil Lepaja në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se Haradinaj e thotë që është i obliguar ta thotë me ligj, por nëse është fajtor Kurti, po aq është edhe Haradinaj e Limaj.

Image
Fadil Lepaja

 “Fatkeqësisht, edhe kësaj radhe po e shohim anën e keqe të gjykatës tonë dhe policisë. Arrestimi i deputetëve, me një arrogancë të tillë, sjellw në konflikt pushtetin gjyqësor me legjislativin, dhe shpërfaq kontrollin e politikës mbi gjykatat, edhe pse ato duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji. Në situatë të njëjtë ndodhet edhe policia”, vlerëson ai.

Marrëveshja LVV, AAK Nisma

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike Arbër Gashi thotë se VV, AAK dhe Nisma kanë qenë bashkë, por që kanë vazhduar rrugët ndaras pas dështimit të marrëveshjes dhe tani Haradinaj po drejton një qeveri me kosto marramendëse.

“Në aspektin moral pyetjet e Visar Ymerit drejtuar kryeministrit Haradinaj janë të kuptueshme dhe askush nuk sheh aty diçka kontestuese, përpos faktit se mes tyre ka ekzistuar një koalicion me synime politike, ekonomike dhe ideologjike. Pra, mes LVV-së, AAK-së dhe Nismës ka ekzistuar një marrëveshje politike, e cila, në një moment të zhvillimeve politike në Kuvendin e Kosovës është shkëputur si e tillë dhe secila palë pas dështimit të kësaj marrëveshje ka marrë rrugën e vet; LVV në opozitë, ndërsa AAK dhe Nisma janë rikthyer në qeveri, të cilën, me një kosto marramendëse edhe për një shtet si Kina, tash po e drejton Ramush Haradinaj”, është shprehur Gashi.

Image
Arber Gashi

Sipas tij, mes tyre nuk ka pasur dhe nuk ka marrëveshje të bazuar në moral dhe tani dhëmbët po i mpihen VV-së, mirwpo, Gashi ka një këshillë për Ymerin dhe VV-në.

“Pra, as atëherë e as sot, mes këtyre subjekteve nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë as në të ardhmen ndonjë marrëveshje e bazuar mbi parime morale. Mos të harrojmë, politika është shkencë, art i së mundshmes dhe vlerë akademike. Për rrjedhojë, edhe marrëveshjet e mundshme apo shkëputja e tyre nuk janë akte të pamoralshme, dhe vërtetë do të ishte jashtëzakonisht fatkeqësi e madhe nëse ato perceptohen si të tilla. Megjithëse, e kuptoj zhgënjimin e Visar Ymerit, sepse faktikisht, për aktet e nxitura dhe të kryera së bashku, dhëmbët po i mpihen LVV-së e jo subjekteve që ishin në koalicion me të. Kam një këshillë dashamirëse për Visarin dhe në përgjithësi për LVV-në, mësoni nga pësimet e atyre që i zhdukën pa asnjë gjurmë; para, gjatë dhe pas luftës. Pjesa më e madhe e tyre ishin meritorë, nismëtar të shtetndërtimit dhe njerëz që besonin sidomos në vlerat morale. Megjithatë, plumbi i tradhtisë nuk i pyeti se kush dhe çka janë, apo cilat ishin meritat e tyre”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Kelmendi: Drejtësia në Kosovë e ka humbur besimin

Çështjen e arrestimit të deputetëve të VV-së dhe deklarimin e Haradinajt, profesori Jeton Kelmendi e sheh si çështje të drejtësisë, edhe pse thotë se drejtësia e ka humbur besimin.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se gjasat kundër për të mbështetur Lëvizja Vetëvendosje nga kryeministri Haradinaj për mbrojtjen e kauzës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës është çështje drejtësie. Në fakt drejtësia në Kosovë e ka humbur besimin realisht që nga rasti i kryeprokurorit kur falsifikoi dokumentet, megjithatë është më mirë ta kemi një drejtësi sado të dobët se sa mohimi i saj, prandaj sjellja e VV-së duke mos e njohur drejtësinë është një gabim për demokracinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Kelmendi thotë, se deputetët e VV-së kanë gabuar që nuk janë paraqitur dhe kanë mohuar ligjin e Republikës, pasi janë partia më e madhe parlamentare dhe paguhen nga Republikë, andaj nuk duhet ta mohojnë atë.

“Mendoj se këta djem kanë tejkaluar demokracinë dhe pavarësisht se nuk ka besim në drejtësi, duhej të shkonin prandaj deklarata e Haradinajt ishte me vend edhe pse vetë kryeministri dikur i përdorte këto veprime, por atëherë ishte në opozitë dhe tani nuk i ka hije. Mendoj se duhet dënuar sjellja e dhunshme e deputetëve duke mos e njohur sistemin e drejtësisë, andaj kjo çon në një krizë të thellë Kosovën, si mundet që subjekti që në kuvend ka 32 ulëse dhe është partia më e madhe parlamentare në Republikë, merr paga nga Republika dhe nuk e njeh Republikën, nuk i njeh simbolet e shtetit, pavarësisht ashtu siç janë, nuk i njeh organet shtetërore, një nga shtyllat kryesore që është sistemi i drejtësisë, prandaj mendoj që Lëvizja Vetëvendosje e kanë tepruar me këto sjellje huliganeske, ndaj çdo institucioni, veçanërisht ndaj institucionit të drejtësisë. Veprat e saj pavarësisht se kanë qenë të arsyeshme, janë të kundërligjshme dhe duhet të dënohen nga gjykata”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Standardi i dyfishtë

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se po aplikohet standard i dyfishtë, pasi përgjegjës duhet të jetë edhe Haradinaj, pa marrë parasysh se është kryeministër tani.

“Është paradoksale ky veprim i drejtësisë në Kosovë sa i përket arrestimit dhe dënimit të disa akterëve të caktuar të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e VV-së, AAK-së dhe të NISMA-s. Derisa ata të VV-së dënohen e përndiqen, të tjerët vazhdojnë punën normalisht si kryeministri, ministra e deputetë. Ky është një standard i dyfishtë që po aplikon drejtësia e Kosovës lidhur me këtë çështje dhe po jep shembull të keq për qytetarët e Kosovës. Përgjegjësia për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës duhet t’i përfshijë të gjithë akterët, pra edhe vetë Haradinajn, pa marrë parasysh se ai është tani në funksionin e kryeministrit të qeverisë së vendit”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat