3 muaj Qeveri, ku mbeti premtimi i Haradinajt për viza?

Politika

3 muaj Qeveri, ku mbeti premtimi i Haradinajt për viza?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 dhjetor 2017 Në ora: 11:01
Ramush Haradinaj

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga çështjet më të rëndësishme dhe më aktuale në vend.

E për këtë çështje, kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj para se të zgjidhej në këtë post, premtoi lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës brenda tre muajsh. Mirëpo, tani që është në prag të tremujorit të qeverisjes, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Qeveria: Liberalizimi më shpejt se sa janë pritjet e pesimistëve

Lidhur me këtë, nga Qeveria, kanë thënë se po punojnë që Kosova të jetë pjesë e familjes evropiane dhe se liberalizimi do të ndodh shumë shpejt, duke mos dhënë datë apo afat kohor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Haradinaj po punojnë me një dinamikë të re dhe me fokus zbatimin e ligjeve, vendimeve dhe kritereve euroatlantike, me theks të veçantë zbatimin e plotë të MSA-së si dhe marrjen e statusit e vendit kandidat për në BE gjatë vitit 2018. Qeveria e Kosovës e ka përshpejtuar adresimin e çështjes së demarkacionit të kufirit duke lëvizur përpara nga pika zero, sepse kjo çështje kishte stagnuar që nga viti 2014. Të hënën, më 4 dhjetor, Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit e paraqet raportin me gjetjet dhe Qeveria e Kosovës pas konsultimeve me Institucionet e Republikës, do të procedojë tutje duke ndërmarr veprime konkrete kushtetuese dhe ligjore. Liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejt se sa janë pritjet e pesimistëve”, thuhen në përgjigjen e zyrës për komunikim të kryeministrit për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, analistët japin mendimet e tyre për këtë çështje.

LDK: Premtimi i Haradinajt nuk do të realizohet asnjëherë

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë se premtimi i bërë nga kryeministri nuk do të realizohet asnjëherë.

“Nuk është as e para e as e fundit herë që premtohen gjëra, të cilat nuk mund të realizohen. Javën e ardhshme bëhen 3 muaj nga premtimi bosh i kryeministrit, premtim i cili nuk do të mund të realizohet asnjëherë nga kjo qeveri”, ka deklaruar Gecaj për “Bota sot”.

Tahiri: Haradinaj e ka dhënë premtimin, por tani nuk jep datë për liberalizim

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri mendon se liberalizimi nuk do të bëhet as edhe pas gjashtë muajsh të tjerë.

Image
Ramush Tahiri

“Unë mendoj se do të kalojnë edhe gjashtë muaj të tjerë dhe s’do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Premtimet janë premtime dhe si të tilla nuk janë detyruese, por dëshiruese aq më parë se nuk janë përcjellë me asnjë kushtëzim e as me fjalën e lënë pengë. Ka kohë që qytetari nuk ka asnjë mekanizëm mbrojtës për vete e as mekanizëm nëpërmjet, të cilit i thërret apo i merr në përgjegjësi udhëheqësit e cilës do shkallë”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Haradinaj e ka dhënë premtimin, por tani nuk jep datë për liberalizim.

“Vet e ka dhënë premtimin e tash vet thotë s’kam datë për liberalizimin, s’mund të spekuloj. Duket se udhëheqësve s’ju ka mbetur asnjë përgjegjësi ndaj askujt. Jo vetëm Haradinaj, të gjithë janë ashtu, edhe presidenti për FRK, edhe kryeparlamentari për demarkacion”, ka deklaruar politologu Tahiri.

Demarkacioni, kusht diskriminues nga BE-ja

Image
Fadil Lepaja

Në anën tjetër, analisti Fadil Lepaja, ka thënë se mos liberalizimi nuk mund të quhet mashtrim, pasi Haradinaj po punon për këtë.

“Unë mendoj se nuk mund të quhet mashtrim, pasi që Haradinaj po punon me vendosmëri, për të përmbyllur këtë projekt, madje ka paralajmëruar se shpejt do e dërgojë marrëveshjen në Kuvend. Formimi i komisionit dhe krijimi i kushteve për punë të papenguar, ishte një angazhim serioz i tij. Kjo njëherësh tregon se qeveria e kaluar e kishte lidhur me qëllim liberalizimin me demarkacionin, pasi Thaçi, sidomos ishte i interesuar të sigurojë një mekanizëm për presion mbi opozitën për ta kaluar këtë projekt në formën se si e konstruktori atë ekipi i tij”, është shprehur ai.

Lepaja mendon se nuk është vonesë shqetësuese dhe se çështja e demarkacionit është kusht diskriminues nga Bashkimi Evropian.“Tash Komisioni i ri, pohon se ka gjetur shumë argumente se marrëveshja është bërë për ngutë dhe me mangësi, ku si pasojë Kosova humb territor. Kështu, si përfundim, mendoj se kohën e ka humbur garnitura e kaluar, duke konceptuar një marrëveshje me lëshime e gabime, dhe se duhet lejuar Haradinaj, pa presione të e përmbyllë këtë proces, sepse ky kusht, është diskriminues dhe BE, nuk guxon ta trajtojë ashtu një popull dhe një vend, duke e bërë të pësojë për gabimet e liderëve të vet. Mendoj se ende nuk kemi të bëjmë me një vonesë shqetësuese, sepse po duket çartë se ka angazhim serioz në një proces që nuk varet veç nga ne”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat