Shqipëria dhe Kosova të bashkohen për jetësimin e amanetit të të parëve

Politika

Shqipëria dhe Kosova të bashkohen për jetësimin e amanetit të të parëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 nëntor 2017 Në ora: 07:50
Statuja e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut dhe Flamuri Kombëtar

Këtë 28 Nëntor shqiptarët festojnë 105 vjetorin e pavarësisë dhe Ditën e Flamurit. Pikërisht 105 vjet më parë burrat më të mëdhenj të kombit shqiptar patën një qëllim, shpalljen e pavarësisë në trojet shqiptare. Madje në këtë datë të shënuar u thanë edhe shumë fjalë e shumë amanete për burrështetasit që do të vinin më pas.

Kështu, në fjalimin e tij me 28 nëntor, Ismaili Qemaili në një paragraf thotë: "Të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë".

Por, sa ka shkuar në vend ky amanet i tij? A janë të bashkuar për njëri-tjetrin shqiptarët, sa herë që të është nevoja?

Rasti më i freskët është ai i Kumanovës, rast ku shqiptarët mund ta tregojnë veten dhe të dalin në mbrojtje të vëllezërve të tyre shqiptarë.

Nevoja për angazhim të përbashkët

Sipas vendimit të Gjykatës në Maqedoni, shqiptarët për rastin e Kumanovës u dënuan me 746 vjet burg, prej tyre 7 janë nga Kosova.

Disa protesta janë organizuar deri më tani pas këtij vendimi në Kosovë dhe Shqipëri, megjithatë ende nuk ka ndonjë ndryshim në fjalën përfundimtare të gjykatës maqedonase.

Njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj ka komentuar fjalimin e Ismail Qemailit 105 vjet më parë, në ditën kur trojet shqiptare u shpallën të pavarur.

Image
Skender Zogaj

“Kurorëzuesi i pavarësisë së Shqipërisë, i madhi Ismajl Qemali, para 105 vitesh në fjalimin e tij të parë e ka proklamuar nevojën e të qenit bashkë si një trup i vetëm dhe i pandarë i të gjithë shqiptarëve, duke u bazuar në përvojën e kohës së Skënderbeut, i cili duke i bashkuar shqiptarët kishte arritur që ta thyente për 25 vjet radhazi Perandorinë e fuqishme Osmane me në krye sulltanët më gjakatarë. Ismajl Qemali bënë  thirrje për angazhim të përbashkët në ta ndërtuar për ta përparuar dhe për ta qytetëruar si i ka hije atdheut të lirë...”, thekson Zogaj për “Bota sot.

Zogaj, thotë më tutje se kjo porosi e dhënë para 105 vitesh, për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e në të gjitha trojet shqiptare, nuk ka arritur të përmbushet, sepse, shqiptarët vazhdojnë të jenë të ndarë e të përçarë, vetëshkatërrues të pashembullt siç nuk i ka hije një populli që pretendon të jetë i qytetëruar.

“Sidomos brengosëse është gjendja në Kosovë, në të cilën po ndodhin zhvillime tepër të vrugëta, me përplasje të helmëta politike, me manifestim të lartë të korrupsionit dhe me tundime të forta shqetësuese të qytetarëve që pa fajin e tyre vazhdojnë të mbeten të izoluar nga bota. Kjo është përmbajtja e pritjes së sivjetshme të festës së 28 Nëntorit, që është shumë i ngjashëm me festat e shumë nëntorëve në Shqipërinë e pavarur pas viti 1912, dhe në Kosovën e pavarur pas vitit 2008”, thekson ai.

Analisti Zogaj, thotë më tutje për gazetën  “Bota sot” se ndoshta një ditë gjendja do të ndryshojë tek shqiptarët.

“Të shpresojmë që, gjendja do të ndryshojë dhe se, shqiptarët do ta kuptojnë se duhet "të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, të punojmë për t'a mbaruar, për t'a përparuar e për t'a qytetëruar si i ka hije Atdheut t'onë të Lirë!", përfundon Zogaj.

Shqiptarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike nga Maqedonia, Mersel Bilalli duke iu referuar rastit të Kumanovës thotë se është rast ende i mjegullt.

Image
Mersel Bilalli

“Rasti i Kumanovës akoma është në mjegull që t’i japim tretman kombëtar. Ka nevojë për shumë përgjigje. E para, përse mu në momentin kur zhytej Gruevski si bartës i projekteve antishqiptare, dikush sikur dëshironte ta shpëtoj duke defokusuar vëmendjen e opinionit? Pse u mbajtën kontakte me shërbimet e kundërzbulimit të ktuit? Kush bëri transportimin e personave të armatosur me transporte zyrtare. Dhe shumë pyetje tjera të cilat do të duhet një analizë serioze edhe me ekspert ndërkombëtarë”, thotë Bilalli për “Bota sot”.

Ai thotë më tutje se shqiptarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik, për të mbajtur afër vetës të rinjtë që po ikin ço ditë.

“Pasi ne si shqiptarë kemi nevojë për qetësi që të mund të zhvillojmë ekonominë dhe t’i mbajmë të rinjtë këtu që na ikin pakthyeshëm. Tani, pra në kushtet e dhëna patriotizëm më i madhe është zhvillimi ekonomik, mirëqenia e njerëzve. Gjithçka tjetër është në kundërshtim me vlerat që duhet të mbihen”, vlerëson ai.

Nga ana tjetër, analisti dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava duke u bazuar në deklaratat e burrështetasve të asaj kohe, thotë se çdo e thënë e atyre kohërave, është e bazuar në kohën e asaj që autorët e kanë thënë dhe e kanë jetuar, e sidomos për kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Image
Hajrullah Tërnava

 

 “Të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t‘a  mbaruar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije Atdhene t‘one të Lirë“. Deklarata  e të madhit Ismail Qemajlit asnjëherë nuk u jetësua deri më tani. Edhe në ato kohërat të shpalljes së pavarësisë kishte të tjerë që mendonin ndryshe nga vetë bashkëkombësit tonë. Falë pjekurisë së kalitur shkollore të asaj kohe dhe intelegjencës e mbi të gjitha edhe trimërisë së tij, ne sot e festojmë 28 Nëntorin si festë kombëtare. Jetësimi i kësaj deklarate është në vepër po i shikojmë kufijtë e Shqipërisë. Por,  jetësimi i plotë do të ndodh sikur të bashkohen të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, sikur Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Mal të Zi-Çamëri dhe Kosovë Lindore Madvegjë, Bujanovc, Preshevë”, thotë Tërnava.

“Tjerat kombe kanë lakmuar në historitë e kombit tonë”

Ai thotë më tutje se janë edhe troje të tjera shqiptare që duhet të përfshihen në trojet shqiptare.

“Edhe tjera pjesë të Ballkanit si kujtesa shqiptare janë të freskëta sikur deri te Molla e Kuqe,  që përfshinë territorin e rreth mbi 700 fshatrave të Toplicës dhe Nishit e deri te Beogradi, që edhe sot mund të dëgjojmë mbiemra të muhaxhirëve (të ardhurëve) si Rakovica një lagje e Beogradit e shumë tjera mbiemra që tani bartin një pjesë e të shpërngulurëve muhaxherë nga ato pjesë tona e që edhe sot po me këta emra thirren ato fshatra në ato treva, e që sot shërbejnë si mbiemra të vet shqiptarëve në Kosovë e gjetiu e deri në Turqi të shpërngulur. Edhe pjesët tjera si Zara e Kroacisë e Dallmacija, ishin të banuara me popullatë shqiptare, e pse jo edhe deri në Austri, Itali dhe Gjermani ku edhe sot e moti njihen si fise Ilire”, thotë ai.

Tërnava, thotë se amaneti i Ismajl Qemajlit ende nuk është jetësuar, por ky është një obligim që po në këto troje edhe gjeneratat e ardhshme ta kenë në gjakun e tyre këtë obligim dhe të kontribuojnë që trojet tona pellazge, ilire, shqiptare të bashkohen dhe shqiptaria të bëhet ajo që ishte dikur, si truri i civilizimit të njerëzimit.

“Nga vetë historia e popullit tonë, tjerat kombe kanë lakmuar në historitë e kombit tonë, dhe në rastin e mundësive sikur kombi serb, ai turk, e shumë tjerë me kohëra kanë dashur që ta përfitojnë historinë e popullit tonë, qoftë edhe me falsifikime dhe gënjeshtra  të ndryshme, dhe me luftëra që i ndihmuan edhe të tjerët si Rusia etj, e besa edhe me copëtimin e trojeve tona kur iu ka dhanë mundësia për një gjë të tillë armiqve tonë. Tani kur Kosova e ka shpallë pavarësinë e saj më 17 Shkurt 2008, sikur  po fryjnë  erëra që po e shtijnë disponimin dhe energjinë, se ky shekull në fillim e sipër që po e jetojmë tani, do të jetë shekulli i ynë i jetësimit të amanetit të madhit Ismajl Qemajli. Tani, zyrtarisht në Ballkan ekzistojnë dy shtete shqiptare. Afër jetësimit apo bashkimit të këtyre shteteve janë edhe shtetet dhe trojet që i shpjegova më lartë”, thotë Tërnava.

Si të forcohet atdheu?

Duke folur për rastin e Kumanovës, ai thotë më tutje se për këtë duhet ende kohë dhe mençuri.

“Nuk duhet t’i bëjmë matematika të gabuara që t’i kushtojnë shumë popullit të Kosovës, sikur rasti i freskët i Kumanovës. Rasti i Kumanovës është rast patriotik i djemve që ranë heroikisht në atë vend, por ende nuk është koha e duhur për këto veprime. Nëse duam bashkimin e trojeve shqiptare, tani kur i kemi dy shtete shqiptare, iniciativat për çlirimin dhe bashkimin duhen të udhëhiqen në nivele shtetesh e jo individësh. Edhe ky qëllim mund të realizohet me fuqizimin e shteteve në fjalë që ende duhet të presim për këtë qëllim, por gjithsesi duke mos e harruar miqtë ndërkombëtarë, e sidomos Amerikën, BE-në,  e sidomos Gjermaninë, Anglinë, Francën, Zvicrën, Austrinë e shumë shtete tjera. Vetëm të organizuar dhe me një zhvillim të hovshëm, e me ushtri dhe përgatitje të fortë  ushtarake,  në bashkësi me miqtë ndërkombëtarë do t’ia arrijmë qëllimit të kamotshëm kombëtar,  dhe atëherë do ta realizojmë amanetin e të madhit Ismail Qemailit”, thekson Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat