Haki Abazi e quan të dyshimtë vdekjen e presidentit Rugova, përmend edhe vrasjet e bashkëpunëtorëve të tij

Politika

Haki Abazi e quan të dyshimtë vdekjen e presidentit Rugova, përmend edhe vrasjet e bashkëpunëtorëve të tij

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 3 dhjetor 2017 Në ora: 13:22
Haki Abazi

Institucioneve të Kosovës iu nevojitet një strategji sikur ajo e presidentit Ibrahim Rugova për shpëtuar shtet ndërtimin që po rrezikohet nga politikat e paqarta dhe interesat e ngushta personale.

Kështu ka thënë analisti politik, Haki Abazi për ditëlindjen e Presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Z. Ibrahim Rugova përbrenda ekzistencës së tij përmbledh një intelektual të madh, të guximshëm, që mori me vetëdije dhe si prijës detyrën për të udhëhequr një nga fazat më kritike që po kalonte populli shqiptar i Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë me 1912. Rrënja e Murit të Berlinit dhe kolapsi i sistemit komunist bëri që të krijohet një faze tjetër, jo vetëm brenda, por më shumë punë, mund e sakrificë edhe me bashkësinë ndërkombëtare për t’u korrektuar një padrejtësi historike që ishte bërë ndaj të Kosovës”, ka thënë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Ai ka thënë se presidenti Ibrahim Rugova, që më vonë u bë edhe udhëheqësi dhe presidenti i parë i shtetit e pavarur, bëri unifikimin e të gjithë shqiptarëve të Kosovës kundrejt një pushtuesi që kishte fuqi shumë më të madhe se sa ajo e institucionet paralele të Kosovës.

“Z. Rugova mund të njihet edhe si filozofi më i shquar politik i shekullit, duke bërë që të organizohet sistemi paralel i funksional të arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe sigurisë dhe veprimit diplomatik me të suksesshëm që është parë ndonjëherë në historinë e vendeve dhe popujve të okupuar. Ai me vizionin e tij dhe njohuritë e gjeopolitikës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërmjet interesave religjioze, arriti që në fakt të fitojë përkrahjen dhe të hap dyert që historikisht kishin qenë të mbyllura apo të keq informuar për shqiptarët”, ka theksuar ai.

“Një personalitet si Dr. Rugova është vështirë i përsëritshëm, por ai në fakt mund të krahasohet me Vadclav Havel, Leh valencca, Helmut Kohl dhe me figurat që e sfiduan ndarjen e botës në sfera të interesit pas luftës së dytë botërore dhe e rikthyen përkatësinë perëndimore te vendeve të tyre duke u larguar nga boshti sovjetik. Një artikulim i qartë i strategjisë dhe një unifikim çfarë kishte populli i Kosovës gjatë viteve të 90-ta, do të ishte i mirëseardhur në këtë kohë kur shtet ndërtimi është hyrë në një rrugë të paqartë dhe interesa tjera po e minojnë interesin e shteti. Mbi të gjitha ka qenë urtësia e tij e mençur dhe mençuria e tij e urtë që bëri të tejkalojë të gjitha pengesat e "ujqërve" dhe atyre që sot janë bërë armiku i shtetit dhe po e paraqesin vendin si një poligon të korruptuarish, inatçore të këqij dhe të pangopur me egot e tyre ne politikën e vendi”.

Ai ka shtuar se ndarja nga jeta e presidentit Rugova e ka kthyer Kosovën në një drejtim të mbrapsht, që po e dëmton të ardhmen e saj.

“Ndarja e shpejtë dhe e dyshimtë e Presidentit Rugova nga jeta, është momenti kur shtet ndërtimi i Kosovës është kthyer mbrapsht dhe ka degraduar në lojëra minore të klaneve të ndryshme që po e dëmtojnë jashtëzakonisht të ardhmen e vendit. Gjithashtu, vrasja e bashkëpunëtoreve të afërt të Z. Rugova siç, janë: Fehmi Agani, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj dhe kërcënimi e tentimi i vrasjes së patriotëve të tjerë, ka bërë që LDK dhe forca e saj të dobësohet dhe ka krijuar hapësirë për njerëz dhe individ që kanë futur armiqësi ndërmjet popullit për ta ndarë dhe fragmentuar atë për të realizuar qëllimet e tyre”, ka përfunduar Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat