Kosova në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, SHBA garantuese e marrëveshjeve

Politika

Kosova në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, SHBA garantuese e marrëveshjeve

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 29 nëntor 2017 Në ora: 13:35
Takimi Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Ndërmjetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e bisedimeve të Brukselit në mes së Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ka kërkuar Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson e vë Kosovën në një pozitë të barabartë me atë të shtetit serb.

Deri më tani, në ndërmjetësimin e bisedimeve në mes së Kosovës dhe Serbisë ka marrë pjesë vetëm Bashkimi Evropian, i cili zyrtarisht ka status neutral ndaj Pavarësisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, SHBA-të e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht inkuadrimi i tyre në këtë proces, nënkupton një ndërmjetësimi në mes të dy shteteve sovrane.

Pjesëmarrja e administratës amerikane proces është jetike

Për këtë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pjesëtar të shoqërisë civile thonë se Kosova tanimë do të hyj në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë dhe pjesëmarrja e administratës amerikane në këtë proces është jetike.

Image
Jeta Krasniqi

“Duke konsideruar që faza e ardhshme e dialogut pritet të jetë dhe faza përmbyllëse ku palët do të nënshkruajnë marrëveshje ligjore të obligueshme, prania e SHBA-ve në tavolinën e bisedimeve është e domosdoshme. Pjesëmarrja dhe prezenca e SHBA-ve do të jetë garanci se Kosova në tavolinën e negociatave është shtet i pavarur dhe sovran dhe si mbështetësi dhe lobuesi më i madh i shtetit të Kosovës. Patjetër që pjesëmarrja e SHBA-ve do të jetë gjithashtu një garanci e rëndësishme që këto bisedime do ta konsolidojmë edhe më shumë shtetin e Kosovës dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare”, thotë për gazetën “Bota sot”, Jeta Krasniqi menaxhere e projektit të bisedimeve Kosovë-Serbi në Institutin e Kosovës për Demokraci (KDI).

Sipas saj, Bashkimi Evropian ka status neutral ndaj shtetit të Kosovës ndërsa Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe prezenca në tavolinë e SHBA-ve si në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova në këtë fazë është jetike.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, beson se ky ndërmjetësim do të jetë një garanci në zbatimin e marrëveshjeve në mes të dyja palëve.

Image
Arton Demhasaj

“Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje në Bruksel dhe shumica prej tyre janë të pazbatueshme dhe kjo vet tregon se nuk kanë qenë marrëveshje të duhura. Kështu që, për të pasur një garanci që marrëveshjet do të zbatohen, edhe unë besojë se ky ndërmjetësim amerikan do të ketë efekt. Kjo garanci vjen edhe për shkak të fuqisë që e ka Amerika”, tha për “Bota sot” Demhasaj.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike Adrian Gjoshi thotë se ndërmjetësimi amerikan në këtë proces ndikon në rritjen e përgjegjësisë nga palët negociuese. Por, ai shprehet skeptik ndaj palës serbe.

“Përfshirja e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi do të ndikonte në rritje të seriozitetit dhe përgjegjësisë ndaj palëve negociuese, sidomos asaj serbe. Përfshirja e ShBA-se po ashtu nënkupton një rritje sigurie, por nuk nënkupton edhe garanci se pala serbe do t'i përmbahet Kornizës Negociuese; nuk do të thotë se do të jetë konstruktive; dhe po ashtu nuk mund të konstatojmë se do t'i zbatoje marrëveshjet e arritura”, thotë Gjoshi.

Image
Adrian Gjoshi

Kosova duhet ketë një strategji për bisedimet e ardhshme të Brukselit

Jeta Krasniqi nga KDI thotë se Kosovës i nevojitet një strategji e qartë për bisedimet e ardhshme të Brukselit.

“Lidershipi kosovar duhet të tregojë maturi politike duke ndërtuar një platformë të qartë, një strategji të qartë të bisedimeve, të pritshmërive dhe vijave të kuqe, duke garantuar gjithë përfshirje të institucioneve, shoqërisë civile, media dhe mbi të gjitha transparencë. Lidershipi Kosovar duhet të jetë vigjilentë dhe të jetë gardianë i kushtetutës së vendit në këto bisedime, duke konsoliduar më tej shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe duke I dhënë fund njëherë e mirë ndikimit dhe ndërhyrjes së shtetit të Serbisë në shtetin e Kosovës”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

Edhe Arton Demhasaj thotë se duhet një konsensus nga spektri politik në Kosovës për këto bisedime.

“Qeveria duhet të koordinohet më mirë me amerikanët, pasi që është edhe kërkesë e saj që në negociata të inkuadrohet edhe Amerika dhe në kuadër të kësaj është dashur qeveria që të identifikojë më tepër lobimin për të pasur një ndërmjetësim prej amerikanëve. Kurse, qeveria e ka për obligim që të bëj një kompromis me të gjitha partitë politike për të krijuar një strategji të qartë se çka presin prej këtyre negociatave në mënyrë që për të qenë sa ma transparente dhe në njëfarë mënyrë sa më e kontrolluar”, tha Demhasaj.

Qeverisë i kërkohet që mos të bëjë kompromise të dhimbshme

Roli i SHBA-së po vlerësohet si shumë i rëndësishëm në këtë proces, por qeveria e Kosovës nuk duhet të vazhdojnë me kompromise të dhimbshme në bisedimet e ardhshme me Brukselin.

Jeta Krasniqi nga KDI thotë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe këto bisedime duhet të zhvillohen mbi këtë bazë.

Sipas Krasniqit, në këto bisedime Kosova nuk duhet të bëj kompromise që e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

“Kompromise të cilat cenojnë funksionimin shtetëror të Kosovës, që tejkalojnë kushtetutën e Kosovës që gjymtojnë përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe lejojnë ndërhyrjen e shtetit të Serbisë në çështjet e brendshme dhe funksionimin e brendshëm, si dhe të ardhmen e Kosovës drejtë BE-së, anëtarësimit në NATO dhe OKB-të, nuk duhet të lejohen në mënyrën më kategorike pra duhet të jenë vija të kuqe për Kosovën në këto bisedime”, shtoi Krasniqi.

Edhe profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se është jo serioze që t’i kërkohet Kosovës për kompromise të mëtejme.

Image
Mazllum Baraliu

“Jam i bindur se askush nuk duhet të kërkoj më shumë kompromise nga Kosova, kur ne si shtet kemi bërë tepër shumë kompromise deri më tani për të pasur këtë që ka në dëm të Republikës, në dëm shtetësisë dhe në dëm të rendit kushtetutës dhe juridik të saj”, thotë Baraliu për “Bota sot”.

Ai thotë se miqtë ndërkombëtar duhet vlerësuar lartë besnikërinë e Kosovës ndaj tyre.

“Unë mendoj se ne duhet qenë në korrektësi me SHBA-të, por edhe ata do të duhej të vlerësonin larg në masën e duhur besnikërinë dhe orientimin pro amerikan dhe pro perëndimor që institucionet tona dhe popullsia e tërë që kanë ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe do të duhej që në vend të korrektësisë, paanshmërisë që Kosova të dal e barabartë në bisedat ta ketë subjektivitetin e vet të pavarur dhe të trajtohet atje si palë e barabartë me Beogradin. Kështu që nuk do të duhej askush, as Amerika dhe as Evropa asgjë më tepër nga Kosova në kuptim e koncesioneve, sepse Kosova ka bërë tepër shumë edhe në planin e Ahtisarit dhe negociatat në Bruksel nga ato teknike dhe në ato politike”, shtoi Baraliu.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj në një takim në Bruksel me përfaqësuesen e Bashkimit Evropiane për Politikë të Jashtme, Federica Mogerini ka kërkuar përfshirjen e SHBA-ve në bisedimet e ardhshme Prishtinë-Beograd.

Washingtoni ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, por në një përgjigje të ambasadës amerikanë në Prishtinë dhënë për “Bota sot”, thuhet se SHBA-të e përkrahin dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe Shtëpia e Bardhe është duke diskutuar me ekipin e Përfaqësues së BE-së, Mogerini se si ajo do të mund të ofronte një përkrahje shtesë në fazën e ardhshme të bisedimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat