Gjuajtja me armë të Limaj, eksperti i sigurisë: Akt primitiv dhe i shëmtuar që i shërben si mjet Serbisë

Politika

Gjuajtja me armë të Limaj, eksperti i sigurisë: Akt primitiv dhe i shëmtuar që i shërben si mjet Serbisë

Nga: Arbnore Zhushi Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 16:08
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka komentuar për gjuajtjen me armë nga ish-kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, ministrit të Diasporës Dardan Gashi dhe këshilltarit të Fatmir Limajt, Lushtaku, Gashi dhe Shala, në festën që Fatmir Limaj e organizoi në Banjë të Malishevës, pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Lushtaku, Gashi dhe Shala po hetohen nga ana e Prokurorisë së Kosovës dhe Policisë, pas publikimit të një video xhirimi në media, ku ata bashkë me persona të tjerë, shihen duke festuar me armë.

E eksperti Kajtazi, veprimin e këtyre e ka quajtur akt primitiv dhe të shëmtuar.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çfarë do që të jetë vendimi i gjykatës, është e turpshme që këta persona përfaqësojnë qytetarët e Kosovës.

“Të shtënat me armë në gjendje dëliri të njerëzve të pushtetit, është akt primitiv dhe i shëmtuar. Pa marrë parasysh se çfarë vendos gjykata, është e turpshme që këta persona përfaqësojnë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Kajtazi.

Ai më tutje ka theksuar se profili i zyrtarëve të shtetit, pas pamjeve të publikuara shërben si mjet i mirë në duart e Serbisë në lobimin e saj kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

“Videot e publikuara janë objekt pune i të gjithë trupit diplomatik të akredituar në Kosovë. Ata në momentin e publikimit, ato i kanë dërguar në qendrat e tyre raportuese, ku bëhet profili i zyrtarëve të shteteve. Dhe ky profil s’ka se si të jetë apo të dalë, përpos primitiv, që në fakt për 100 vite e trumbeton diplomacia serbe nëpër Evropë. Këto skena primitive të zyrtarëve të nivelit qeveritar, shërben si mjet i mirë në duart e Serbisë në lobimin e saj kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, ka theksuar Kajtazi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat